Go to top
Lucie Miloti

Lucie Miloti (Shkodër, 11 Maj 1929 – Tiranë 19 Maj, 2006) “Artiste e Merituar”, këngëtare e shquar e këngës popullore qytetare shkodrane dhe asaj tiranase

Lindi në Shkodër  më 11 Maj 1929. Qysh në moshë të re këndon këngën popullore qytetare shkodrane dhe atё shqiptare nё pёrgjithёsi. Merr pjesë fillimisht në emisionet muzikore të Radio-Shkodrës, dhe më pas transferohet familjarisht në Tiranë, ku dhe studion për kanto në Liceun Artistik “Jordan Misja”, me pedagoge Jorgjie Trujën, vetëm për dy vjet. Siç thotë vetë Luçia “… sefte këndoja këngë ritmike”. Më pas këndon me grupin karakteristik shkodran të Radio-Tiranës, të drejtuar nga shumë i njohuri Paulin Pali, për të vazhduar në vitin 1950 si soliste pranë Filarmonisë Shqiptare, më 1952 pranë Estradës së Shtetit dhe më pas për t’u atashuar përfundimisht dhe për të bërë gjithë karrierën e saj pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë. Në këtë ansambël, përveç këngëve solo si “Bishtalecat palë-palë”, “N’zaman të asaj furie”, “Çu-çu-rushja”, “Çila sytë me t’pa”, “Këndon bilbili poshtë tek zalli” “Karafil i kuq si gjaku”, “Për mue paska ken kismet”, “Bishtalecat palë-palë” Luçie Miloti ka kënduar në shumë duete edhe me këngëtarë të tjerë të shquar popullore si Fitnete Rexha, Bik Ndoja “Artist i Popullit”, Xhevdet Hafizi “Artist i Merituar”, Ibrahim Tukiqi “Artist i Popullit” etj. Ndër këto këngë përmendim: “Karafili me kurorë” me Bik Ndojën;  “As aman moj Bakushe”, “Këndon bilbili poshtë tek zalli”, “Hajde moj” me Ibrahim Tukiqin; “Kur jemi bashkë ne të dy” me Xhevdet Hafizin, këngë e cila është kompozuar nga Leonard Deda me harmonizim për korr dhe orkestër nga Çesk Zadeja. Gjithashtu Luçia ka bashkëpunuar me shumë kompozitorë dhe studiues si Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Rud Gurashi, M. Xhediku etj. Pranë A.K.V.P-së ajo ka realizuar repertorin më të gjerë të këngëve të saj të cilin e ka kënduar për publikun e gjerë në gjithë qytetet e Shqipërisë ndër to edhe këngët popullore të Tiranës si « Nusja e re  moj, nusja e re », « Më shkoj lala në Tirane » etj. Luçia u shqua në interpretimin mjeshtëror të jareve shkodrane të cilat janë ndërtuar në një ambitus vokal shumë të gjerë, për të cilat sot, së bashku me Bik Ndojën konsiderohen si reformatorë të kësaj kënge. Në vitin 1968, i akordohet titulli “Artiste e Merituar” me motivacionin: “Interpretuese e rrallë e këngës popullore”. Luçia gjithashtu ka marrë edhe vlerësime ndërkombëtare duke u thirrur si: “bilbili i Ballkanit”. Ajo ka kënduar dhe regjistruar mbi 50 këngë popullore brenda karierës  30 vjeçare. Të gjitha regjistrimet e saj janë bërë pranë Radio-Tiranës. Një pjesë e këngëve janë filmuar nga RTV shqiptar dhe nga kinostudioja “Shqipëria e Re”. Në vitin 1984, në qytetin e Shkodrës, RTV Shqiptar, me regji të Osman Mulës realizon një film dokumentar televiziv, mbi jetën dhe veprën e Luçie Milotit, këngëtares që kishte në repertorin e saj rreth 500 këngë popullore. Më 3 Nëntor 2002, i jepet titulli “Mjeshtre e Madhe”, nga Presidenti i Republikës. Vdes në Tiranë në moshën 76 vjeçare dhe nderohet me homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit nga personalitete të shtetit, të artit dhe qytetarë.

“ME SHKOI LALA NE TIRANE”, kendon Lucie Miloti. – YouTube

“NUSJA E RE, MOJ NUSJA E RE”, kendon Lucie Miloti. – YouTube

Spread the love
error: