Sazet e Jonuzit të Lamҫes nga Përmeti kanë pasur disa organizime përpara se të bëheshin formacioni zyrtar i Sazeve të Radio Tiranës. Formacioni i parë i tij ishte me bazë familjen Keko në Përmet ku ai lindi në fillim të shek. XX, me të cilët ai ka bërë edhe regjistrimet e para diskografike në fillim të viteve 1930 si dhe kabanë që është përzgjedhur në këtë botim.
Më pas, për vlerat që kishin ata u njohën si formacioni zyrtar i Sazeve të Radio Tiranës. Me këtë emër njihet formacioni i sazeve që luanin muzikë drejtpërsëdrejti në valët e Radio Tiranës, rreth viteve ’40 të shek. XX-të e më pas. Dallojmë dy organizime publike të këtyre sazeve: i pari përfshin vitet 1939–1944 dhe tjetri 1945–1955. Kjo pohohet edhe në strukturën e organizimit të Radios të këtyre viteve kur thuhet: “Përveç kësaj (orkestrinës moderne të Radios – shënimi ynë), radiostacjoni ynë disponon edhe një orqestrë-saze-vendi, nga elementët më të mirë dhe më të zotë shqiptarë, që e interpretojnë për bukuri, këngën shqiptare”[1].
Fillimisht ideja për të realizuar një disk me muzikë popullore mblodhi në Tiranë, më 1939, formacionin e parë të sazeve të drejtuara nga usta Jonuzi i Lamçes, nga fisi Keko nga Përmeti, me gërnetë. Qysh në programet e para, menjëherë pas formimit të Radio Tiranës, duke filluar nga viti 1939 e në vazhdim, do të paraqiteshin me këtë emër në rubrikën “Sazet e Radio Tiranës: valle e këngë popullore”. Në vitet ’40, në zërin “Muzikë Popullore nga Sazet e Radios”, “ç’do të Mart, të Enjte dhe të Shtun, ora 18.30”[2], ato do të luanin gjithmonë direkt për spektatorin e tyre të shumtë, një repertor të larmishëm nga gjithë hapësira etnomuzikore shqiptare. Në këto pesë vjet, pothuajse në çdo dy ditë rreth orës 18:30, “Sazet e Radios” ishin në “open air” për dëgjuesin shqiptar anë e mbanë vendit. Një pjesë e repertorit të Sazeve të kësaj periudhe u pasqyrua edhe në transkiptimet muzikore të Pjetër Dungut, të publikuara te “Lyra Shqiptare” (këngë popullore qytetare) në vitin 1940, të vjela kryesisht nga regjistrimet e Radio Tiranës dhe të mbledhura nën kujdesin e saj. Në korrik të vitit 1943, Sazet e Radios që emërtoheshin edhe si Orkestrina Popullore Toske[3] përbëheshin nga: Hysen Ibrahimi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbi dhe Ali Myslimi. Për periudhën e dytë (1944–1955) Sazet u bënë një element i përhershëm i strukturës së emisioneve kulturore. Ata dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Radios, si: grupi shkodran, orkestra e muzikës së kultivuar etj., konsideroheshin si faktorë tepër të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së emisioneve. Në vitet ’50 të shek. XX, formacioni përbëhej nga Jonuz Kona (Lamçe) ose usta Jonuzi i Lamçes, Sabri Feimi, Hysen Ibrahimi, Sadik Azbiu, Çoban Arifi dhe Ali Myslymi, shumica pjesëtarë të formacionit të parë. Krahas tyre u afruan edhe elementë të tjerë, si këngëtari i shquar i shoqërisë “Demka Hajro – Korçë”, Çoban Arifi, llautari dhe këngëtari i shumë të njohurës këngë popullore “Do marr çiftenë do dal për gjah” – Selim Asllani. Kryesisht me origjinë nga jugu i Shqipërisë, ata regjistruan në periudhën 1945–1955 një repertor të pasur si të muzikës me vegla dhe asaj vokale të Shqipërisë së Jugut. Vlera e këtyre Sazeve është shumëplanëshe. Së pari, “Sazet e Radios” u bënë formacioni i parë zyrtar i “sazeve” shqiptare të cilat afirmuan arritjet e deriatëhershme të sazeve dhe të muzikës popullore qytetare në mediumin kryesor shqiptar: Radio-Tiranën. Kjo gjë, në dukje e thjeshtë, është një nga shembujt më të mirë të vlefshmërisë së gjithëkohshme të folklorit tonë muzikor, i cili deri në këtë kohë kishte shërbyer si ndërgjegjja më e fortë e kombit. Mjeshtëria e lartë interpretuese e pjesëtarëve të saj (së bashku me atë të formacionit të muzikës qytetare shkodrane), i bëri një qëndresë të gjallë të gjithë kulturës tjetër muzikore që propagandohej në valët e Radios. Krahas gjithë vlerave të tjera të muzikës botërore, muzika popullore shqiptare nëpërmjet mjeshtërve tanë të sazeve e ripohoi identitetin shqiptar edhe në kushtet e pushtimit fashist të vendit. Kështu “Sazet e Radios” ishin një nga treguesit më domethënës të ruajtjes së tipareve kombëtare të saj. Së fundi, “Sazet e Radios” ishin formacioni që lidhi traditën e madhe të muzikës me saze të para viteve ’40, me sazet e gjysmës së dytë të shek. XX. Veprimtaria e tyre pranë Radio Tiranës vazhdoi deri në fund të viteve ’50. Formacioni i pëlqyer i tyre ishte 1 gërnetë, 1 violinë dhe 2 llauta. Pas shpërbërjes, një pjesë e tyre formoi orkestrinën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, 1957. Jonuzi i Lamҫes u nda nga jeta në Tiranë në fund të viteve 1960.
[1] “Radio Tirana”, 1 fruer 1940, f. II.
[2] “Radio Tirana”, nr. 8,9. viti 1943. Programi i Radios për periudhën 1-15 prill, f. 2.
[3] Shih: AQSH, f. 198 i Radio Tiranës, dosja 12, Ministria e Kulturës Popullore: Drejtoria për Radio e Teatër.