Sopranoja Tefta Tashko Koço (1910–1947) lindi në Fajum të Egjiptit, vënd në të cilin kishin emigruar prindërit e saj në fund të shekullit XIX. Pas vdekjes së të atit, Athanas Tashkos, familja e saj kthehet në Korçë më 1921 dhe më 1927 së bashku më nënën, motrën dhe njërin prej vëllezërve Tefta largohet për në Montpellier të Francës, në konservatorin e të cilit do të studionte këndimin klasik. Pas përfundimit të studimeve në këtë konservator më 1931, midis viteve 1931-1936 ajo studioi në Institut Musical & Dramatique dhe Conservatoire National de Musique et de Déclamation të Parisit. Me kthimin në Shqipëri më 1936, Tefta iu kushtua studimit të këngës lirike qytetare shqiptare, përveç repertorit që tashmë ushtronte me muzikë dhome dhe operistike. Regjistroi tre herë në disqe në tri periudha të ndryshme kohore, më 1930 me shoqërinë diskografike Pathé në Paris dhe më 1937 e 1942 për shoqërinë diskografike Columbia, në Milano, Itali. Repertori vokal i përfshirë në këto tri periudha ishte ai i muzikës së lehtë (1930), ai klasik vokal (1937), dhe ai me 45 këngë lirike popullore qytetare shqiptare (1937, 1942). Është vlerësuar nga kritika e vendit dhe e huaj “për teknikën e përsosur vokale, tingullin e ndritshëm e të shëndetshëm, intonacionin e pastër si kristali, veprimet e matura dhe frazimin plot shije” (14 nëntor 1945). Me interpretimet e saj Tefta zhvilloi arkitekturën e këngëve popullore shqiptare në përmasat e një romance koncertale, thelloi karakterin autokton, zbukuroi melodinë dhe fjalën, pra edhe ekspresivitetin e gjuhës shqipe. Aspektin e tyre lirik e transmetoi bashkë me një tension dramatik, duke lënë me këtë rast vulën personale, pra karakterin e ri estetik të tyre. Me interpretimet e kёngёve popullore, ajo aktualizoi domethënien emocionale dhe krijoi një matricë stilistike ku emisioni vokal është perfekt, ndërsa koeficienti kombëtar i këngës ‘’merr frymë’’ i lirë. Edhe në kohën e sotme këngëtarët lirikë shqiptarë i këndojnë në ketë mënyrë këto këngë. Efekti kombëtar, social dhe artistik i veprimtarisë të saj ishte shumë i madh. Metoda dhe stili i saj i sollën këndimit lirik shqiptar eksperiencën e një mjeshtreje të punës, të një perfeksionisteje. Tefta deshi të ishte një artiste e lirë dhe e pavarur dhe me gjithë vështirësitë e shumta, ia doli mbanë. Për ketë arsye shtresa e intelektualeve të shquar të vendit e nderuan si një diva, te huajt panë me habi tek ajo energjinë e racës shqiptare, ndërsa artistët e sotëm e kanë ende një model. Me të fillon ngjitja ambicioze dhe arrin apogjeun arti vokal shqiptar. Në saj të gjithçkaje që ka bërë, ajo bën pjesë në memorien historike të Shqipërisë si një personalitet i veçantë i panteonit kombëtar. Sipas Mustafa Krantjes:…është me vlera vërtetë të mëdha, krejtësisht të veçanta, fondi i trashëgimit interpretative të sopranos sonë të shumë çmuar.