Go to top
Marie Kraja

Marie Kraja

Lindi në Zarë të Dalmacisë më 24.09.1911  dhe vdiq në Tiranë më 24.11.1999. “Artiste e Popullit”-1962. Në moshën 6 vjeçare familja e saj vendoset në Shkodër. Në vitet 1926-1928 shkon në Austri për shkollim dhe aty në vitet 1928-1934 kreu studimet e larta në konservatorin e Gracit, në degën e kantos. Më 1938 kthehet në Shqipëri ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”. Në vijim japin koncerte në të gjitha qytetet e mëdha shqiptare si Korça, Vlora, Shkodra etj. Në këto koncerte brenda vendit, si dhe në ato jashtë Shqipёrisë si në Austri, Itali, Gjermani, Hungari e deri në Kinë, Kore e Vietnam, Marie Kraja këndoi si pjesë të pandarë të repertorit të saj këngën popullore qytetare shqiptare.  Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Midis ballit m’ke nji pikë », Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”. Për kontributin e saj në fushën e interpretimit muzikor operistik, e në veçanti atë të këngës popullore qytetare shqiptare i është dhënë titulli “Artiste e Popullit” dhe më 1996 ai i “Mjeshtrit të madh të punës”. Krahas Tefta Tashko Koços, Jorgjia Trujës- “Artiste e Popullit” (1909-1994) dhe Gjyzepina Kosturit-“Artiste e Popullit” (1912-1985), Maria Kraja ndihmoi në formimin e shkollës së interpretimit të këngës popullore qytetare nga ana e këngëtarëve lirikë.

“MIDIS BALLIT M’KE NJI PIKE”, kendon Marie Kraja. – YouTube

Spread the love
error: