Go to top
EDUKIMI PËRMES ARTIT

Ai njeri që s’ka muzikë mu në shpirt
Dhe që bashkim i ëmbl’i i zërave nuk e trondit
Ësht i pabesë dhe gati për gracka dhe plaçkitje
Lëvizj’ e mendjes tij si nata ësht’ e ngrysur
Edhe ndjenjat i ka t’errëta si Erebi”
Të mos i zini besë një t’atilli!
Shekspir

Për sa më sipër, lindin natyrshëm pyetjet: Përse është kaq e rëndësishme muzika, artet dhe kultura… në jetën e njeriut, e veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë? Për çfarë dhe si të edukon muzika, artet dhe trashëgimia shpirtërore dhe cili është roli i tyre në edukimin artistik dhe qytetar në Shqipëri?

Në lidhje me këtë çështje, nga ana e saj, UNESCO ka aprovuar në Lisbonë, në mars të vitit 2006, një dokument shumë të rëndësishëm ndërkombëtar të titulluar “Road Map on Art Education” (Harta e rrugës së edukimit artistik). I mbështetur ligjërisht në nenet 22, 26 dhe 27 të “Deklaratës universale të të drejtave të njeriut” dhe në nenet 29 dhe 31 të konventës “Për të drejtat e fëmijëve”, dokumenti i shumëdiskutuar pozitivisht edhe në konferencën tjetër të UNESCO-snë Seul në vitin 2010, çmonte se kultura dhe arti janë thelbësorë në edukimin dhe në mbështetjen që i japin zhvillimit tërësor të individit përmes dy drejtimeve: mësimi përmes dijeve të artit dhe kulturës dhe mësimi përmes krijimtarisë në art dhe kulturë. Përfitimet që vijnë nga edukimi bashkëkohor artistik, në mënyrë të veçantë për fëmijët, është i jashtëzakonshëm, pasi ai luan një rol të rëndësishëm në kultivimin e shijeve artistike dhe i bën ata mendjehapur dhe kreativë në raport me edukimin tradicional, i cili është provuar se i shtyn fëmijët të kopjojnë në vend që të jenë krijues dhe origjinalë. Referuar këtij dokumenti, hidhet një hap i ri drejt standardeve që duhet të ketë parasysh tash e tutje edukimi përmes artit, edukim i cili duhet të përfshijnë në një optikë të re: … studimin e veprës së artit; marrëdhënien e drejtpërdrejtë me veprimtarinë artistike (kjo përmes koncerteve, ekspozitave, librave dhe filmave etj.); si dhe pjesëmarrjes së fëmijëvenë praktika artistike.

Edukimi i fëmijëve në Shqipëri mbështetet në dy shtylla bazë: në edukimin përmes lëndëve të karakterit shkencor e teknik dhe në edukimin përmes lëndëve të formimit shoqëror e artistik. Në fakt, nga një vëzhgim i thjeshtë mbi strukturën e kurrikulës zyrtare dhe në zbatimin e saj në praktikën e gjallë mësimore, vihet re një disbalancë, kjo në favor të lëndëve të formimit teknik e shkencor në raport me ato lëndë që i përkasin edukimit shoqëror e artistik. Kjo disbalancë është thelluar akoma më shumë pas rishikimit të kurrikulave të arsimit bazë në vitet 2012-2013, gjë e cila kërkon një syçeltësi nga drejtuesit e rinj të Ministrisë së Arsimit për të mos hedhur hapin e nxituar në aprovimin e tyre. Përsa i përket edukimit artistik përmes arteve, për të nuk shkruhet e flitet si për një nevojë strategjike afatgjatë, e për më tepër nuk e gjejmë të artikuluar edhe si koncept në asnjë akt ligjor ose nënligjor të fushës. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton të drejta dhe standarde për edukimin e shqiptarëve, por ende nuk po shohim rezultatet e dëshiruara që fëmijët të edukohen realisht përmes arteve dhe posaçërisht muzikës. Thelbi i edukimit përmes arteve është përgatitja e qytetarëve europianë të Shqipërisë, ashtu si edukimi përmes shkencës përgatit teknicienë.

Me gjithë traditën e paktë në këtë lëmë dijesh, mendoj se janë me dhjetëra arsyet se pse edukimi artistik përmes muzikës dhe arteve nuk ia del që të formësojë sa e si duhet breza fëmijësh e të rinjsh të formuar në këtë fushë. Ndër to sepse niveli i synuar i mësimdhënies krijuese dhe ai i disa prej teksteve të edukimit artistik (muzikë, arte pamore etj.), ende lë shumë për të dëshiruar; sepse mungon pasqyrimi në tekstet e edukimit artistik i gjithë larmisë që arti ka si traditë, si krijimtari e gjallë, por edhe si krijim e interpretim në grup dhe se tradita jonë e edukimit artistik nuk ndërthuret natyrshëm me përvojën europiane dhe botërore në këtë fushë. Për sa më sipër kërkohet që mësimi i disiplinave të ndryshme artistike duhet të ecë mbi baza të barabarta me lëndët e tjera të sistemit arsimor, duke pasur parasysh rolin kyç të arteve dhe të krijimtarisë artistike, si dhe përvojën e zhvillimit fizik, emocional dhe ndjesor të fëmijëve dhe të rinjve. Ka dy rrugë që plotësojnë njëra-tjetrën për integrimin e mësimit artistik në procesin mësimor, nga njëra anë duke mësuar disiplinat artistike dhe, nga ana tjetër, duke përdorur mjete të ndryshme të shprehjes artistike në mësimin e lëndëve të tjera. Krahas saj, edukimi artistik duhet të jetë shumëshekullor dhe të mbajë parasysh kulturën në gjithë ndryshueshmërinë e saj dhe t’i qëndrojë çdo përpjekjeje për të vendosur hierarki të formave të ndryshme të shprehjes artistike që u përkasin kulturave të ndryshme.

Duke folur posaçërisht për edukimin përmes muzikës, që është arti më popullor në botë, Këshilli Ndërkombëtar i Muzikës, IMC, i krijuar në vitin 1949 nga UNESCO, përmes programit të “Forumit III Botëror të Muzikës”, ka shpallur përhapjen e pesë të drejtave muzikore bazë, në të gjitha vendet e botës, të cilat konsistojnë në:

  • të drejtën që kanë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët që të shprehen muzikalisht me lirinë e mundshme të shprehjes;
  • të drejtën që kanë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët që të mësojnë gjuhën dhe aftësitë muzikore;
  • të drejtën që kanë të gjithë fëmijët dhe adoleshentët për të pasur akses te zhvillimet muzikore përmes pjesëmarrjes, dëgjimit, krijimit dhe informimit;
  • të drejtën për artistët e muzikës që të zhvillojnë artin e tyre përmes të gjitha mediave, me lehtësitë e duhura në dispozicion të tyre;
  • të drejtën për artistët e muzikës që të sigurojnë njohjen dhe shpërblimin për veprën e tyre muzikore.

Me keqardhje konstatojmë se shumë pak nga sa shkruhet më sipër perceptohet e për më tepër zbatohet në institucionet arsimore që synojnë edukimin artistik përmes arteve. Fatmirësisht, së fundmi, në nivelet politike po fillon të artikulohet nevoja e edukimit artistik të fëmijëve dhe të rinjve tanë, gjë e cila duhet përshëndetur. Që edukimi përmes artit të mos mbetet diçka kalimtare, çmoj se hapi i parë duhet të jetë pranimi dhe implementimi nga ana e Shqipërisë i dokumentit të mësipërm të UNESCO-s. Më tej, në frymën e tij të hartohet një strategji e edukimit artistik, ku pjesë thelbësore e saj të jetë reforma në kurrikulat e lëndëve artistike, si muzikë, pikturë, gjuhë, letërsi etj., si dhe ngritja e kapaciteteve për implementimin e standardeve të reja të edukimit artistik. Është fare e qartë se standardet e reja të edukimit artistik kërkojnë një bashkëpunim në të gjitha nivelet mes Ministrisë së Arsimit, asaj të Kulturës dhe Akademisë së Shkencave, shkollave, mes mësuesve të edukimit artistik dhe artistëve krijues dhe interpretues, mes institucioneve shkencore dhe komunitetit të gjerë, mes qendrave arsimore dhe atyre kulturore në rrethe etj. Nuk është kurrë vonë që të afrojmë muzikën dhe artet pranë fëmijëve dhe njerëzve, që bota të ketë gjithmonë e më pak “njerëz pa muzikë dhe arte mu në shpirt”, siç thotë edhe poezia e Shekspirit.__

*Vasil Tole, Gazeta Panorama, Dec 3, 2013

http://www.panorama.com.al/edukimi-permes-artit/

http://www.unesco.org/new/fileadmin/MULTIMEDIA/HQ/CLT/CLT/pdf/Arts_Edu_RoadMap_en.pdf

 

Spread the love
error: