Go to top
Vangjel Leskoviku

Usta Vangjeli ka lindur në Leskovik më 1906 dhe ka vdekur në Vlorë në korrik të vitit 1970. Ai, djali i madh i Apostolit dhe Kostandinës, fillimisht iu kushtua studimeve për t’u bërë prift në qytetin e Beratit. I ndikuar nga traditat e shquara të Leskovikut në muzikën popullore, mëson që në moshë të vogël gërnetën nga mjeshtër si Selim Leskoviku dhe i ati i Selimit, Asllani. Më 1922, ngre fillimisht në Leskovik sazet e tij, të përbëra nga i vëllai, Mitro Apostol Jorgo me qemane, Theodhor Guloja dhe Kolo Nakja me llautë dhe këngëtarë, duke u pagëzuar në popull si sazet më të mira pas atyre të “Selimit dhe Hafizesë”. Më 1936, largohet nga Leskoviku dhe vjen në Përmet ku përsos më tej stilin dhe formimin e tij si mjeshtër. Krahas sazeve të “Demka dhe Hajro”, ai së bashku me të vëllanë, Mitron me violinë marrin pjesë si sazexhinj në dasmën e mbretit Zog. Para viteve 1940, i gjithë repertori i tij muzikor, duke përfshirë edhe kabatë me gërnetë, janë të regjistruara pranë “Odeon”-it. Për të mund të konstatojmë se ishte ndjekës i traditës së interpretimeve virtuoze në klarinetë të nisur nga Selim Leskoviku, dhe po në këtë rrugë ai krijoi dhe i dha jetë edhe kabasë që mban emrin e tij. Interpretimet e tij shkëlqejnë nga gjenialiteti i perceptimit të fakturës. Nga çdo pikëpamje, Vangjel Leskoviku ishte një reformator i stilit të quajtur “vënçe” në gërnetë. Ai synoi dinamizimin e lojës së gërnetës nëpërmjet shfrytëzimit të mundësive të pathëna deri atëherë. Do të ishte, pa dyshim, një ndihmesë shumë e madhe për ne (për të studiuar itinerarin gjeografik të shtrirjes së lojës së sazeve të usta Vangjelit), në rast se do të dispononim “defterin” e tij, që sipas bashkëkohësve ai e mbante gjithnjë me vete për të shënuar “miqtë e rinj” që zinte dhe “avazet e reja” që mësonte, nëpër dasma e muhabete. Pas çlirimit largohet nga Përmeti për në Berat e më pas në Vlorë ku la një ndikim shumë të madh në këngët popullore të këtyre qyteteve. Me sazet në vitin 1950 merr pjesë në festivalin e parë folklorik kombëtar që u zhvillua në Tiranë, si dhe në të tjera aktivitete folklorike etj. Meritë e tyre është se në këngët popullore që shoqëroheshin me saze, ata krijuan edhe “pavarësinë” relative melodike të linjave të përcjelljes me vegla nga linja e këngëtarëve.

“Kabaja e usta Vangjelit” është vijim dhe një zhvillim i natyrshëm i kabave tradicionale të Toskërisë me motive baritore e pastorale, traditë që e themeloi Selim Asllan Leskoviku me shokët. “Kabaja e usta Vangjelit” shfaqet si kaba me dy pjesë: kaba dhe valle.

Pjesa e parë, kabaja konsiderohet si “kaba e shtruar” ku roli i gërnetës lidhet ngushtë me hulumtimin e mjedisit natyror ku ai dhe shokët e sazeve zhvillonin veprimtarinë e tyre. Në kabanë e tij ndiejmë qartë raportin mes njeriut dhe natyrës së bukur të zonës së Përmetit dhe Leskovikut, e cila shprehet përmes panoramimit tingullor në të gjithë hapësirën e regjistrit muzikor të gërnetës. Mjaft qartë konstatojmë se gërneta duket sikur këndon, aq e ngjashme është me këngëtarin në mënyrën e artikulimit të tingullit. Ky model i “Kabasë së Vangjelit” u përthith më pas nga shumica e gërnetarëve të Shqipërisë së Jugut të cilët nuk harruan ta citonin atë si “Kabaja me gishtin e usta Vangjelit”, duke i njohur meritën e strukturimit të këtij tipi kabaje baritore. Pjesa e dytë, vallja, është një muzikë e gëzuar në metër dypjesëtues, tipike për vallet e vajzave dhe grave të zonës së Leskovikut dhe Përmetit.

Ndërtimi më i preferuar për sazet ka qenë 1 gërnetë, 1 qemane dhe 2 llauta. Shpeshherë usta Vangjeli përdorte edhe një ndërtim disi të veçantë me 1 gërnetë, 1 violinë dhe tri llauta. Defi nuk ka qenë përdorur në formacionet e para të sazeve, si në Përmet ashtu edhe në Leskovik.

Në regjistrimet muzikore ku është regjistruar edhe kjo kaba, morën pjesë usta Mediu me gërnetë dhe fyell, Mitroja, i vëllai i Vangjelit me qemane, llautë dhe këngëtar, Nesim Meko nga Përmeti me qemane dhe këngëtar dhe Abaz Delvina me dajre.

 

Spread the love
error: