Go to top
Remzi Lela

Strumbullari i vërtetë i Sazeve të Familjes Lela do të bëhej “Çobani” (1937 – 1 janar 1995).

Më 1945-46 fillon të ushtrohet me gërnetën që i bleu babai e më pas në mënyrë autodidakte si të gjithë gërnetarët shqiptarë të sazeve. Pjesa e parë që mësoi, ishin “ca gishta” nga “Kabaja e Selim Stambollit”, të cilën ia dëgjoi edhe usta Jonuzi i Lamçes, i cili i dha zemër. Rreth moshës 12-13 vjeç, i ati e merrte Çobanin me vete nëpër dasma dhe në kohën kur vëllai tjetër, Rizai, filloi fizarmonikën, të tre bënë së bashku një grup, grup i cili është embrioni i Sazeve të Familjes Lela. Punon për një kohë si gërnetar në kafe “Parisi” pa u ndarë nga dasmat, ku për një pjesë të madhe të kohës punoi me violinistin e shquar tiranas Met Alia, dhe me muziktarin e bakllamasë Sotir Progri nga Leskoviku. Me formimin e Filarmonisë (1951) e më pas të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1957), merr pjesë në to e më pas në ansamblin “Tirana” (1978–1990), së bashku me vëllanë tjetër Fatmirin, me llautë. Më 1990 të gjithë “Lelët” rigrupohen pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore me këtë përbërje: Çobani me gërnetë e këngëtar, Myslymi gërnetë e dytë dhe këngëtar, Ahmeti me fizarmonikë dhe këngëtar, Fatmiri me llautë dhe këngëtar, Bilali me def dhe këngëtar, Shqiponja këngëtare dhe Çeçoja me violinë. Regjistrimet muzikore të këtij formacioni janë pranë Radiotelevizionit Shqiptar, Institutit të Kulturës Popullore dhe shumë agjencive të huaja muzikore[1].

Vlerësimet më të mëdha dhe turnetë më seriozë me muzikë popullore i ka bërë pas viteve ’90 në Francë, Belgjikë, Gjermani si dhe në Vendet e Ulëta. Në turneun e vitit 1991 brenda muajve maj–qershor, familja Lela dha koncerte në Vandoeuvre, Berlin, Albi, Marseille, Angouleme, Poitiers, Tilburg, Bruxelles, Metz, Paris, Caen, Strasbourg, Trappes, Roanne, Amsterdam. Një vit më vonë, në periudhën mars–prill japin koncerte në Rennes, Abgers, Amiens, Mulhouse, Strasbourg, Sotteville les Rouen, Paris, Gand, Amsterdam, Hilversum, Echirolles, Oullins, Lorient, Glomel, Morlaix. Çobani ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha festivalet folklorike kombëtare që janë zhvilluar në Gjirokastër, dhe me formacionin e familjes Lela ka marrë pjesë edhe në Takimin Kombëtar të Sazeve dhe Orkestrinave Popullore të Shqipërisë së Jugut”, të zhvilluar në Korçë më 1994.

Rëndësia e Sazeve të Familjes Lela dhe në veçanti e Çobanit është e shumanshme. Çobani ishte një nga gërnetarët më virtuozë të gjithë sazeve tona të Jugut, si dhe nga njohësit më të mirë të shumicës së veçorive stilistike të muzikës instrumentale e vokale të folklorit tonë. Ka shkuar pothuajse nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë me sazet, gjë që ka ndikuar te Çobani për të njohur pothuajse të gjitha stilemat kryesore të muzikës popullore shqiptare, e për t’i pasqyruar ato në repertorin e tij. Çobani, me intuitën e tij të lindur, dëshmoi se muzika popullore zhvillohet dhe përsoset nëpërmjet proceseve të brendshme dhe pikërisht nëpërmjet njohjes së tyre interpreti bëhet pjesë e rëndësishme e përhapjes së vlerave qindravjeçare. Ndjeshmëria e tij e lartë emocionale është zhvilluar duke ruajtur të pastër “traditën e vjetër” siç shprehet vetë ai, duke iu kundërvënë të gjitha atyre ndikimeve të huaja, nisur nga ajo ç’ka ai besonte që e kishte të ngulitur shpirtërisht. Prof. Zadeja e ka quajtur Çobanin …një vokabolar dhe reformues të vërtetë të kulturës sonë muzikore popullore.

[1] Sazeve të Familjes Lela u përket realizimi i CD-së së parë me muzikë popullore instrumentale shqiptare, i realizuar në vitin 1992 në Francë. Shiko katalogun e regjistrimeve.

“Kabaja e Ҫobanit” është kaba dypjesëshe: kaba dhe valle.

Kabaja është e tipit labiko, që vendos në qendër të saj një motiv vajtimor lab, kjo sipas modelit të kabave labiko të krijuara nga Bilbil Vlora, për ta kthyer atë më pas në një vajtim tosk me shumë ornamente dhe pasurime melodike, të cilat Ҫobanit i buronin natyrshëm.

Vallja e kabasë i përket zonës së Përmetit, karakteristike për vallet e shtruara të kërcyera nga vajzat dhe gratë.

Te kabatë e interpretuara nga Ҫobani është shumë e vështirë të gjendet se ku fillon krijuesi dhe ku vazhdon interpretuesi i saj. Jam i mendimit se për talentin dhe veçoritë e Ҫobanit, ishte e pamundur që ai të interpretonte një kaba të fondit të madh të traditës pa e rikrijuar atë. Ai vazhdimisht hynte e dilte në këtë traditë duke nxjerrë prej saj motive dhe vlera të parëna në sy dhe i ndriçonte ato me një dritë të re, dritë që buronte prej talentit të tij të papërsëritshëm. Në shumë aspekte ai i ngjan të atit, Mane Lelës, kurse në disa aspekte të tjera ai është i ngjashëm me talentet e mëdha të muzikës tradicionale botërore, siç është rasti i muziktarëve legjendarë të xhazit amerikan Duke Ellington, Lester Yang apo Ҫarli Parker, kjo në kuptimin e aftësive të jashtëzakonshme interpretuese dhe të shfrytëzimit të mundësive teknike të instrumentit muzikor në raport me traditën pararendëse.

Kur studiojmë muzikën që ka lënë Çobani, dëgjojmë si gërnetën e Jugut (në pjesët e tij të pëlqyera si “Kabaja e Gjeneral Gramafonit”, “Kabanë myzeqare” apo “Çamçe-beratçe”, “Pogonishte”), po ashtu edhe Shqipërinë e Mesme. Për më tepër Çobani thirret edhe si një ndër themeluesit e traditës së “gërnetës tiranase”.

Përbërja e sazeve të tij ishte: Çobani me gërnetë e këngëtar, Myslymi gërnetë e dytë dhe këngëtar, Ahmeti me fizarmonikë dhe këngëtar, Fatmiri me llautë dhe këngëtar, Bilali me def dhe këngëtar, dhe Çeçoja me violinë.

 

Spread the love
error: