Merita Halili (Tiranë 14 korrik 1966)
Siç thotë vetë Merita:… kam filluar të këndoj qysh në kopësht, pastaj në shkollën fillore dhe më pas në tetevjeçare, falë aktivizimit që më bënte në atë kohë profesori Naxhi Korça. Më vonë fillova të aktivizohesha tek Pallati i Pionierëve në Tiranë, ku këndoja në kor dhe si soliste, në të gjitha festivalet e fëmijëve. Kam qenë nxënëse e profesor Robert Radojës, Ermelinda Paparistos dhe e Zana Turkut. Më vonë fillova studiova në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në degën e kantos. Njohja e muzikës klasike dhe këndimi i arieve dhe romancave të ndryshme nga kompozitorë të huaj dhe shqiptarë më dha tjetër kulturë të kënduari. Gjatë kësaj kohe vijoja të merrja mësimie nga mësuesja ime Ermelinda Paparisto e cila e kishte shumë për zemër këngën popullore dhe gjithmonë punonte me mua me shumë kujdes, pasi donte që zëri im natyral të qendronte ashtu, pa u prekur dhe transformuar. Më pas Merita bëhet pjesë e ansambleve amatore si “Ansambli Tirana”, “Migjeni”, dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në moshën 16 vjeçare përfaqëson këngën popullore të Tiranës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës-1983, kohë në të cilën ndiqte edhe studimet në degën e kantos pranë Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Ndër vite realizon disa koncerte recitale dhe mjaft regjistrime muzikore të cilat gjenden pranë arkivit të Radio Televizionit Publik Shqiptar. Merita në repertorin e saj ka këngë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por më së shumti të Tiranës e me to ka publikuar albume të ndryshme.
Në fund të vitit viteve 1980 merr pjesë në spektaklin televiziv të RTSH-së “Mbrëmje e Muzikës Popullore” ku renditet ndër këngëtaret më të mira në rang kombëtar. Pas viteve 1990, merr pjesë ne disa aktivitete të rëndësishme të muzikës popullore si “Europa 90”, “12 vallzime pa një të shtunë”, “Rreth fatit për 12 javë” dhe “12 në Hollywood” në të cilin nderohet me çmimin e pare, mes 90 këngëtarëve nga diaspora shqiptare. Pas vitit 1995 largohet në SHBA, ku vazhdon ende sot e kësaj dite karrierën e saj artistike së bashku me bashkëshortin e saj, muzikantin e mirënjohur Raif Hyseni. Ata kanë zhvilluar koncerte në Europë, Japoni, Kanada, Australi dhe në vende të tjera duke shpalosur edhe për publikun e huaj vlerat e këngëtares Merita Halili dhe të trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare. Merita Halili ka interpretuar bashkë me orkestrën e drejtuar nga Raif Hyseni në Broadway, Lincoln Center, disa herë në Librarinë e Kongresit amerikan dhe në “Kennedy center”. Pjesë a angazhimeve të Meritës dhe Raifit janë edhe organizimi i seminareve për të paraqitur muzikën popullore shqiptare në disa akademi dhe universitete të rëndësishme amerikane. Për vlerat e këndimit të Merita Halilit kanë shkruar gazetat amerikane, ndër to edhe “New York Times” si dhe radiot dhe TV MPR radio, News 12 TV, Action Bronxon etj. Merita dhe Raifi janë pjestarë të “Qendrës së muzikës dhe vallëzimit tradiconal” të New York. Ata me punën dhe përkushtimin profesional kanë arritur të transmetojnë tek rreth 3000 studentë, vendas e të huaj, këngën dhe vallen tradicionale shqiptare. Për artin e saj Merita Halili është vlerësuar edhe nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me titullin “Ambasadore e Kombit” dhe “Mjeshtre e Madhe”. Këngëtarja Fitene Rexha ka thënë për të se Merita Halili mbetet një këngëtare tepër e pëlqyeshme për transparencën në të kenduarin e saj. Në shtator të vitit 2019 Merita Halili dhe Raif Hyseni realizojnë në bashkëpunim me TKOB dhe Ansamblin popullor koncertin recital në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
“Fol me goje o pellumb i shkru”, kendon Merita Halili – YouTube
“KU T’KA LALA MOJ KUMRIE”, kendon Merita Halili. – YouTube