No products in the cart.
No products in the cart.
Usta Laver Bariu (Përmet, 2 maj 1929 – Përmet, 26 janar 2014), djali i Bariut, këngëtarit popullor dhe interpretuesit në llautë, tregoi që i vogël një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve apo edhe nga kallami i grurit etj. Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muzikantë të shquar popullorë për kohën, si Islami në gajde, e veçanërisht Feim gajdexhiu, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit. Rreth moshës 10-vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit, Bariut, dhe siç tregon vetë usta Laveri: “Këndonja dhe shoqëronja veten me llautë në Re”. Siç kujton ai vetë “…klarinetën e filloi në kohë të Italisë”. Babai i tij Bariu dëshironte që vëllanë e madh të Laverit, Mamanin ta bënte gërnetar, dhe për këtë i blen të famshmit Cilo Qorri gërnetën e tij të vjetër. Fshehurazi të atit, Laveri ushtrohet me gërnetën e të vëllait, i cili nuk u bë kurrë gërnetar. Ndërkohë Laveri luante në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalikë që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë “Vallen e Dados”. Shpejtësia dhe thjeshtësia e interpretimit të tij në gërnetë u ra në sy të gjithëve, veçanërisht gërnetarit të njohur popullor në Korçë, Skëndo Kuqos. Rastësia bëri që usta Hajdar Cangonji, gërnetar popullor nga Zvezda me të cilin punonte nëpër dasma i ati i Laverit, e dëgjoi duke kënduar me llautë këngën popullore “Dorën mor çun dorën, më trete si dëborën”. Megjithëse i vogël në moshë, usta Laveri iu bashkëngjit Sazeve të Hajdar Cangonjit, duke punuar nëpër dasma me “xhezban”. Ai kujton se dasma e parë ku ai interpretoi së bashku me usta Hajdarin dhe me të atin, Bariun, ishte në Vithkuq. Me ta punoi vetëm një behar. Pas kësaj formoi së bashku me vëllezërit Sulo (rreth 35 vjeç) dhe Asllan (rreth 40) nga Konica një formacion tjetër të përbërë nga Suloja në klarinetë, Asllani me def dhe usta Laveri me llautë, të cilët luanin muzikë popullore qytetare në qytetin e Korçës.
Kthehet familjarisht në Përmet në fund të vitit 1944. Aty bën përpjekjet e para për të organizuar një grup me shokët e tij të fëmijërisë, por atyre u mungonin veglat muzikore. Shkon në Korçë dhe kthehet përsëri në Përmet më 1945 së bashku me gërnetën dhe me llautën e babait. Aty takon Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth 1 vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të usta Vangjelit për në Vlorë, usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë, 1952.
Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj më 1966 regjistron në Radio Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën. Këto saze kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”. Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare. Në fakt, deri më atëherë, për një pjesë të madhe të muzikës së qyteteve repertori qe i përbashkët. Shkëputja dhe kristalizimi i shumë këngëve dhe melodive që lidheshin kryesisht me ndihmesat e muzikantëve popullorë paraardhës nga Përmeti, solli që një pjesë të repertorit të dikurshëm ta “harronin” në favor të gdhendjes së identitetit të një pjese të tij. Kjo gjë u realizua nga këto saze në bashkëpunim të ngushtë me këngëtarët më të mirë që kishte qyteti i Përmetit si dhe ata që ende vinin nga tradita e muzikës fshatare dhe pa dyshim duke shfrytëzuar traditën pararendëse që kishin formuar Sazet e Usta Mediut, Vangjelit, Gaqos, Halitit etj. Sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore të cilat kanë reflektuar para së gjithash orientimin artistik të krijuesit të tyre, usta Laverit. Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e usta Laverit si interpret (gërnetar e këngëtar) dhe krijues i shumë stilemave aq të njohura sot nga muzika popullore përmetare. Këtu përfshihen me dhjetëra hyrje këngësh, kaba, valle dhe mjaft riinterpretime të pjesëve të repertorit të vjetër të Sazeve të Përmetit.
Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë gërnetarëve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare. Ai mund të cilësohet si i fundit prej ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Në vitin 1951 ato përbëheshin nga një gërnetë, dy llauta, dy fizarmonika, për të ardhur në formacionin e tij të qëndrueshëm të vitit 1976 (e deri më sot), të përbërë nga gërneta, një llautë, një fizarmonikë, def dhe violinë. Ato janë konceptuar edhe si saze klasike, pra që vetë interpretojnë në vegla dhe vetë këndojnë, por dhe si formacion shoqërues i këngëtarëve të tjerë popullorë. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950–1980. Regjistrimet kryesore muzikore i kanë pranë Radio Tiranës, Televizionit Shqiptar dhe Institutit të Kulturës Popullore. Në prill të vitit 1994 realizojnë CD me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe CD-në tjetër e realizojnë në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi në vitin 1995 nga “Fezollari Productions Australia”. Aktiviteti muzikor i këtyre sazeve mbyllet me vdekjen e usta Laver Bariut me 26 janar 2014 në Përmet. Usta Laver Bariu u përcoll me kaba e saze nga ish-nxënësit e tij gërnetarët Josif Shukallari, Aleks Xhelili dhe Sadik Zeqiri, i nderuar nga mijëra qytetarë të Përmetit dhe dashamirës të muzikës së tij. Në vitin 2007 botohet studimi “Ustai i fundit” dhe në përvjetorin e parë të vdekjes së tij, Vasil S. Tole realizon CD-në kushtuar usta Laver Bariut.
Duhet theksuar se usta Laveri ka interpretuar disa kaba dhe kjo kaba është ndër më klasiket e interpretuara dhe pjesërisht të krijuar prej tij. “Kabaja e usta Laverit” është e tipit dypjesëshe: kaba dhe valle.
“Kabaja e Laverit” i përket llojit baritor, e cila zakonisht zhvillohet e mbështetur në lartësinë e isos të notës Fa, ku po në këtë lartësi zhvillohet edhe kthesa e valles ritmike. Në të gjejmë traditën e madhe të usta Vangjel Leskovikut dhe Medi Përmetit, por edhe veçoritë interpretuese të mjeshtrit Bariu. Tipike për këtë kaba është shfrytëzimi i regjistrit të poshtëm dhe të mesit të gërnetës, veçori që i shfaq më herët usta Jonuzi i Lamҫes në kabanë e tij. Tipike për këtë kaba është edhe përdorimi i dendur i septimës minore, e cila, edhe pse vjen nga motive vajtimore, nuk arrin ta ndryshojë natyrën baritore të saj. Usta Laveri kishte mendimin e tij për llojet e kabave që interpretonte. Kabatë në Sol ai i quante “Kaba të rënda”, ndërsa ato në Do dhe Re përgjithësisht si vajtime, labiko, e qarë. Kur ka kombinuar brenda një kabaje lartësitë e tonikës mes Sol-it dhe atyre në Do ose në Re, pjesa e Sol-it strukturohet si kaba toske ndërsa ajo e Do-së apo Re-së si labiko. Një shembull i mirë është trajtimi i shumë të njohurës “Kaba e Mediut – toske”, edhe në një variant të “Mediut labçe”. Dikur usta Laveri më ka thënë se sa herë interpretonte kaba vajtuese, ndër mend i vinin dy vëllezërit e tij të rënë dëshmorë në vitet e Luftës Antifashiste Nacional Ҫlirimtare.
Kthesa e valles është valle e shtruar vajzash, kjo sipas traditës së kabasë përmetare të krijuar nga Medi Përmeti dhe Jonuzi i Lamҫes. Usta Laveri ka përdorur tre tipa klarinetash, në Mi b, në Do dhe kryesisht në Si b. Kabanë e fundit që ka regjistruar pranë Radio Tiranës në vitin 1990, e ka interpretuar me klarinetë Mi b, së cilës i thoshte me përkëdheli “nepërkë”.
Sazet në kohën e regjistrimit të kësaj kabaje përbëheshin nga usta Laver Bari Nurka me gërnetë, Mazar Asllani me llautë, Sazan Shahini me llautë dhe këngëtar, Qemal Ponoçi me fizarmonikë dhe këngëtar, Lefter B. Nurka me fizarmonikë. Më pas, formacioni kishte në përbërje në gërnetë usta Laveri, në fizarmonikë Lefter B. Nurka, Sulejman Lame – Artist i merituar, këngëtar dhe fizarmonist, Xhelal Zeqiri këngëtar dhe llautar, Krenar Mane në dajre dhe Llazar Vangjeli në violinë.