Go to top
Database IP me saze
Emri Përshkrimi
A.F.O-Drita:Albanian Folk Orchestra-DRITA është një orkestër e përbërë nga muziktarë amerikanë, që interpreton muzikë popullore shqiptare, kryesisht atë IP, në Amerikë. Enc. DRITA u krijua në Los Anxhelos në vitin 1982 nga Jan Price. Qëllimi i saj është që të bëjë të njohur muzikën popullore shqiptare në Amerikë. Ideja për të krijuar orkestrën, Jan Price i lindi në vitin 1968 gjatë vizitës së parë të tij në Shqipëri. Prej atij viti ai ka ardhur më shumë se 30 herë në Shqipëri, ku ka mbledhur dhe regjistruar një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë muzikore popullore shqiptare si dhe të studimeve rreth saj. Në vitin 1999 nxjerr CD-në e parë ku interpretojnë rreth 20 këngë e melodi popullore shqiptare. Ndër këngët e regjistruara në atë CD të tyre përmendim: “A kanë ujë ato burime”, “Qeraxhi i Grebenesë”, “Lule të bukura ka Tirana”, “Kaba” me gërnetë etj. DRITA përbëhet nga muziktarët Joe Carson-në çifteli dhe llautë; Joan Friedberg-në llautë, çifteli dhe vokal; Linda Levin-në vokal, çifteli dhe dajre; Letitcia Lucca-në fizarmonikë dhe çifteli; Rob Stokes-në klarinetë, gajde dhe fyell; Jan Price-në vokal, lodër, dajre dhe darabuke. Deri më tani ka dhënë koncerte në San Françisko, Nju Jork, Cikago dhe Los Anxhelos.
Baritore:mb.&e.f. Term i praktikës muzikore popullore IP. Enc. Baritore përdoret për të përshkruar muzikën popullore e cila i referohet, në intonacionet muzikore ose në tekstin poetik, jetës së bariut shqiptar. P.sh: “kaba baritore”, “melodi baritore”. Sipas Çaushit: që vë në dukje jetën e barinjve, ose në përgjithësi, skena të jetës së fshatit shqiptar. Vegla muzikore popullore më tipike që luan muzikë baritore është fyelli dhe cyla dyjare. Në Ilirinë antike hasim përdorimin e fjalës bukolik=baritor. Shiko fjalën dyjare dhe bicule.
Lit: Çaushi, Tefik “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998; Ceka, Neritan “Ilirët”, SH.B.L.U, 2000 etj.
Buzuk:Vegël muzikore popullore kordofone. Sipas Çabej: “kitarë e madhe me gjashtë tela”. Etim: Jokli (IF 44, 54 v.) e bie të ardhur nga një buz-uk dhe sheh aty refleksin shqiptar të një fjale romane që rron ndër të tjera në span; Çabej: te buzuk ka një asimilim zanoresh në distancë. Edhe bozuk. Prandaj prej turq. Bozuk “espece de guitare a six cordes”, prej nga edhe gr. E re. Dhe arom. Buzuke “sorte de guitare”. Tek “Bleta” e Mitkos del me bozuk. Enc. VK e buzukut del si emër vegle muzikore që tek vepra e Spiro Dines, gjysma e dytë e shek. XIX, kur bën fjalë muzikën popullore tek shqiptarët në kolonitë e Egjyptit. Kemi një përdorim të dendur të VK të buzukut në muzikën popullore, kryesisht si vegël solistike, dhe me daljen e sazeve (fundi shek. XIX-fillimi shek.XX) edhe në përbërje të tyre. E gjejmë të përdorur si fjalë për shkak të përhapjes dendur të tij edhe në folklorin gojor, si dhe në gjë a gjëzat.

Lit: Andriotis 221, ML VI 4679, Papahagi 300; Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj.

Cilo Qorri:(Korçë 1870 - Korçë 1944) Muziktar i shquar popullor në interpretimet në vegla popullore si fyelli, buzuku, bakllamaja dhe gërneta, në gjysmën e dytë të shek. XIX gjysma e parë e shek. XX. Enc. Cilo Qori apo i njohur edhe me emrin "Ciloja me shokët", është një ndër sazexhinjtë e shquar të sazeve të Korçës. Luante në mënyrë virtuoze në fyell, gërnetë dhe në buzuk. Veprimtaria dhe ndihmesa e tij evidentuan një pjesë të madhe të repertorit muzikor të fshatrave rreth Korçës, fushës së Korçës, Devollit e më tej. Janë tepër të njohura këngët dhe meloditë baritore të tij. Formacioni më i preferuar i veglave që merrnin pjesë në Saze ishte, 1 gërnetë, 1 fyell, 1 violinë, 1 llahutë + bakllama, 1 dajre. Repertori më I zgjedhur i tij është i regjistruar në pllaka gramafoni të "ODEON"-it në vitin 1930. Krahas Cilos, përmenden edhe Sazet e Jonuz Korçës me gërnetë. Katalogu i këngëve popullore shqiptare regjistruar tek "ODEONI" në vitet 1930-1940:
Lit: Tole. Vasil S, "Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut", Tiranë, 1998 etj.
Çakordoj:Prish bashkëtingëllimin e telave të veglës muzikore popullore. Enc. Akordimi dhe ç'akordimi i veglës, pavarësisht prejardhjes së fjalës, nuk kanë të bëjnë me tiparet e dhe formimin muzikor që orientohet prej tingullit të temperuar. Në këtë rast, pra me ç`akordim populli nënkupton faktin që telat hahen me njeri-tjetrin, që nuk kanë të rënë të mirë dhe të pëlqyeshme. Shiko zërin: akordoj.
Çallgi:

“Bandë muzikore, saze”. Etim. Çabej: prej turq. Çalgi, çalgici e cila ka shkuar dhe në të tjera gjuhë ballkanike. Në të folet e Prizrenit edhe i agjentit çallgixhi. Sokoli: në Shkodër përdoret edhe në trajtë njëjës çallgixhi. Enc: Fjalë me kuptim të dyfishtë. Në Krajë ka kuptimin e veglës muzikore me dy tela; në Kosovë: çallgi-të ose çallgi-at kanë kuptimin e orkestrinës popullore. Me këtë kuptim e gjejmë edhe tek shqiptarët e Maqedonisë. E gjejmë kryesisht të përhapur në qytetet e Gegërisë por dhe në Berat për të përcaktuar sazet.
Lit: Miklosich TEN II 92; G.Meyer 444; Mladenov 679; Papahagi 350; RMJ 529; Rilindja 22 Qershor 1974, f. 13; Sokoli. R, “Gjurmime”, Tiranë, 1981; Murtishi, Kaim. “Ladorishti, histori dhe tradita”, Strugë, 2001 etj.

Çamërishte:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Në klasifikimin e përgjithshëm të muzikës sonë popullore, muzika IP e çamëve renditet brenda tipareve strukturore të IPT, me dy dhe tre zëra. Studiuesi Stochkman mendon se vetitë pasurore të stilit të këngës iso-polifonike çame, nuk mund të mbulojnë marëdhëniet e ngushta të fqinjësisë me shumëzërëshin tosk. Shumë i njohur në Shqipëri ështe grupi çam i Rrogozhinës dhe kënga e tyre e “Çelo Mezanit”, ansambli muzikor popullor “Çamëria” me qëndër në Tiranë etj. Krahas studiuesve tanë, një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar IP çame edhe studiuesit Doris dhe Erich Stochkman. Shiko zërin studiuesit e huaj dhe muzika popullore.
Lit: Dojaka, Abaz “Dasma”, “Studime Historike”, 1966, nr. 2; Haxhihasani, Qemal “Vështrim i përgjithshëm mbi të folmen e banorëve të Camërisë”, Dialektologjia shqiptare, Nr. I, 1971, f. 118-193 dhe Nr. II, 1974, f. 13-132; Çabej, Eqrem “Studime gjuhësore” V, Prishtinë, 1975; Agolli, Nexhat “Vallja e Osman Takës”, Kultura Popullore, 1/1982, f. 121-134; Zeqo, Moikom “Një perlë e artit popullor e mbuluar nga pluhuri i harresës”, “Adriatiku”, 1988, 20 Shkurt; Kruta, Beniamin, “Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1991; Sokoli, Ramadan “Rreth vajtimeve çame”, Urtia, Tiranë, 1993, Nr. 1, f. 8; Koçollari, Irakli “Arvanitët”, Tiranë, 1994; Xhufi, Pëllumb; Isufi, Hajredin “Studime historike”, nr. 1-4, Tiranë, 1996; “Dokumente për Çamërinë” 1912-1939, Tiranë, 1999; Anxhaku, Zenel “Nëna dhe djali ne një këngë çame”, Kultura Popullore, 1-2/2000, f. 197-199; Tole, Vasil S “Odiseja dhe Sirenat”, grishje drejt viseve iso polifonike të Epirit”, Uegen, 2005 etj.
Çulli, Jorgo:(Përmet 21.04.1942 - Përmet 11.02.1990). Këngëtar i shquar popullor i muzikës qytetare përmetare IP me saze. Enc. Jorgua rridhte nga një familje përmetare me tradita në fushën e interpretimit të muzikës popullore IP zanore. Qysh në moshën 15 vjeçare aktivizohet në grupet popullore artistike të qytetit të Përmetit ku ndër të tjetra përdorte edhe veglën e fizarmonikës. Së bashku me këngëtarë të tjerë të qytetit të Përmetit nëpër aktivitete të ndryshme këndon këngë iso polifonike popullore përmetare, kryesisht në rolin e marrësit të këngës. Në shkallë kombëtare ai njihet fillimisht me interpretimin mjeshtëror të këngës “Falma synë e zi” në Festivalin Folklorik Kombëtar, të vitit 1978, me prerës këngëtarin tjetër të njohur Ilia Nasi. Ky çift këngëtarësh, majat e interpretimit të tyre i arritën me sazet e Usta Laver Bariut, ku ndër të tjera përmendim këngët “Porsi dash manare”, “Potpuri këngësh përmetare”, “Hajde dalim nga Lipa” etj. Në interpretimet e tij kishte parasysh përvojën e traditës popullore të cilën ai e njihte mirë, pasi edhe vetë Jorgua ishte edhe një mbledhës i kujdesshëm i saj. Regjistrimet e tij muzikore gjenden pranë Radio-Tiranës dhe RTV Shqiptar.
Lit: Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj.  Për më tepër shih Jorgo Çulli-Falma synë e zi (Popullore Permetare) - YouTube
Dahire:Shiko zërin dajre.
Dajre: Vegël e muzikës popullore, tambura, def. Etim. Çabej: prej turq. Daire “rreth; dajre” (kjo prej arabishtes), e cila ka shkuar në gjithë gjuhët ballkanike. Enc. Dajre-defi ka një përdorim në gjithë hapësirën etnomuzikore shqiptare. Në Jug të Shqipërisë është e ndërfutur tek formacioni IP i Sazeve, ndërsa në Veri të saj e gjejmë edhe në bashkëjetesë me vegla të tjera popullore. E gjejmë të përdorur edhe në poezinë e kultivuar shqiptare. Sipas Ali Asllanit: s’paska më mir’ valle, se këto me defe. Në varësi të timbrit dhe të përdorimit të tij në muzikën popullore shqiptare, do të gjejmë disa tipe dajresh. Një këngë mjaft e njohur popullore e kënduar në Shqipërinë juglindore quhet “Po bien tri dajre”. E gjejmë edhe si mbiemër në rastin e dajrexhiut shume të njohur shkodran të shek. XIX, Temo Dajrja. Në muzikën e kultivuar shqiptare ka një përdorim të kësaj vegle për shkak të timbrikës origjinale, në rastin e veprës për orkestër simfonike të kompozitorit Thoma Gaqi “Valle me dajre”, dhe “Kontrast” variacion simfonik të Vasil S.Toles. Tek shqiptarët e Maqedonisë e gjejmë edhe në trajtat “dahire” dhe “tagiar”.
Lit: Miklosich TE I 280, I 26, II 99, G. Meyer 59, Kraelitz- Greifenhorst 15v., Lokotsch 464, DLRM 213, Skaljic 205, Skok ER I 375, Papahagi 461 etj.
Dajrexhi:Muziktari popullor që interpreton në veglën e dajres. Enc. Si dajrexhinj të njohur duhen përmendur Krenar Mane i sazeve të Usta Laver Bariut, Përmet; Xhevit Metani i sazeve të Fierit, të sazeve të Delvinës, ai i sazeve Kuçovës etj. Kujtojmë gjithashtu se në Shkodër dajrexhinj shumë të dëgjuar kanë qënë edhe Zef Spolatria, Filip Koleka, Dush Topçia, Adem Mani. Lit: Gurashi, Kolë, Sheldia. Gjush. “Ahengu shkodran”, alamanaku “Shkodra”, 1961, nr. 1, fq. 210 etj.
“Demka & Hajro”:“Demka & Hajro”, Babë e bir, këngëtarë të shquar të sazeve të Korçës të viteve 1920-1940 dhe interpretues virtuozë në violinë. Enci: I pari është Hajroja me violinë (babai i Demkës), dhe para tij ishte i jati i Hajros-Ibrahimi me violinë. Hajroja hodhi i pari farën që brenda familjes së tij të mbinte shoqëria e sazexhinjve “Demka & Hajro”. Vitet intensive të veprimtarisë së Hajros si sazexhi përfshihen ndërmjet 1890-1920, së bashku me Qamilin e Famës, Arifin me llautë dhe këngëtar etj. Përveç krijimit të shoqërisë “D&H”, Hajros i njihet edhe krijimi dhe interpretimi i “Të qarës së Hajros” apo “Kabaja e Hajros”, e cila mbahej si himn i asaj kohe. Hajroja vdiq më 1920. Të tre djemtë e tij, Një ndër tiparet më dalluese të repertorit muzikor të sazeve të këtij qyteti për këtë periudhë, ka qënë mbizotërimi i repertorit muzikor me vegla në krahasim me atë vokal. Ky fakt e ka një shpjegim, i cili lidhet me traditën muzikore pararendëse në fushën e veglave muzikore popullore, e po aq me interpretuesit e saj të shquar të cilët e kishin kultivuar këtë orientim. Në këtë kohë në Korçë, përveç formacioneve të sazeve përmenden edhe shumë interpretë të tjerë të shquar në vegla popullore si bakllamaja, llauta, fyelli. Ndikimi i muzikës me saze të qytetit të Korçës si dhe në përgjithësi i sazeve të jugut, do të konstatohet më vonë edhe në interpretimet e këngëtarëve lirikë si Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko apo dhe të kompozitorëve si Thoma Nasi, Kristo Kono etj,.duke filluar me Demkën, Shefkën dhe Rushanin, u bënë sazexhinj të njohur të viteve 1920-1950. Demka renditet ndër më të shquarit sazexhinj të qytetit të Korçës (1920-1950). Vazhdoi traditën e të gjyshit dhe babait të tij, dhe së bashku me sazet e Cilo Qorit sollën ndikimin më të fuqishëm për konsolidimin e muzikës popullore qytetare korçare. Ishte aq i njohur për vlerat e tij saqë shoqëria “D&H” u bë formacioni i parë popullor që mori pjesë në një dasmë mbretërore, siç ishte dasma e Mbretit Zog. Po me sazet, Demka gjatë një turneu në Itali në vitin 1938, zgjoi interesin e shoqërive diskografike italiane dhe afirmoi veten si një virtuoz i llojit të tij. Ky është tregues i një cikli të plotë që tradita të përcillej më tej. Në vitet ’20 Demka ka patur në sazet e tij Xhemal Gajden nga Përmeti me violinë, Qamilin e Famës me gërnetë, Kiço Podën, Malkën, Qerimenë me dajre dhe këngëtare, Sherifin me llautë etj. Në vitet 1930-1940 vërejmë zëvendësimin e brezit të vjetër dhe daljen e të rinjve si Skënder Xhelin me gërnetë, të pasuar nga fëmijët e shumtë të Demkës, ndër ta përmendim Sazanin dhe Abazin me fisarmonikë, etj. Atyre siç thuhet në popull: babai “U kishte futur në gjak muzikën”. Me sazet, Demka aktivizohej kryesisht nëpër dasma dhe në lokalet qëndrore të Korçës. Regjistrimet diskografike i kanë bërë kryesisht pranë “ODEON-it”, por një pjesë e tyre ka qënë regjistruar edhe pranë Radio-Tiranës dhe më vonë tek Radio-Korça …Demka vdes në vitin 1947. Regjistrimet e shoqërisë “Demka & Hajro”-Korçë realizuar pranë “ODEONIT”:
Devolliçe:Mënyrë e këngëtimit të këngës popullore IP. Enc. Devolliçe nënkupton se vallja, melodia ose kënga iso-polifonike e ka mënyrën e interpretimit dhe origjinën nga zona etnokulturore e Devollit. Sipas F. Nolit: edhe vallet e devollinjve, edhe ato të evgjitkave të Tiranës, edhe ato që kam parë në fshatin tim janë me të vërtetë valle të klasit të parë. Këngëtari i parë i njohur në shkallë kombëtare për interpretimin e këngës devolliçe, i regjistruar ka qënë Bane Vranishti (Vranisht, 1890- † Vranisht, 15. 03. 1966). Sipas D. Agollit: kur i dëgjon disqet e atyre viteve, zëri i Banës të kujton zërin e Beniamino Xhilit (Gigli). Trashëgimia e këngës dhe valles devolliçe është regjistruar në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, në nëntor 1964. Grupi iso-polifonik i këngës devolliçe përbëhej nga shumë të njohurit muziktarë të familjes Kondi: Bane Vranishti, Novruz Kondi, Ali Kondi, Selami Kondi, Muhamet Veli Spaho(1933), vëllezërit Gegolli etj. Ndër valltarët e njohur të valles devolliçe përmendim Safet Zeqir Kutrolli (Kapshticë 15.06.1915- † Shepperton Australi 21.05.1974), Novruz Kondi (Vranishti) (1922- †1977), Eth`em Xhafer Muzikanti (1900- † 1977), Hajdër E`themi (1928- †1973), Xhevdet Cenollin etj. Ndër gërnetistët përmendim Muhamet Veli Spaho (1933), Gani Mullamake (1945), Refki Taho (1933), Sefedin Çiço (1934- † 2003), Hajdër Cangonjin, Veli Bitincka etj. Ndër fyelltarët përmendim Avni Mehmet Hoxhën, Enver Plakën etj. Një këngëtar tjetër shumë i dëgjuar i të kënduarës devolliçe, pas viteve 1980 edhe këngëtari tjetër i iso-polifonisë devolliçe Endri Fifo etj. Lit: Noli, Fan S “Vepra 6”, Tiranë, 1996; Kondi, Ali “Interpretues të këngës dhe valles devolliçe”, Tiranë, 2004.
Dropullitçe:Mënyrë e interpretimit të muzikës popullore iso polifonike. Enc. Dropullitçe nënkupton faktin se kënga, vallja ose melodia iso polifonike e ka burimin dhe origjinën nga zona etnokulturore e Dropullit, e banuar nga minoriteti grek në Shqipëri. Në pikëpamje gjeografike dhe etnokulturore kemi zonën e Dropollit të Poshtëm me fshatrat: Dervician, Goranxi, Vanistër, Haskovë, Dhuvjan, Sofratikë, Terihat, Goricë, Frashtan, Lugar, Grapsh, Peshkëpi e Sipërme dhe e Poshtme, Vllaho Goranxi dhe Glinë; kemi zonën e Dropullit të Sipërm me fshatrat: Jergucat, Zervat, Bularat, Bodrishtë, Kërë, pepel, Selo, Klishar, Krioner, Vrisera, Vollinë, Llovinë, Sotirë, Llongo, Koshovicë, Ajnikollë, Kakavije dhe Radat; kemi zonën e Pogonit me fshatrat: Poliçan, Skore, Sopik, Opsallë, Catistë Mavrojerë dhe Hllomo. Në zonën e Dropullit konstatojmë muzikën iso polifonike me disa zëra dhe atë me saze. Nga grupet e shquara iso polifonike përmendim grupet e burrave të Poliçanit, Goranxisë, Ajnikollës, Koshovicës, atë të grave të fshatit Sotirë, si dhe këngëtarët Llaqi Haxhi, Pilo Hashoti, Raqi Rexho, Jorgo Shendi, Persefoni Simo, Efterpi Gaco, Ollga Malo, Elpiniqi Goga, Polikseni Iso etj. Në mënyrë të veçantë kujtojmë vallet dropullitçe ( si Pogonishte, Karaguna, Gajtanaqi etj), të cilat janë shumë e njohur edhe si koreografi edhe si melodi në mbarë Shqipërinë, në të dy format e tyre, si valle të kënduara dhe tek ato me saze. Muziktarë shumë të dëgjuar të muzikës popullore iso polifonike dropullite me saze janë mjeshtrat e sazeve të familjes Mastora, gërnetisti Jorgo Gjiza, violinisti Zoi Gjiza etj. Ndër studiuesit etnomuzikologë të minoritetit grek përmendim në mënyrë tëveçantë Kosta Lolin. Shiko zërin Loli Kosta. Lit: Çuko, Pano “Këngëve popullore”, rev. “Ylli”, 1964, nr. 11, 12; Loli, Kosta “Veçori muzikore të valleve të minoritetit grek”, “Skena dhe ekrani”, 4/1985; Kasoruho, Naxhi “Gjirokastra e festivalit”, Tiranë, 2000; Kasoruho, Naxhi “Mes këngëve dhe valleve të Dropullit”, Toena, 2003; Loli, Kosta “Kaba dhe Avaze”, Janinë, Greqi, 2003 etj.
Dhjoli: Fshm. “sazet”. Etim: G.Meyer: Huazim dialektor (kryesisht i toskërishtes) prej it. Violine. Çabej: edhe në shqipen vjoli e joli fshm. Pranë dhjoli-ve. Huazim modern violinë, prej it. Violino. Mund të ketë hyrë drejtpërdrejt prej italishtes e venecianishtes. Enc. Ka një përdorim shumë të gjerë në muzikën popullore, kryesisht atë qytetare, si në veri ashtu edhe në jug të Shqipërisë. E gjejmë edhe në folklorin gojor, si në poezi ashtu dhe në përallat: Miti la një porosi,/ të më qani me dhjoli...(Përmet). Në përrallën “Satohirua dhe Violinisti”: “Dhjolixhitë s`u binë dot dhjolive, se i verboi”. “Unë- i tha ay – s`dua gjë kafshë tjetër po vinj t`u bie një herë dhiolivet në shtëpi të saj edhe ta zë një çikë nga dora...Porsa erdhi kyj u ra dhiolivet kaqë mirë sa ajo çupa fjeti dhe kopilja dremiti”. Lit: Sokoli, Ramadan “Violina dha pararendësit e saj në traditën popullore”, “Kultura Popullore”, 1990, nr. 1; Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj.
Dhjolixhi:Muziktari popullor që luan në veglën e dhjolisë. Enc. Muzika popullore shqiptare evidenton shumë muziktarë të shquar popullorë në këtë vegël. I pari muziktar i shquar në violinë përmendet Kralo Berati e pas tij Ndrekë Gjon Teneqeja së bashku me Marko Kralin, të dy dhjolixhinj të ahengut shkodran të gjysmës së dytë të shek. XIX. Dhjolixhinj të dëgjuar kanë qënë edhe Filip Muzhani (Shkodër 1892- †1953), Hafize Leskoviku e sazeve të Leskovikut (fillimi i shek. XX); Muharremi i sazeve të Korçës; Riza Nebati-Berat; Bido Hajro-Korçë; Kola i Qorres-Shkodër; Xhemal Muzikanti i sazeve të Përmetit (gjysma e dytë e shek. XX); Çerçiz Mehmeti i sazeve të Përmetit; Ethem Qerimi, Aurel Qirjo i sazeve të Lulushit-Korçë etj. Për dhjolixhinjtë kemi dhe përallën më të njëjtin emër. Shiko zërin dhjoli. Lit: Gurashi, Kolë; Sheldia, Gjush “Ahengu shkodran”, alamanaku “Shkodra”, 1961, nr.1 fq. 210; “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar”, Vol. I, Tiranë, 1961; Qirjo, Aurel “Iso-Polifoni me saze-valle e kaba me violinë”, CD, Tiranë, 2006 etj. Për më tepër shih Mjeshtrit violinistë – Odea Academy (odeacademy.org)
E:Zanore mbi të cilën mbahet zakonisht isoja në këngët iso-polifonike të Shqipërisë së Jugut. Në këngë të tjera iso-polifonike, konstatojmë se isoja mbahet pjesërisht gjatë këngës edhe në zanoret e tjera si: ë, i, u, a.
Epirote:Fjalë e praktikës muzikore popullore. Enc. Epirote nënkupton faktin se melodia me vegla ose kënga popullore IP e ka origjinën nga Epiri. Lit: Mid’hat Frashëri “Çështja e Epirit”, Tiranë, 1998; Thycydides (460?-40? B.C), “The Peloponesian War”, 2 vol. University of Michigan Press 1959; Strabo, (63BC-AD 19), “The nations of Epirus are Pelasgic” tek “The geography of Strabo”, 3 vol. London 1889; Pliny, “Natyral history”, 10 vol, London 1947; P. Wisowa, “Real- Ecyclopedie der classichen Altertums-wissenschaften”, s.v. Epirus, Stuttgard 1894-1948; H. Treidler, “Epirus im Altertum”, Leipzig 1917; D. Mustilli, “Gli Iliri nell’Epiro” tek “Le terre albanesi redente II, Ciameria”, Roma 1941; Emanuele Polito “I Musachi di Berat”, “Storia e genealogia della famiglia Musachi, scritta da Giovanni Musachi Despota d’Epiro”, Italy 1996; Sami Frashëri, “Shqipëria, ǒka qënë, ǒ është, e ç’do të bëhet”, Tiranë 1924; “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vol I, Tiranë 1965; Edvin E. Jacques, “The Albanians, An Ethnic history from prehistoric times to the present”; Hasan Ceka, “Në kërkim të histories ilire”, kap. “Përputhje onomastike ilire-epiriote”, “Epiri në kohë të lashtë” , “Historia politike e Epirit” dhe nën kap. “Kultura”; “Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë”, Tiranë 1962; “Dokumente të shek. XVI-XVII për historinë e Shqipërisë”, Vol. I, Tiranë 1989; Vol. II, Tiranë 1989; Vol. III, Tiranë 1989; Vol. IV, Tiranë 1990; Arben Puto, “Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha”, 1912-1914; Pëllumb Xhufi “The ethnic situation in Epirus during the middle ages” tek “Studia Albanica”, nr. 1-2, Tiranë 1994; Dhimitër S. Shuteriqi “Naim Frashëri”, Tiranë 1982; Dhimosten Budina, “Përkatësia etnike ilire e fiseve epirote”, tek “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë 1969; Edith Stickney, “Shqipëria Jugore ose Epiri i Veriut në Çështjet Europiane Ndërkombëtare, 1912-1923”; Hasan Ceka, “Në kërkim të historisë ilire”, Tiranë 1998; Aleksandër Sipçeviq, “Interpretime albanologjike”, Shkup 1994; Kristo Frashëri, “Trojet e shqiptarëve në shek. XV”, tek “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, Tiranë 1982, Tole Vasil S, “Mbi origjinën iliro-epirote të polifonisë”, tek “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, Tiranë 1999; Ceka Neritan, “ILIRËT” etj.
Evgjiçe:Fjalë e praktikës muzikore popullore iso-polifonike.Enc. Me evgjiçe kuptohet se mënyra e interpretimit të këngës, melodisë apo valles popullore iso-polifonike bëhet sipas mënyrës së evgjitëve. Roli dhe kontributi i muziktarëve popullore evgjitë, ka qënë shumë i rëndësishëm në konsolidimin e traditës muzikore IP me saze të qyteteve të Shqipërisë Jugore si Leskoviku, Përmeti, Vlora, Korça dhe Berati. Evgjitët njihen si mjeshtra të interpretimit në veglat muzikore popullore dhe ato të temperuara të sazeve, si gërneta apo violina.
Familja e muziktarëve popullorë Mata, Berat:Familje e njohur muziktarësh popullorë nga qyteti muze i Beratit. Enc.Në fillim të viteve 1900, familja e muziktarëve popullore Mata lëvizin nga Përmeti dhe ngulen në Berat. Fillesat e Matave si muziktarë i gjejmë tek Idriz Mata, babai i Isufit, i cili konsiderohej si një këngëtar popullor në zë i muzikës IPT. Ai luante mjeshërisht edhe në veglën e violinës dhe gërnetës. I biri i Idrizit, Isufi, mësoi qysh i vogël të luante me veglat muzikore. Thuhet se me sazet e tij, luante muzikë edhe në Greqi, Turqi, Rumani, Maqedoni, etj. Në qytetin e Beratit, ai bënte aheng në lokalin e Shebib Selmanit, të cilin e kishte krushk.. Këtë pasuri muzikore Isuf Mata ia kultivoi që në fëmijëri djemve të tij. Isuf Mata deri sa vdiq në vitin vitin 1945, mundësoi që nga gjithë pasardhësit e tij të lidheshin ngushtësisht me muzikën. Isufi la djemtë e tij muziktarë: Myslymin, Qemalin, Mehmetin dhe Flamurin, dhe fëmijët e tyre, shumica muziktarë popullore dhe veglabërës.
Fustan: Pjesë e vogël e veglës muzikore popullore të llahutës. Enc. Quhet e tillë për shkak të ngjashmërisë me fustanellën e cila siç dihet është veshja kryesore popullore e zonës iso-polifonike, për burrat.
Gërnetë:Shiko fjalën kërnetë-klarinetë. Enc. Gërnetë është fjala popullore për veglën e klarinetës. E gjejmë të përdorur gjerësisht në folklorin gojor: Dasm' e madhe me miq shumë,/po ia bën gërneta gum. (Lapardha, Berat)
Gërnetaxhi:Muziktari popullor që luan në veglën e gërnetës. Enc. Në interpretimet në gërnetë janë shquar një sërë muziktarësh popullore duke filluar që prej fillimit të shek. XX. Ndër ta përmendim: në Shkodër, Gjokë Saraçi, Gjon Gjo Kola, Adem Boriçi, Kolë Tafili, Ndoc Kumria, Xhevat Boriçi; në Leskovik, Selim Leskovikun, Gaqo Lenën; në Përmet, Medi Përmetin, Vangjel Leskovikun, Laver Bariun; në Vlorë, Bilbil Vlorën; në Tiranë, Remzi Lelën (Çobanin); në Korçë, Novruz Nuren (Lulushin); në Pogradec Jashar Kovaçin; ne Delvine, Tuli Barjamin; në Berat Sybi Beratin, Jorgo Gjiza, Jorgo Mastora dhe Vasil Mastora-Dropull, Demir Sulejmani e shumë të tjerë. Enc. Në interpretimet në gërnetë janë shquar një sërë muziktarësh popullore duke filluar që prej fillimit të shek. XX. Ndër ta përmendim: në Shkodër, Gjokë Saraçi, Gjon Gjo Kola, Adem Boriçi, Kolë Tafili, Ndoc Kumria, Xhevat Boriçi; në Leskovik, Selim Leskovikun, Gaqo Lenën; në Përmet, Medi Përmetin, Vangjel Leskovikun, Laver Bariun; në Vlorë, Bilbil Vlorën; në Tiranë, Remzi Lelën (Çobanin); në Korçë, Novruz Nuren (Lulushin); në Pogradec Jashar Kovaçin; ne Delvine, Tuli Barjamin; në Berat Sybi Beratin, Jorgo Gjiza, Jorgo Mastora dhe Vasil Mastora-Dropull, Demir Sulejmani e shumë të tjerë.
Lit: Gurashi, Kolë Sheldia, Gjush “Ahengu shkodran”, tek alamanaku “Shkodra”, 1/1961, fq. 210; Tole. Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj. Për më tepër shih Mjeshtrit gërnetarë – Odea Academy (odeacademy.org)
Gorarçe:Term i praktikës muzikore popullore. Enc. Me gorarçe kuptohet se kënga, vallja apo melodija me vegla është nga krahina e Gorës. Shumë e njohur nga folklori muzikor I Gorës është vallja gorarçe.
Grinden zërat:Shprehje e praktikës muzikore popullore. Enc. Grinden zërat nënkupton që nuk ka unitet të zërave gjatë interpretimit të këngës popullore iso-polifonike. E gjejmë të përdorur në Labëri.
Gjemenxhe:Lloj violine popullore. Enc. Si fjalë e sjell i pari Mitkoja tek “Bleta”. E gjejmë përdorur edhe në folklorin gojor: Tin’ o Leskovik i shkretë,/delnie hapni penxheretë,/se vjen Hajroa vet’ i tretë,/sjell bozuk’ e gjemenxhetë. Si fjalë lokalizohet e përdorur në Leskovik dhe Përmet.
Lit: Mitko Thimi, “Vepra”, Tiranë 1981 etj.
Iso polifonia:IP është dukuria bazë muzikore në Shqipërinë e Jugut, e cila ndërtohet mbi parimin e këndimit të një apo disa zërave të ndryshëm solistikë, mbi një shtrat isoje të kënduar nga grup këngëtarësh. Sipas F. Konicës: vetë këngët janë të trishtueshme dhe monotone, por janë shembull i vetëm i muzikës së vjetër folklorike me pjesë të ndryshme këndimi, derisa në vende të tjera këngët popullore këndohen me harmoni. “Këngët rëndom ndahen në tri pjesë: derisa dy burra këndojnë me zëre krejtësisht të ndryshëm, ndonëse gjithsesi të ndërthurur, grupi ia mban një sostenuto-je të ngjashme me point d’orgue”. Shiko dhe iso, iso polifonia dy, tre dhe katër zërëshe, toske iso polifonia, labe iso polifonia etj.
Lit: Konica, Faik “Vepra 2”, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, kap.IV, “Populli shqiptar: tipare të jetës dhe të karakterit të tij”, f. 207, Prishtinë, 1997. Për më tepër shih Polifonia me iso, documentary. - YouTube
Iso polifonia tre zërëshe:Formë e iso-polifonisë shqiptare. Enc. Iso-polifonia tre zërëshe është mbizotëruese në repertorin iso-polifonik popullor të fshatrave të Shqipërisë së Jugut, apo e njohur si iso-polifonia vokale, dhe ajo qytetare e shoqëruar me saze. Kjo është forma bazë e shfaqjes së polifonisë sonë, ku zërat janë të individualizuar jo vetëm në pikëpamje melodike, por ata kanë edhe përcaktimet e tyre kuptimplota për rolet që kryejnë. “Marrësi”, “prerësi” së bashku me ison, formojnë trion e përveçme të personazheve të polifonisë sonë vokale. Duhet theksuar se iso-polifonia tre zërëshe në pjesën më të madhe të rasteve është e kënduar nga burrat. Tendencat e sotme e sjellin atë edhe në forma mikste, por tre zërëshi polifonik tradicional është tre zërësh burrash. Kjo formulë origjinale e polifonisë sonë u trashëgua edhe në muzikën popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut, apo siç njihet ndryshe në muzikën iso-polifonike me saze. Tejbartja dhe respektimi i kësaj formule në një terren tjetër (në terrenin e një formacioni qytetar me vegla), ishte ai që përcaktoi qartë sa vijueshmërinë e konceptimit popullor mbi kompozimin e parametrave teknike, aq dhe sigurimin dhe zhvillimin e formulës gjenetike të shprehjes sonë muzikore tradicionale, me mjete të tjera. Që këtej e tutje (fundi i shek. XIX fillimi i shek. XX), gërneta-gërnetisti = marrësi, do të ishte zëri i I (ose ai që “ja thotë”, “ja nis”, “e merr”), violina-dhjolixhiu = prerësi, zëri i II (ose ai që “ja pret”, “ja kthen”, “e thyen”, “ja mban”, “që e merr pas”), dhe llauta me shumë tela-llautari do të zëvendësonte ison masive (në rolin e atyre qe “ja mbushin” “që mbajnë zënë”), kjo e shfaqur si skema e përgjithshme e organizimit të tyre. Në këngën qytetare me saze do të konstatojmë një barazpeshë të sekseve në të kënduarin e repertorit polifonik qytetar. Sot vërejmë krahas polifonisë vokale edhe simotrën e saj, iso-polifoninë me saze, e cila është dukuria më bashkëkohore dhe më e zhvilluar e polifonisë popullore shqiptare. Nga muzika tre zërëshe qytetare me saze do të përmendnim shumë të njohurat muzikë qytetare përmetare, korçare, leskoviqare, vlonjate, delvinjote etj. Gjithashtu tre zërëshi vokal iso polifonik vazhdon praktikimin dendur të tij në pjesën më të madhe të Toskërisë dhe të Labërisë. Ndër zonat më karakteristike të tre zërëshit polifonik vokal të fshatit do të veçonim polifoninë e Skraparit, Gramshit, Devollit, Gjirokastrës, Kolonjës, Sarandës, Vlorës etj. Sipas Sokolit: gjatë studimit të veçorive të tre-zërëshit polifonik është vënë re kumbimi i brendshëm i zërit të disa këngëtarëve të Shqipërisë juglindore kur ja kthejnë me grykë në këngët polifonike me iso; në këtë rast kemi të bëjmë me një farë "jodelli" shumë karakteristik. Do të theksonim gjithashtu se iso-polifonia 3 zërëshe është pjesë përbërëse e rëndësishme edhe e folklorit koreografik. Bashkekzistenca e polifonisë me folklorin koreografik është një nga format origjinale të bashkëjetesës së muzikës popullore polifonike me koreografinë popullore, si shprehje e lashtësisë së saj. Ashtu siç gjejmë në ndërtimin tipik të polifonisë marrësin, prerësin dhe ison, ashtu do të konstatojmë edhe në këtë tip të krijimtarisë koreografike këtë strukturë të ngjashme. Në këtë rast, është polifonia e cila ka sugjeruar me strukturën e saj të ndërtimit edhe strukturën përkatëse të valles popullore. Në një fjalë të urtë e cila për të transmetuar mesazhin e saj ka përdorur të dhënat strukturore të valles IP thuhet: "Vallen nuk e lot mirë ay që e heq, po ay që ia mban".
Iso polifonia katër zërëshe:Formë e iso-polifonisë shqiptare. Enc. Iso-polifonia 4-zërëshe konstatohet vetëm në folklorin muzikor lab. Themi kështu, pasi ajo formë e të kënduarit katër zërësh që hasim në iso-polifoninë toske të Skraparit, nuk ka arritur deri më sot të strukturojë një zë të katërt të plotë ashtu si në iso-polifoninë labe. Sipas Shitunit: nëse tradicionalisht, më e përhapur ka qënë polifonia trizërëshe, në ditët tona popullaritet më të madh është duke fituar polifonia katërzërëshe. Në strukturë, 4-zërëshi lab reflekton të njëjtat tipare si tre zërëshi, por me një zë +. Ky është "hedhësi" i cili është karakteristik për këngët polifonike të Gjirokastrës, të bregut të detit dhe Himarës, aq të njohura nëpërmjet interpretimeve të grupit polifonik të Xhevat Avdallit dhe Neço Mukos. Deri më sot është pranuar se Neço Mukos i njihet edhe konsolidimi i zërit të "hedhësit" në këngët polifonike të Bregut. Sipas Krutës: ky lloj hedhësi nuk ndjehet në zona të tjera të Labërisë, kemi të bëjmë këtu me një dukuri të rëndësishme e cila duhet të jetë produkt i një njeriu të mësuar dhe ka të ngjarë të jetë këtu Neço Muko (Marioti) që kreu qoftë dhe me intuitë këtë eksperiment sa të thjeshtë në dukje aq edhe interesant në çështje të tingëllimit të polifonisë dhe jo vetëm të asaj të Bregut të Detit por edhe të polifonisë labe në përgjithësi. Në fakt, roli i hedhësit në këngën labe nuk është një dukuri e re. Është e vërtetë se Neço Muko evidentoi nëpërmjet regjistrimeve në vitet '30 të shek. XX disa tipe këngësh katër zërëshe me rol shumë të zhvilluar të hedhësit, por kjo nuk është arsye e mjaftë për të thënë se si strukturë "hedhësi" nuk ndjehet në zona të tjera në Labëri. Shembujt muzikorë që provojnë ekzistencën e këtij tipi mund të jenë disi më të mëvonshëm, por e rëndësishme është të theksohet se stilema e tij muzikore gjendet rëndom në folklorin muzikor. Një vend shumë të rëndësishëm në këngën katër zërëshe polifonike zë edhe polifonia e qytetit të Gjirokastrës me“marrës”, “prerës”, “hedhës” dhe “iso”. E konsideruar si “këngë pleqërishte”, në të do të konstatojmë një mënyrë shumë të vjetër të kënduari. Ajo që e bën shumë interesante polifoninë katërzërëshe të qytetit të Gjirokastrës është e lidhur me faktin se kënga polifonike vokale ka qënë dhe mbetet alternativa kryesore e muzikës popullore qytetare gjirokastrite. Në ndryshim nga masivi i këngës labe i cili shfaqet më shumë vertikal se sa horizontal, kënga polifonike e qytetit të Gjirokastrës zhvillon dhe shfaq iso-polifoninë më horizontale në gjithë Labërinë. Me sa duket, përsosja e këngës fshatare përreth Gjirokastrës prej të cilës buron kënga qytetare Gjirokastrite, ka ardhur së bashku me rritjen dhe zhvillimin e vetë banorit të Gjirokastrës. Ndryshe dhe si asnjë qytet tjetër, muzika popullore qytetare gjirokastrite nuk pranoi futjen e veglave muzikore muzikore-sazet, siç ndodhi në 99% të qyteteve shqiptaro jugore, por përsosi këngën polifonike të traditës gjë që e vazhdon edhe sot.
Iso polifonia dhe pentatonika:Enc. IPL, IPT dhe pentatonika janë një binom i pandashëm i muzikës popullore jugore. Sigurisht që llojet e pentatoneve që qëndrojnë në bazë të kësaj melodike janë të ndryshme, pasi vetë praktika tregon se brenda polifonisë do të konstatojmë të gjithë tipologjinë pentatonike të llojit duke përfshirë edhe shfaqjet prepentatonike. Edhe sipas studimeve të deritashme jonet e polifonisë sonë popullore shtjellohen ma fort në shkallë të gjymta prej 2-3-4 ose 5 tingujsh (dy-tri-tetra-ose pentatonike) dhe se pjesa dërrmuese e këngëve si të trevës toske, ashtu të trevës labe shtjellohet në mode prepentatonike dhe pentatonike anhemitonike. Për mendimin tonë nuk janë të sakta pohime të tilla se strukturat tonale të përdorura nga çamët shfaqin një varietet ngjyrash të cilat nuk gjenden tek toskët, të cilët mbështeten tek strukturat pentatonike. Tashmë bindshëm është provuar se, iso-polifonia çame është pjesë e iso-polifonisë toske dhe strukturalisht ndërtohet mbi stilemat melodike të pentatonikës. Ajo ç’ka duhet theksuar lidhur me zërat e këngës iso polifonike dhe melodikës pentatonike të tyre është pasuria e madhe e kombinimeve melodike mes notave të shkallës pentatonike, e po aq tendenca e zgjerimit të të shprehurit melodik të shumëzërëshit me tejkalim të tipareve të melodikës karakteristike të shkallës pentatonike. Në realitetin e sotëm muziko-folklorik shqiptar, pentatonika bindshëm mbetet si veçoria më e dukshme e ndërtimit melodik të polifonisë sonë, megjithëse praktika dhe zhvillimi normal i iso-polifonisë jugore ka sjellë edhe ndonjë tendencë të kalimit drejt modeve anhemitonikë. Kur e konstatojmë këtë, zgjerimi i pentatonikës është i dyanshëm, së pari si pasurim i të shprehurit melodik dhe së dyti si prirje për të ndryshuar tiparet e tij. Ne do t'i referohemi shkallës pentatonike dhe nënsistemeve të saj që buron prej konceptit të rradhës gjeneruese të kuintave, kjo sipas Brailout. Lit: Fan Noli, "Vepra 6", Tiranë, 1996, fq. 593.
Kaba:e.f., koncerti me vegla i muzikës IP me saze. Etim. Sokoli R: nga arab. “Khaba” quhen në arabishte pjesët instrumentale, që shtjellohen me lëvizje ritmike të gjallë si Vrapi i kuajve. Në Bullgarishte me këtë emër quhet një tip Zurnaje”. Enc. Tek “Fjalori i Gjuhës së sotme shqipe”: Kaba,~ja f. Sh.~, ~të muz. Iso me zë të lartë. Mbaj kaba. Pjesë muzikore popullore, e shtruar, që luhet zakonisht me gërnetë ose me violinë. Kaba përmetare. Kaba me gërnetë (me violinë me dajre). Ja mori një kabaje. Si mb. I trashë, që i ngjet basit. Zë kaba etj. Kabaja e luajtur me gërnetë apo me violinë, është llojformimi më i plotë e i përkryer në muzikën popullore IP me vegla të Shqipërisë Jugore, që mund të krahasohet fare mirë me koncertin instrumental të muzikës së kultivuar. Ajo është njëkohësisht gjini e formë muzikore, e individualizuar dhe autentike, që shoqërohet me veçori muzikore që ndryshojnë sipas zonave etnokulturore. Në një lloj kuptimi edhe vetë kabaja është pasqyrim i lindjes dhe zhvillimit të muzikës popullore IP jugore dhe në veçanti i përsosjes së kësaj gjuhe muzikore. Sipas një vëzhgimi të bërë rezulton se kabaja luhet me fyell, gërnetë, violinë, gajde, buzuk, tambura dhe pipëz. E lidhur ngushtë me formacionet tradicionale popullore, e ato të mëpastajme (sazet), kabaja përfaqëson sot thelbin e repertorit muzikor popullor iso-polifonik. Ajo çka mund të themi është se Kabaja nuk është një llojformim i ri. Origjinën e saj në planin tematik do ta konsideronim dyburimëshe: 1. Me origjinë nga muzika me vegla tradicionale. (një pjesëshe); 2. Me origjinë nga një pjesë e muzikës popullore iso-polifonike vokale e traditës. Kabaja si formë e ekzistencës së iso-polifonisë në formacionet muzikore me vegla u përsos nga sazet e Shqipërisë së jugut qysh në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX e deri më sot. Në këto 100 vjet njihen fare mirë kabatë me gërnetë në C të Selim Leskovikut, Medi Përmetit, Vangjel Leskovikut (të gjysmës së parë të shek. XX), si dhe ato me gërnetë në Sib të Usta Laver Bariut, Remzi Lelës, Lulushit në gjysmën e dytë të shek. XX. Në formën e Kabasë, konstatojmë edhe dukurinë kompozicionale të fraktusit, i cili bashkohen shpesh jo vetëm materiale të ndryshme që rrjedhin prej muzikës popullore vokale apo asaj me vegla, por edhe materiale muzikore që u përkasin zonave etnomuzikore relativisht të ndryshme, siç janë Toskëria me Labërinë. Fraktal është një term i zbuluar nga matematikani i lindur në Poloni, Benait Mendelbrait. Termi vjen nga latinishtja “fractus” që kupton diçka të thyeshme ose më mirë të çrregullt. Tek Kabaja hasim edhe dukurinë e iso polifonisë së fshehur, brenda linjës melodike të gërnetës. Shiko dhe iso polifonia e fshehur.
Lit: Loli, Kosta “Kabaja, “Pararoja”, 7 Shkurt 1976; Loli, Kosta “Vështrim mbi Kabanë si formë e polifonisë popullore instrumentale”, “Nëntori”, nr. 6, viti 1977; Sokoli, R. “Gjurmime folkorike”, Tiranë, 1981; Miso, Piro “Format e polifonisë instrumentale në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me polifoninë vokale”, “Kultura Popullore”, 1/1990; Loli, Kosta, “Polifonia në formacionet popullore instrumentale të Shqipërisë së Jugut”, tek “Kultura Popullore”, nr. 1/1991; Tole, Vasil S. “Aspekte historike në evolucionin e muzikës popullore me vegla të Shqipërisë së Jugut”, Disertacion, Biblioteka e Akademisë së Arteve, Tiranë, 1994; Tole, Vasil S. “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1999; Loli, Kosta “Kaba dhe Avaze”, Janinë, Greqi, 2003 etj. Për më tepër shih Kabate vajtimore – Odea Academy (odeacademy.org)
Kafaz:Pjesë e veglës muzikore të llautës. Enc. Me këtë fjalë përshkruhet dhoma e rezonancës në veglën popullore të llahutës.
Kapllama:Pjesë e veglës muzikore popullore të llahutës. Enc. Kapllamaja është pjesa që mbledh së bashku rriskat e holla që rrethojnë anën e gufuar të kasës së llahutës.
Këndi i sazeve:Këndi i sazeve është një vend qëndrimi karakteristik i formacionit IP të sazeve në shtëpitë qytetare dhe fshatare të Shqipërisë së Jugut, të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Enc. Në këndin e sazeve qëndronin dhe luanin muzikë muziktarët popullorë të sazeve, gjatë ceremonive festive (si dasma, gëzime etj), që kishte familja. Zakonisht këndi ndërtohej mbi shkallët që të shpinin në katin e dytë të shtëpisë, me pamje nga divani i katit të dytë. Këndi i sazeve ndërtohej prej druri, në formë katrore me përmasa 2 me 2 m. Në pikën më të lartë të tij, zakonisht vendosej i gdhendur në dru, simboli i muzikës-bilbili. Në Lunxhëri këndin e orkestrës e quanin tartaposh.
Kënga popullore qytetare korçare:Shiko zërat “Cilo Qorri”, “Demka & Hajro” dhe “Nure Novruz-Lulushi”.
Kënga popullore qytetare përmetare:Shiko zërat “Bariu Laver”, “Çulli Jorgo”,”Ponoçi Qemal”, “Xhemali Mentor”.
Kënga popullore qytetare vlonjate:Shiko gjithashtu dhe Vlora Bilbil , Vlonjate Trio dhe Dalipi Haxhi.
Këngë trapeze:Këngë karakteristike qytetare dy zërëshe e qyteteve të Beratit dhe Vlorës. Enc: Sipas Krutës: këto këngë janë praktikuar vazhdimisht nga burrat në gosti të ndryshme familjare. Sami Frashëri thotë se grada e qytetarisë dhe e moralit të një kombi kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.
Lit: Mërkuri Timo, "Kënga kjo mbretëreshë e shpirtit shqiptar", gazeta "Vlora", 11 Shtator, 2006, fq. 13.
Kërnetë:Gërnetë f. "klarinetë". Etim: sipas Çabej: klarinetë është një huazim fare i ri nga it. Clarinetto, kërnetë gërnetë është një fjalë popullore nga it. Cornetta. Huazim popullor më i vjetër është gareta e Buzukut, nga gërnetë * gerrete, me asimilimin rn:rr:r: E sa ku bane kryq, kur të bjerë gareta e “prapmeja” Te kjo fjalë e te gërneta e sotme shihet sonorizimi i shpeshte i silabës kër- në gër- në ballë të fjalës; sipas Weigandit 36: konsiderohet fjalë italiane po pa caktuar burimin. Enci: Klarineta klasike, sot në muzikën popullore shqiptare, si rezultat i përdorimit dendur të saj, realisht është shndëruar në një vegël popullore. Vetëkuptohet se rrugët e përdorimit të saj nga muziktarët popullore janë të ndryshme nga sa ajo parakupton. Vetë tingulli i “gërnetës” popullore është njeri prej ndryshimeve që kanë ndodhur në trupin e instrumentit të temperuar të klarinetës, e cila mendohet se ka hyrë në Shqipëri në dhjetvjeçarët e fundit të shek. XIX. “Gërneta” përdoret kryesisht si vegël solistike në formacionet muzikore popullore në mbarë Shqipërinë. Përdorimi i saj qëndror haset së pari në formacionin IP me vegla të sazeve të Jugut, por e gjejmë edhe në formacionet e tjera muzikore popullore qytetare të Shqipërisë qëndrore dhe veriore. Me përdorimin e gërnetës në këto formacione, gradualisht filloi edhe një klasifikim i ri i muzikës sonë popullore. Këtu kemi parasysh krijimin e muzikës popullore qytetare, këtij tipi të ri të shoqërimit të muzikës tradicionale “a capella”, me vegla si gërneta. Me gërnetën është e lidhur ngushtë njera prej gjinive bazë të muzikës popullore me vegla siç është kabaja. Shiko kaba.
Lit: Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj
Korçarçe:Mënyrë e interpretimit të këngës apo melodisë popullore IP me origjinë nga zona apo qyteti i Korçës.
Korça: Qytet më Shqipërinë Juglinore, qendër shumë e rëndësishme e muzikës me saze. Enc. Sipas FESH: Korça shtrihet në pjesën JP të vendit, në rrëzë të malit të Moravës, në lartësinë 869 m. Në gjysmën e dytë të shek XIX u bë një nga qëndrat më të mëdha ekonomike, tregëtare e kulturore të vendit. Në fillim të shek.XX, Korça ishte sipas B.Pelligrinit: një qëndër simpatike…e pasur me vila zotërinjsh të ndërtuara prej guri që zbardhnin nga gelqerja”. Qyteti i Korçës është një tjetër qendër e shquar e zhvillimit të sazeve. Muzika popullore IP me saze ishte pjesa më e rëndësishme e kulturës muzikore që kultivohej në qytetin e Korçës. Duke qënë pjesë organike e qytetarit të saj, ajo ndikoi në një mënyrë vendimtare edhe në përballjen e kulturës qytetare të Korçës në përgjithësi me ndikimet e tjera nga jashtë, ndikime të cilat u asimiluan prej kësaj ndërgjegjeje artistike. Formimi në këto vite edhe i "muzikës së bardhë të qytetit" (ajo që sot njihet si serenata korçare), nuk ishte shprehje e dobësimit të kulturës muzikore autoktone. Muzika IP m saze e qytetit të Korçës ishte sa faktor i urbanizimit dhe europianizimit te qytetit, por dhe tendencë për krijimin e një muzike alternative. Vetë fakti që në këtë "muzikë të re" do të gjenden edhe elementët e muzikës se sazeve, është tregues domethënës i zhvillimit pozitiv të kësaj kulture qytetare. Në qytetin e Korçës zhvillohet rregullisht pas viteve 1994, "Festivali Foklklorik Tipologjik Kombëtar i Sazeve".
Kovaçi Jashar:(Bilisht 29.09.1930-  Pogradec 21.08.1992). Muziktar i shquar popullor në interpretimet në gërnetë nga qyteti i Pogradecit. Enc. Përpara se të mësojë gërnetën, Jashari mëson në familjen e tij shumë vegla popullore, ndër to edhe fyejt e ndryshëm. Ai e ushtroi veprimtarinë e tij si muziktar popullor pranë estradës profesioniste të qytetit të Pogradecit. Gjatë gjithë kohës ai drejtoi sazet e qytetit të Pogradecit, me të cilat ka marrë pjesë në veprimtari të ndryshme si në F.F.K-Gjirokastër, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, jashtë vendit si në Rumani, Gjermani etj. Kontributi i tij kryesor është renditur në konsolidimin e muzikës popullore qytetare pogradecare, tiparet e së cilës janë një zhvillim logjik i muzikës polifonike burimore të fshatrave rreth Pogradecit por dhe më thellë. Përveç një repertori shumë të gjerë këngësh dhe vallesh të interpretuara prej tij, Jashari njihet edhe si autori i kabasë pogradecare në gërnetë. Një aspekt tjetër i veprimtarisë së tij është edhe prodhimi i veglave popullore dhe atyre të kultivuara si llahuta, fyej, def, lodër por edhe klarineta. Shiko fjalën Mjeshtrat e punimit të veglave.
Labçe:Shprehje e praktikës muzikore popullore IP. Enc. Labçe do të thotë që krijimi muzikor popullor dhe mënyra e interpretimit të tij i përkasin muzikës popullore IP Labe. Shiko "labe iso-polifonia".
Labërisht:Shiko fjalën labçe.
Lela Remzi- Çobani:(Përmet, 1937 - Tiranë 1 Janar 1995). Këngëtar dhe muziktar i shquar popullor në gërnetë i gjysmës së dytë të shek XX. Enc. Të njohur me këtë emër brenda e jashtë Shqipërisë, ky formacion instrumental IP shënon rastin më domethënës të organizimit të formacionit të sazeve brenda një familjeje të vetme në gjysmën e dytë të shek.XX. Duke ringjallur traditën e dikurshme të këtyre organizimeve, sazet e familjes Lela janë njëkohësisht vazhdimi i zhvillimit të Sazeve shqiptare por njëkohësisht edhe një koncentrat i historisë së dikurshme të formimit të tyre. Fillimet e origjinës muzikore të tyre lidhen me qytetin e Përmetit dhe veçanërisht me të jatin e tyre Manen i cili ishte llautar dhe këngëtar popullor. Në fakt strumbullari i vërtetë i "Sazeve të Familjes Lela" do të bëhej Çobani. Më 1945-46 fillon të ushtrohet me gërnetën që i bleu babai e më pas në mënyrë autodidakte si të gjithë gërnetaxhinjtë shqiptarë të Sazeve. Pjesa e parë që mësoi ishin "ca gishta" nga kabaja e "Selim Stambollit", të cilën ia dëgjoi edhe Usta Jonuzi i Lamçes i cili i dha zemër. Rreth moshës 12-13 vjeç, i ati e merrte Çobanin me vete nëpër dasma dhe në kohën kur vëllai tjetër, Rizai, filloi fizarmonikën të tre bënë së bashku një grup, grup i cili është embrioni i "Sazeve të familjes Lela". Punon për një kohë si gërnetaxhi në kafe "Parisi" pa u ndarë nga dasmat, ku për një pjesë të madhe të kohës punoi me violinistin e shquar tiranas Met Alia, dhe me muziktarin e bakllamasë Sotir Progri nga Leskoviku. Me formimin e Filarmonisë (1951) e më pas të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1957), merr pjesë në to e më pas në ansamblin “Tirana” (1978-1990), së bashku me vëllanë tjetër Fatmirin, me llautë. Më 1990 të gjithë “Lelat” rigrupohen pranë “Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore” me këtë përbërje: Çobani me gërnetë e këngëtar, Myslymi gërnetë e dytë dhe këngëtar, Ahmeti me fizarmonikë dhe këngëtar, Fatmiri me llautë dhe këngëtar, Bilali me def dhe këngëtar, Shqiponja-këngëtare dhe Çeçoja me violinë. Rëndësia e Sazeve të “Familjes Lela” dhe në veçanti e Çobanit është e shumëanshme. Çobani ishte një nga gërnetaxhinjtë më virtuozë të gjithë Sazeve tona të Jugut, si dhe nga njohësit më të mirë të shumicës së veçorive stilistike të muzikës instrumentale e vokale të folklorit tonë. Ka shkuar pothuajse nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë me sazet, gjë që ka ndikuar tek Çobani për të njohur pothuajse të gjitha stilemat kryesore të muzikës popullore shqiptare, e për t’i pasqyruar ato në repertorin e tij. Çobani, me intuitën e tij të lindur, dëshmoi se muzika popullore zhvillohet dhe përsoset nëpërmjet proceseve të brendshme dhe pikërisht nëpërmjet njohjes së tyre interpreti bëhet pjesë e rëndësishme e përhapjes së vlerave qindravjeçare. Ndjeshmëria e tij e lartë emocionale është zhvilluar duke ruajtur të pastër “traditën e vjetër” siç shprehet vetë ai, duke iu kundërvënë të gjitha atyre ndikimeve të huaja, nisur nga ajo ç'ka ai besonte që e kishte të ngulitur shpirtërisht. Kur studiojmë muzikën IP që Çobani ka lënë, dëgjojmë si gërnetën e Jugut (në pjesët e tij të pëlqyera si “Kabanë myzeqare” apo “Çamçe-beratçe”, “Pogonishte”), po ashtu edhe Shqipërinë e mesme. Për më tepër Çobani thirret edhe si një ndër themeluesit e traditës së “gërnetës tiranase”. Prof. Zadeja e ka quajtur Çobanin “një vokabolar dhe reformues të vërtetë të kulturës sonë muzikore popullore”. Regjistrimet muzikore të këtij formacioni janë pranë Radio dhe Televizionit Shqiptar, Institutit të Kulturës Popullore dhe shumë agjensive të huaja muzikore. Ka regjistruar në filmin “Gjeneral gramafoni” kabanë shumë të njohur të tij, si dhe ka dalë vetë me figurë dhe gërnetë duke interpretuar edhe në një film tjetër artistik të realizuar nga kinostudio “Shqipëria e Re”. Ja disa nga këngët që gjenden pranë Radio-Tiranës: “Se dinja se vija në dasëm”, 3’20”, R. Lela, M. Xhemali, 1991, “Shegë e kuqe”, 2’30”, R. Lela, M. Xhemali, 1991, "Qaj Maro, qaj moj bijë”, Sh.Lela , R. Lela, 1991. Shiko gjithashtu kënga popullore qytetare tiranase.
Lit: “Le Monde de la Musique” nr 157, viti 1992 me autor Frank Tenaille; “The Wire”, Tetor 1992 me autor Richard Scott; Viktor Sharra, “Politiques Culturelles et Action Artistique”, option “International”, fq. 64-67, Paris, 1993; Tole, Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj. Për më tepër shih Remzi Lela – Odea Academy (odeacademy.org)
Lena Gaqo:(Leskovik -1926-Tiranë 2004). Këngëtar dhe muziktar i shquar në lojën në gërnetë. Enc. Drejtues i sazeve që mbajnë emrin e tij. Sazet e Gaqo Lenës janë formacioni që jo vetëm lidh kulturat muzikore të qyteteve të Leskovikut me të Përmetit, por dhe paralajmëroi formimin e sazeve më të reja në qytetin e Përmetit. Gaqo Lena në vitet '40 punon në Përmet dhe po aty mëson gërnetën pranë Usta Vangjel Leskovikut. Megjithëse i ri, futet në sazet e Usta Vangjelit si këngëtar me një repertor këngësh nga më të shquarat si “Hapi syt e zez të na sjellsh beharë”, “Moj kunadhja leshverdhë”, “Këngën e Mahmudisë”, “Vajza e valëve”, “Çupë e Veli Beut me nishan në ballë”, etj. Pas kësaj, në vazhdën e traditës së krijuar nga Vangjel Leskoviku, ngre sazet e tij të përbëra nga Nesimi, Asllan Tarja, Haliti. Në Korçë punon edhe me Usta Cilon, si dhe me Demkën e “Demka & Hajro”. Në Maj të 1945 vjen në Tiranë dhe punon së bashku me Qemal Baton me violinë dhe të shquarin Naxhi Berati. Më 1946 rikthehet përsëri në Përmet e Leskovik. Në Leskovik krahas tij përmenden edhe sazet e Vasil Podës me gërnetë, Llazo Podës me qemane dhe Vangjel Podës me llautë. Sazet e Gaqo Lenës në këtë kohë përbëheshin nga Mitro Apostoli, Kolo Nakja, Fishka dhe Vangjel Janushi. Ata bënë muzikë në Buhal, Kosinë, Këlcyrë, Dangëlli, Lupckë, Frashër, Tremisht, Këlcyrë, Kosovë, Badëlonjë, Bënjë, Lëshicë e deri në Rëzë e Çarshovë. Punon gjithashtu si sazexhi në Lekovik, Kolonjë, Korçë e më tej. Deri në formimin e sazeve të Usta Laver Bariut në vitet 1950, sazet e Usta Gaqo Lenës ishin sazet qëndrore të qytetit. Pas viteve ‘50 ushtron veprimtarinë në Leskovik e Kolonjë së bashku me Usta Vangjel leskovikun duke marrë pjesë gjithashtu në të gjitha veprimtaritë e rëndësishme kombëtare. Më 1961 shpërngulet në Tiranë.

Lit: Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë 1998 etj.

Leskoviku:Qytet në Shqipërinë Juglindore. Enc. Sipas FESH: Leskoviku është qytet në VL të Krahinës malore Jugore, rrëzë malit Melesin, në lartësinë 1200 m. Përmendet si qendër banimi që në shek. XV. Sipas zonjës E. Durham, Leskoviku në fillim të shek. XX ishte ... një qendër fare e vogël, e ndërtuar prej guri dhe e vendosur mirë, e ngjashme shumë me një fshat të Uellsit të Veriut, por e pastër dhe e rregullt. Megjithëse gjendet në një zonë të përbashkët etnomuzikore IP me qytete si Korça e Përmeti, muzika popullore IP e Leskovikut formoi dhe nxori pionierët e parë të shquar të muzikës me Saze. Tin` o Leskovik i shkretë,/delni e hapni penxheretë,/se vjen Hajrua vet` i tretë,siell bozuk` e gjemenxhetë. Leskoviku ka qenë qendra kryesore e zhvillimit të sazeve dhe të muzikës me saze për këtë periudhë në gjithë Shqipërinë e Jugut. Përpara sazeve, Leskoviku ka patur njërën prej tajfave më të shquara të Perandorisë si dhe ka nxjerrë shumë emra të shquar në interpretimet e këngës dhe melodisë popullore, ku ndër ta bën pjesë edhe Muçua, kryemuziktari i Ali Pashë Tepelenës, autori i shumë këngëve që sot njihen si popullore. Me fjalën leskoviqarçe do të kuptojmë se kënga, vallja ose melodia është nga Leskoviku dhe interpretohet në mënyrën leskoviqarçe. Shiko zërat Selimi & Hafizeja, Leskoviku Vangjel.
Lit: "Fjalori Enciklopedik Shqiptar", fq. 602, Tiranë, 1985; Durham, Edith "The Burden of the Balkans", Londër, 1905, fq. 217 etj.
Leskoviku Vangjel:(Leskovik 1906 - Vlorë 1970). Vangjel Leskoviku, këngëtar dhe interpretues popullor në gërnetë. Drejtues i sazeve të njohura të Leskovikut të viteve '30. Enc. Vangjeli, djali i madh i Apostolit dhe Kostandinës fillimisht ju kushtua studimeve për tu bërë prift në qytetin e Beratit. I ndikuar nga traditat e shquara të Leskovikut në muzikën popullore, mëson që në moshë të vogël gërnetën nga mjeshtër si Selimi Leskoviku dhe i jati i Selimit-Asllani. Më 1922, ngre fillimisht në Leskovik sazet e tij, të përbëra nga i vëllai-Mitro Apostol Jorgo me qemane, Theodhor Gulon dhe Kolo Naken me llautë dhe këngëtarë, duke u pagëzuar në popull si sazet më të mira pas atyre të "Selimit & Hafizesë". Më 1936, largohet nga Leskoviku dhe vjen në Përmet ku përsos më tej stilin dhe formimin e tij si mjeshtër. Krahas sazeve të "Demka & Hajro", ai së bashku me të vëllanë-Mitron me violinë marrin pjesë si sazexhinj në dasmën e mbretit Zog. Para viteve 1940, i gjithë repertori muzikor i tij, duke përfshirë edhe Kabatë me gërnetë janë të regjistruara pranë "ODEON"-it. Për të mund të konstatojmë se ishte ndjekës i traditës të interpretimeve virtuoze në klarinetë të nisur nga Selim Leskoviku, dhe po në këtë rrugë ai krijoi dhe i dha jetë edhe kabasë që mban emrin e tij. Interpretimet e tij shkëlqejne nga gjenialiteti i perceptimit të fakturës. Nga çdo pikëpamje, Vangjel Leskoviku ishte nje reformator i stilit të quajtur "vënçe" në gërnetë. Ai synoi dinamizimin e lojës së gërnetës nëpërmjet shfrytëzimit të mundësive të pathëna deri më atëhere. Do të ishte pa dyshim një ndihmesë shumë e madhe për ne (për të studiuar intenerarin gjeografik të shtrirjes së lojës së sazeve të Usta Vangjelit), në rast se do të dispononim “defterin” e tij, që sipas bashkohësve ai e mbante gjithnjë me vete për të shënuar “miqtë e rinj” që zinte dhe “avazet e reja” që mësonte, nëpër dasma e muhabete. Pas çlirimit largohet nga Përmeti për në Berat e më pas në Vlorë ku la një ndikim shumë të madh në këngët popullore të këtyre qyteteve. Me sazet në vitin 1950 merr pjesë në festivalin e parë folklorik kombëtar që u zhvillua në Tiranë, si dhe në të tjera aktivitete folklorike etj. Usta Mediu dhe Vangjeli lanë një ndikim themelor në sazet e Përmetit të pas viteve 1940. Meritë e tyre është se në këngët popullore që shoqëroheshin me saze, ata krijuan edhe “pavarësinë” relative melodike të linjave të përcjelljes me vegla nga linja e këngëtarëve. Ndërtimi më i preferuar për sazet ka qenë 1 gërnetë, 1 qemane dhe 2 llauta. Shpeshherë Usta Vangjeli përdorte edhe një ndërtim disi të veçantë me 1 gërnetë, 1 violinë dhe tre llauta. Defi nuk ka qënë përdorur në formacinet e para të sazeve, si në Përmet ashtu edhe në Leskovik.

Lit: Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë 1998l; Tase Pano, “Ç'u këput një yll”, Tiranë 2001 etj. Për më tepër shih Vangjel Leskoviku – Odea Academy (odeacademy.org)

Llautë:Vegël muzikore popullore me 4 tela të dubluar të akorduar në kuarta ngjitëse. Enc: Del që tek vepra e Hobhausit, gjysma e parë e shek. XIX. Sipas Misos: lidhur me llojet e llautave, njihen dy formate që janë të përhapura në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Që të dy këto tipe, historikisht janë prodhuar nga mjeshtrat shqiptarë të punimit të veglave popullore të qyteteve si Korça, Leksoviku, Përmeti etj. Deri në vitet 20 të shek të XX e gjejmë kryesisht si vegël solistike në muzikën popullore qytetare IP të qyteteve si Korça, Përmeti dhe Berati. Pas formimit të sazeve (gjysma e dytë e shek. XIXI fillimi i shek. XX), llauta hyn në to me kryesisht me funksion shoqërues. Njihet gjithashtu se në qytetin e Elbasanit, në fillim të shek. XX, muziktari dhe patrioti Thanas Floqi formoi shoqërinë muzikore “Llahuta”.
Lit: Hobhouse J.C, “A journey through Albania and other provinces of Turkey" during the years 1809-1810”, London 1813; “Melodi dhe valle popullore instrumentale”, Tiranë, 1969; Miso, Piro “Roli dhe funksioni muzikor i llautës”, “Kultura Popullore”, 2/1981; Miso, P “Muzikë popullore instrumentale”, Tiranë, 1990; Sokoli, R. Miso, P “Veglat muzikore të popullit shqiptar”, Tiranë, 1991; etj.
Llautar:Muziktari popullor që luan në VK të llahutës. Enc. Në Korçë janë dalluar në interpretimet solo në llautë “Llaqi me shokët”, Qerim Baki, familja e Podave; L. Janushi në Kolonjë, Bariu në Përmet, Fredi Daci po në Përmet, Fatmir Lela në Tiranë etj,.
Mehter:Muziktar popullor që luan në vegël. Etim. Nga turq. Orkestrant. Enc. Në qytetin e Beratit i hasim qysh në shek. XVI. Me emrin mehterbash thirrej kryetari i muziktarëve.
Muzika qytetare beratase:Enc. Qyteti i Beratit është i vendosur në luginën e quajtur Topallti, në grykën malore të përshkruar nga lumi i Osumit. Në mes të shek. XIX kishte 1800 shtëpi të banuara nga popullsi muhamedane dhe kristiane si dhe një zhvillim të admirueshëm tregëtar dhe kulturor. Në këngët popullore gjejmë këtë përshkrim të qytetit 2400 vjecar dhe të natyrës rreth tij: Berati plak me nam,/Cupë të vetme ka Kalanë./Tomorri me Shpiragë,/Dy male vëllezër janë,/Me Kalanë hodhën sevdanë./Tomorri kokën tek qielli,/Shpiragu nga fshihet dielli./Kalaja dit e natë qaj,/Osumi lotët e saj. Për shkak të rëndësisë historike që paraqiste qyteti i Beratit në kohën e Perandorisë Otomane, por dhe i veçorive gjeografike të tij, formimi i muzikës qytetare, ndoqi deri diku tjetër rrjedhë nga ajo e qyteteve të tjera të Toskërisë apo dhe të Labërisë. Është nga të vetmet raste që kultura kompakte muzikore iso-polifonike e qyteteve të jugut, u fqinjësua diku në qëndër të saj, me të dhënat e kulturës muzikore monodike perso-arabo-turke. Ndryshimi i muzikës së fshatrave rreth Beratit (që përfaqëson traditën e lashtë muzikore të zonës), me muzikën e qytetit në përgjithësi, është një tregues i ndryshimit të njësisë muzikore të dikurshme që ka patur qyteti i Beratit. Kështu, prej pushtimit turk e deri në fillim të shek. XIX, kultura muzikore e qytetit të Beratit shfaqet si një kulturë monodike, e kultivuar nga tajfat muzikore, ndërkohë që konstatojmë se kultura e re muzikore qytetare iso polifonike, fillon e zhvillohet aty në fillim të shek. XX nga formacioni i sazeve, paralelsiht me muzikën popullore qytetare të Toskërisë. Në regjistrat osmane qysh në shek. XVI, gjejmë të shënuar profesionin e muziktarit orkestrant të Beratit të quajtur me emrin mehter. Nga defteri i hollësishëm i livasë-sanxhakut të Vlorës i vitit 1520, tek ndarja e zejeve shohim se: Hasan Hysejni, Xhafer Hasani, Ferid Hasani, Jusuf Memi, Jusuf Ahmedi Sinan Jusufi, Jusuf Hysejni etj, figurojnë të regjistruar me profesionin e orkestrantit. Më pas, një tjetër të dhënë mbi ekzistencën e formacioneve muzikore interpretuese në Berat e jep Evlia Çelepia (1670), i cili flet me respekt për grupin e muziktarëve që ishte ndër më të mirët krahas tajfës së Korçës, Leskovikut etj. Gjithashtu Çelepia pohon se në Berat kishte me dhjetra vende argëtimi, ku ndër të tjera interpretohej edhe muzika popullore. Në përgjithësi, deri në vitet e para të shek. XX, kultura muzikore e qytetit të Beratit ishte një kulturë muzikore e interpretuar nga tajfat e muziktarëve, muzikë e cila në një pjesë të madhe të saj ishte e sjellë prej komunikimit të përhershëm tregëtar dhe kulturor të qytetit të Beratit me vendet e tjera dhe kryesisht me Turqinë. Si e tillë, ajo ishte një kulturë monodike ( me një zë), gjë që e afronte në tipologji këngën beratase me atë shkodrane, elbasanase, gjakovare etj. Në fillim të shek. XX, ashtu si në të gjitha qytetet kryesore të Toskërisë, filloi në Berat edhe formimi i formacionit origjinal të sazeve popullore shqiptare, apo siç njihet ndryshe formacioni polifonik i sazeve. Sazet e para në Berat i gjejmë qysh në fillim të shek. XX. Lindja e sazeve ishte si një rikthim në traditën iso polifonike të të kënduarit të qytetit të Beratit përpara pushtimit turk. Një formacion i dëgjuar Sazesh ka ekzistuar në Berat në vitin 1915 i drejtuar nga violinisti i shquar Riza Nebati (të cilin populli në një këngë e ka vlerësuar si Paganinin e qytetit të tyre), një tjetër nga Isuf Meko Përmetari e më vonë vëllezërit Qamili të ardhur po nga Përmeti. Po ashtu përmendim edhe Sazet e Usta Halit Beratit me gërnetë (rreth 1910-1920), ato të drejtuara nga Riza Jevi me qemane, e veçanërisht ndihmesën e sazeve të Sybi Sadushit me gërnetë. Është fakt i pamohueshëm që një pjesë e rëndësishme e muziktarëve të shquar popullorë beratas u shpërngulën në qytetet e tjera të Shqipërisë për të interpretuar muzikën popullore. Kjo gjë solli një transferim dhe komunikim të vlerave të krijuara nga njeri qytet në tjetrin. Edhe më parë kishte ndodhur kështu. Fama e ambjenteve muzikore të Beratit bëri që edhe muziktarë të shquar si shkodrani Ismail Dobrunji të vendosej në Berat diku aty në fund të shek. XVIII. Po kështu, në vitin 1825, muziktari popullor nga Berati Marko Krali fut për të parën herë violinën në ahengun e qytetit të Shkodrës. Më 1920, sazet e Naxhi Beratit, Hajri Malokut dhe Qemal Matës vendosen në Tiranë, ndërkohë që Skramët, familja e njohur e muziktarëve beratas, u shpërngul për në Vlorë. Sipas Mehqemesë: në vitet ’30 të shek. XX në Berat përmenden 16 muziktarë të shquar popullorë si Selim dhe Luta Pasha, Mehmet Kovaçi, Shefit Hoxha, Shaban Dilo, Rabiona e Rufani Diku, Hysnie e Anife Kovaçi etj. Me shembjen e Perandorisë turke, në Berat gradualisht u rrudh roli i tajfave të muziktarëve, ndërkohë që u popullarizua repertori i këngëve origjinale të sazeve popullore beratase. Duhet theksuar se sot në muzikën popullore qytetare të Beratit do të konstatojmë si gjuhën muzikore-monodike, por dhe atë iso-polifonike, tipar i kahershëm i Beratit të vjetër, rrethinave të tij dhe i muzikës së qyteteve jugore në përgjithësi. Për shkak të pozicionit gjeografik, por dhe të lidhjeve historike, tek sazet e reja të Beratit, u shkri natyrshëm repertori monodik i këngëve (që deri para lindjes së sazeve luhej nga tajfat e muziktarëve) me atë iso-polifonik Beratit të vjetër. Kështu, përveç repertorit tradicional të qytetit, sazet zotëronin edhe numrat më të njohur të muzikës qytetare shqiptare, si të qytetit të Vlorës, Përmetit, Elbasanit, Shkodrës, Tiranës etj. Sazet e Beratit përbëheshin nga 1 gërnetë, 1 violinë, një ose dy llauta dhe 1 def. Përmes këngëve ne sot njohim emrat e veglave më të përdorura nga sazet dhe formacionet e tjera muzikore popullore të qytetit të Beratit, e bashkë me to edhe emrat e muziktarëve të shquar beratas Ja se si i këndon populli në njerën prej këtyre këngëve: Kush i bie kanunit-e­/Ky Qerimi , nipi i Sulçes-e/Kush i bie qemanes-e /Josifi , i biri i Skrames-e /Kush i bie buzukut-e/Ky Tetemi i Sukut-e. Një punë të madhe në kultivimin e këngëve beratase kanë bërë shumë muziktarë të shquar popullorë të këtij qyteti, instrumentistë e këngëtarë. Ndër ta përmendim Riza Nebatin (violinistin virtuoz pjestar edhe i orkestrës së Isuf Myzyrit), Naxhi Beratin, Hajri Malokun, familjen e muziktarëve popullorë Mata, Kadri Fuga (Berat 1887- Berat † 1953), Jorgji Bendi (Berat 1861- Berat † 1914), Sulejman Naibin, Hamit Vokopolën etj. Me emrin e muziktarit popullor Shyqyri Fuga (Berat 1883- Berat † 1962), njihen këngët “Morra mandolinën”, “Në fushë të Uznovës”, etj; me emrin e Sulejman Naibit në popull njihen këngët: “Jelekun kadife veshur” , “Kështu e kështu më thanë”, “Aman , o im atë”; me emrin e Qerim Fugës njihen këngët: “Mblodhëm një tufë lule”, “Shaja me shami të kuqe”, “Ma gëzofsh shaminë jeshile”, “Ditën e xhuma po bëhesh xhuluzi” etj. Ndër këngëtarët e shquara të muzikës popullore qytetare beratase pas vitive 1950 përmendim: Virgjini Milen, Dhimitër Dushin, Floresha Debinjën etj. Ndër sazet me aktivitet pas viteve 1990, përmendim edhe ato të vëllezërve Hoxha nga Lapardhaja e Beratit. Aktualisht kënga popullore qytetare beratase është e përhapur dhe e pëlqyer në Shqipërinë e Jugut, në atë të Veriut e ca më tepër në Shqipërinë e Mesme dhe në Kosovë. Shiko dhe familja e muziktarëve popullore-Mata, Berat: Lit: Xhihani Meliha, “Tradita, krijimtaria dhe zhvillimi i muzikës në qytetin e Beratit”, Disertacion, 1976, Biblioteka e Akademisë së Arteve; Mehqemeja Agim, “Hapësirat e këngës popullore beratase”, gaz. “Kushtrimi”, 1988, 20 Prill; Mehqemeja Agim, “Këngë e Beratit”, Berat, 2000; Duka Ferit, “Berati në kohën osmane, shek. XVI-XVIII”, Tiranë, 2001 etj.
Nure Novruz-Lulushi:(Korçë 23.03.1954- Korçë † 23.04.1990). Mjeshtër i shquar në interpretimin e muzikës is polifonike të Korçës, në gërnetë, në gjysmën e dytë të shek. XX. Enci: Lulushi-Nevruz Nure, u formua në një familje muziktarësh popullorë dhe që në vogëli luante në vegla muzikore si fizarmonika dhe klarineta. Më pas, i përfshirë në “Ansamblin Skënderbeu” të qytetit të Korçës, Lulushi luajti pjesën më të madhe të muzikës popullore me vegla të Shqipërisë Juglindore. Lulushi, u dallua për një lojë virtuoze në gërnetë, kjo e shoqëruar me një ëmbëlsi të rrallë interpretimi, e cila buronte nga ndjesia e tij e lindur mbi tingullin popullor të gërnetës. Prej shumë vitesh në muzikën qytetare IPT të Korçës, gërnetarët e shquar dalloheshin nga njëri tjetri, jo më shumë nga dallimet e repertorit që luanin, por nga veçoritë individuale që ata implementonin mbi strukturën e pjesëve të njohura popullore. Kështu, në shumë raste një gërnetaxhiu nga gjithë jeta e tij i kujtohej vetëm një veçori që e kishte vetëm ai, dhe që kjo e bënte të dallohej nga të tjerët. Pjesa tjetër mund të ishte më fatlume ose fatkeqe. Atyre më të mirëve vazhdojnë akoma edhe kësaj dite t’u luhen pjesët, duke i quajtur “sipas Jonuzit”, apo “ me gishtin e Qerimit” etj. Lulushi rreshtohet në majën e gërnetarëve që ka njohur muzika popullore IP e Korçës. Përveç dhjetra interpretimeve virtuoze që njihen tani si “…të gërnetës së Lulushit”, ai ka luajtur dhe ka lënë në fondin e artë të muzikës me saze atë që sot njihet si “Kabaja e Lulushit në Sol”, luajtur për herë të parë në F.F.K të Gjirokastrës,1983. Megjithëse i ri në moshë, për Lulushin në popull thuhet se: “Është i madh si Çobani dhe Laveri”. Arsyet se pse populli e ka vlerësuar kaq shumë, lidhen pikërisht me faktin se Lulushi pasi thithi të gjithë atë repertor të artë muzikor të krijuar nga mjeshtrat popullorë përpara tij, u përpoq që të arrinte rezultate të tjera, pikërisht duke përdorur veglan e gërnetës si një vegël popullore shqiptare. Me një mjeshtëri të pashoqe, ai aplikoi teknika të ndryshme të interpretimit të veglave popullore në gërnetë. Kjo i dha tingullit të veglës së tij një individualitet aq të veçantë, sa ç’do vesh njerëzor, sado pak i ambjentuar me muzikën popullore, do të mund të dallonte timbrikën dhe ngjyrën karakteristike të tij. Kjo përvojë e mjeshtrave si Çobani, Lulushi, Laveri etj, është një fushë e hapur për studiuesit e muzikës popullore, të cilët duhet të nxjerrin konkluzione se si është e mundur që vegla të importuara si klarineta, të arrijnë të fitojnë në duart e këtyre mjeshtrave atributet e një vegle popullore shqiptare. Pikërisht koncepti i tingullit popullor të gërnetës realizuar prej tyre është një nga veçoritë të cilat ndihmojnë në diferencimin e muzikës sonë të vërtetë popullore prej kulturave apo dhe pseudokulturave. Ka qenë tri herë laureat i Festivaleve Folklorike Kombetare në Gjirokastër duke filluar nga 1978, 1983, 1988. Nderohet me çmim të veçantë në Samsun të Turqisë më 1987, e po ashtu mjeshtër nderi në Prevezë-Greqi më 1984 dhe 1989. Nuk ka realizuar ndonjë kasetë apo C.D. të plotë, por një pjesë e madhe e regjistrimeve të tij i janë bashkëngjitur repertorit muzikor të këngëtarëve popullorë Lindita Thodhori, Sotiraq Vangjeli dhe Eli Fara. Sazet e tij përbëheshin nga 2 gërneta, 1 violinë, 1 fyell, 2 llauta, 1 fizarmonikë dhe 1 dajre. Vdiq në moshën 46 vjeçare me 23 prill 1990 nga një sëmundje e rëndë. Lit: Tole, Vasil S. “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj. Për më tepër shih Novruz Nure – Odea Academy (odeacademy.org)
Ojna:Zbukurime gjatë vijës melodike të këngës apo melodisë popullore me vegël.
Përmeti:Qytet në Shqipërinë Juglindore. Enc. Përmëndet me këtë emër qysh në shek.XV. Deri në gjysmën e shek.XIX qyteti u zhvillua gradualisht. Përmeti, ashtu si dhe qyteti i Leskovikut, klasifikohet ndër qytetet më të rëndësishme përsa i përket formimit të muzikës popullore qytetare jugore me anë të veprimtarisë dhe ndihmesës së sazeve. Tek FESH kemi: Qytet në bregun e majtë të luginës së Vjosës, rrëzë malit të Dhëmbelit… gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bë një qendër e rëndësishme kulturore e patriotike. Të lidhur ngushtë në pikpamje gjeografike me Leskovikun, mes tyre u ngjiz edhe një nga bashkëpunimet më frytdhënëse përsa i përket kristalizimit dhe formimit të portretit të sazeve. Arsyet dhe shkaqet që deri dje i shikonin këto dy qytete dhe sazet e tyre të ndarë nga njeri tjetri, duket se sot ja kanë lënë vendin gjykimeve më të ftohta dhe fakteve kokëfortë mbi unitetin e njësisë etnokulturore dhe kompaktësisë që muzika popullore e tyre ka provuar prej dhjetra vjeçarëve. Ndër sazexhinjtë më të shquar janë ata të përqëndruar fillimisht pranë sazeve të Usta Medi Përmetit (rreth 1910-1930), ato të Vangjel Leskovikut (rreth 1930-1940) dhe të Usta Laver Bariut (1944-1995). Prej rrethit të Përmetit janë me origjinë ose kanë lindur disa nga figurat më në zë të kulturës dhe artit shqiptar në përgjithësi. Ndër ta përmendim vëllezërit Frashëri, Elena Gjikën (Dora D’istria), Odhise Paskalin, Mentor Xhemalin, Bardhyl London etj. Lit: Adhami, Stilian, “Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe kujtimet e popullit”, Tiranë, 2001.
Përmeti Halit:Gërnetaxhi i shquar nga Përmeti në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX. Enc. Halit Përmeti njihet si një ndër gërnetarët dhe këngëtarët më të shquar të muzikës iso-polifonike me saze të Shqipërisë së Jugut në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX-të. Fama e tij në popull është po aq e madhe sa edhe e gernetarëve të tjerë popullore të asaj periudhe si Medi Përmeti dhe Selim Leskoviku. Vdiq në moshë të re, në fund të viteve 1930, nga sëmundja e turbekulozit. La amanet që kur të vdiste të shoqërohej me këngë vajtuese dhe kaba me saze nga shokët e tij.
Pogonishte:Mënyrë interpretimi që nënkupton se pjesa muzikore është nga zona e Pogonit, në Dropull. Enc. Në më të shumtën e rasteve bëhet fjalë për vallen shumë të njohur me emrin “pogonishte” në 2/4 dhe 4/4 mbi të cilën ndërtohet zakonisht edhe pjesa e dytë e kabave me gërnetë. Shiko fjalën dropullitçe.
Polifonike këngë:Gjinia dhe forma kryesore muzikore e muzikës iso polifonike vokale në Toskëri dhe Labëri. Enc. Në rast se në Toskëri kemi vetëm këngë iso polifonike dy zërëshe dhe tre zërëshe, iso-polifonia labe ekziston në tre lloje kryesore: me dy zëra ose dyzërëshe, me tre zëra ose trezërëshe, me katër zëra ose katërzërëshe. Në këtë vështrim, iso-polifonia jonë duket se e ka zgjidhur drejt sa unitetin e zërave e po aq diversitetin, pa të cilin është shumë e vështirë të krijohen zëra të individualizuar. Tek Lasgush Poradeci gjejmë përshkrimin letrar të një kënge iso-polifonike në rapsodinë poetike “Bjenë telat”: Dh'athere....nene mal.... Nisi kenga me - nga-dal...; Nisi keng' e shenjteruar, E ja mori me te shtruar....; E ja drodhi me te qare... E ja zjeu...ja hoqi zvare...; E pastaj si me s'u ndje, Zu te ngrihet qe perdhe Gjith me nge...e gjith me nge...; E pastaj filloi te rritet... E te ngjitet...e te ngjitet.. Me me sulm.. e me me jete.. Me perpjete...e me perpjete... Dhe' aq deshire - e aq gas, Aq mall leshovi pas, Aq me ze te parpalitur Pat kenduar dyke ngjitur, Sa....qe lart kur fluturoj, Heshti pak edhe renkoj Dh'u keput posi perroj.. Pa prej kulmit qielluar Ra perposh me t'uleruar, Posi bresher i thermuar... Posi lot i perveluar... Lit: Shituni S, “Polifonia labe”, Tiranë, 1991; Kruta B “Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë, 1991; Çaushi Tefik, “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998; Tole Vasil S. “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, SHBLU, 1999 etj.
Ponoçi Qemal(Përmet 05.05.1920 † Përmet 04.02.1979). Këngëtar dhe interpretues popullor i këngës dhe muzikës IP me saze të qytetit të Përmetit. Enc. Qysh fëmijë, nga i jati, Xhemali, mëson shprehitë e para në veglën e buzukut. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë autodidakte mëson fisarmonikën, vegël të cilën e kishin sjellë italianët në Përmet dhe që përmetarët e quanin edhe llama-llume. Qemali është i pari interpretues në fisarmonikë që merr pjesë në sazet e Vangjel Leskovikut e më pas në ato të Laver Bariut. Krahas interpretimit në fisarmonikë, ai ka kënduar një pjesë të repertorit të artë të muzikës popullore IP përmetare, së bashku me sazet e Usta Laverit. Ndër to, shumica të regjistruara pranë Radio-Tiranës dhe Institutit të Kulturës Popullore përmendim “Një natë janari”, “O borzilok”, “Të dielën sahati tetë”, “Ç’ke moj zogë që po qan”, “Pëllumb i Përmetit” etj.
Postenançe:Mënyrë interpretimi që nënkupton se pjesa muzikore IP është nga fshati i Postenanit-Leksovik. Enc. Në këtë rast bëhet fjalë për vallen shumë të njohur me emrin “postenançe” të interpretuar mjeshtërisht nga sazet e Jugut.
Qemane:Violinë. Etim. Nga persishtja qemane. Enc. E gjejmë të përdorur gjithandej. Në Shkodër e hasim edhe si qemale. Ashtu si në turqishte, ka kuptimin e veglës muzikore kordofone, me hark, me katër tela të pandarë në perde. E konstatojmë edhe si titull këngë si p.sh “Në Tarabosh bjen qemanja”, regjistruar në disqet e “Odeonit”, me nr. Ab 119, nga shoqëria folklorike “D.Prezja”, e viteve ‘40 të shek. XX. Shiko zërin: dhjoli. Lit: Sokoli Ramadan, “Violina dhe pararendëset e saj në traditën popullore”, Kultura Popullore, 1/1990, fq. 153-171; Dizdari Tahir, “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe…”, “Perla”, 4/2004, Tiranë, fq. 5-8 etj.
Saze:e.f., Vegël e gjinisë kordofone në Veri të Shqipërisë, por dhe formacion iso-polifonik me vegla në Jug të saj. Etim. Sipas Sokolit nga persishtja “saz”=vegël muzikore kordofone. Enc. Në muzikën qytetare të Gegërisë, sazja ka qënë një VK e përdorur në ahengun shkodran, kryesisht në fund të shek. XIX, fillimi i shek. XX. Ndër muziktarët e shquar në interpretimet në saze përmendim sazexhiun e vezirit të Shkodrës Mehmet Agë Shllakun, Simon Marketën ( i cilësuar si ndër sazexhinjtë më të shquar në gjithë perandorinë osmane), Ndrekë Voglin, Sait Hoxha, Kasem Xhurin, Hilën e Files, Oson e Falltores etj. Në Toskëri me këtë emër quhet formacioni IP i përbërë nga gërneta, violina, llauta dhe më vonë edhe defi i cili shoqëron këngët popullore qytetare IP. E gjejmë të përdorur me këtë kuptim edhe në poezitë popullore: Amani shokë të ujdisim sazetë,/ se jam mbushur plot kafazetë/ janë mbushur dhe citosurë/Djem e çuna nakatosurë/ Çamëri. Krijimi i sazeve datohet aty rreth fundit të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Konsulli austriak në Janinë në vitin 1872, Ludvig Bettner, në raportin e tij të titulluar “Konfiguracioni gjeografik, historik dhe etnografik i Epirit në vitet 1866-1872, të Vilajetit të Janinës” përmend edhe se në Përmet ka një jetë të gjallë plot larmi, të nxitur nga jevgët që u bien veglave frymore. Sipas Th. Nasit: sazet janë orkestra ideale e klasit të parë të Shqiptarëve. Ndër sazet e para janë ato të familjes Asllan Leksoviku në Leskovik dhe sazet e qytetit të Përmetit. Saze mjaft të njohura janë ato të Korçës, Vlorës, Beratit, Delvinës. Gjirokastrës etj. Eqrem Bej Vlora përmend sazet e Beratit siç ai i pa dhe dëgjoi në qytetin e Beratit, në vitin 1906. Sipas tij orkestra përbëhej nga katër deri në gjashtë vetë me qemane, fyell, kanun dhe jongar. Në popull shpesh here e hasim edhe në sinonimin muzika si më poshtë: Më të raftë zjarri, e shkreta spitalë,/Bini moj muzika, bini me të qarë! E gjejmë edhe në formën frymuri. Shiko ahengu, ahengxhi.
Lit:
Gurashi, Kolë; Sheldija, Gjush “Ahengu shkodran”, tek almanaku “Shkodra”, 1961,1962,1963,1964; Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998; Adhami, Stilian “Përmeti dhe përmetarët në udhëpërshkrimet e të huajve dhe kujtimet e popullit”, Tiranë, 2001, fq. 32-33; Pango, Apostol “Enciklopedia e Delvinës dhe e Sarandës”, Tiranë, 2002, fq. 331; Vlora, Eqrem “Nga Berati në Tomorr”, Tiranë, 2003, fq. 77; Loli, Kosta “Kaba dhe Avaze”, Janinë, Greqi, 2003; Balli, Kristaq “Thoma Nassi”, Korçë, 2006 etj. Për më tepër shih Vasil S. Tole, "Sazet e Shqiperise se Jugut", maj 2021 - YouTube
Sazet e Odries:Grup popullor iso polifonik me vegla i viteve 1960-1970. Enc. Këto saze përcollën me saze këngën tradicionale iso-polifonike labe të zonës së Labovës. Sazet e mbyllën brenda një dhjetvjeçari jetën e tyre artistike. Sazet e Odries përbëheshin nga Thanas Nika, Marika Nika, Xhelo Vasili, Petra Zografo, Koço Fane, Odise Porodini, etj. Në rubrikën EJ (Erotike Jugu) të fonotekës së Radio-Tiranës gjenden edhe këto këngë të regjistruara prej tyre: viti 1965, nr. 41-“Nusja jonë trëndafile”; viti 1966, nr. 60-”Trëndafil manushaqe”; viti 1966, nr. 61-”Nëm ujë se plasa thëllënxë e Beratit”; viti 1966, nr. 68-”Moj faqja portokalle”; viti 1966, nr. 69-”Unë do vete, lule moj lule”; viti 1966, nr. 65-”Do vesh me dhën apo jo”; viti 1966, nr. 73-”U nisa vajta në mulli”; viti 1966, nr. 75-”Cër-cër-cër ja bën tigani”; viti 1966, nr. 108-”Labova rëzë një mali”; viti 1966, nr. 112-”Këndojnë gjashtë bilbila”; viti 1967, nr. 119-”As aman moj lule verdhë”; viti 1967, nr. 127-”Në mal të Odries”.
Sazet e Radios:Grup popullor iso polifonik me vegla. Enc. Me këtë emër njihet formacioni i sazeve që luanin muzikë drejtpërsëdrejti në valët e Radio-Tiranës, rreth viteve 40-të të shek. XX-të, e më pas. Dallojmë dy organizime të këtyre sazeve: i pari përfshin vitet 1939-1944 dhe tjetri 1945-1955. Kjo gjë pohohet edhe në organigramën e Radios të atyre viteve kur thuhet se: "Përveç kësaj (orkestrinës moderne të Radios-shënimi ynë), radiostacjoni ynë disponon edhe një orqestrë-saze-vendi, nga elementët më të mirë dhe më të zotë shqiptarë, që e interpretojnë për bukuri, këngën shqiptare". Fillimisht ideja për të realizuar një disk me muzikë popullore mblodhi në Tiranë, më 1939, formacionin e parë të Sazeve të drejtuara nga Usta Jonuzi i Lamçes, nga Përmeti, me gërnetë. Formacioni i këtyre sazeve përbëhej edhe nga Hysen Ibrahimi, Nazif Mamaqi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbiu (alias Çaçi) me violinë dhe këngëtar, Ali Myslymi (alias Mane Lela) me llahutë. Qysh në programet e para, menjëherë pas formimit të Radio-Tiranës, duke filluar nga viti 1939 e në vazhdim, do të paraqiteshin me këtë emër në rubrikën “Sazet e Radio-Tiranës: Valle e Këngë Popullore”. Në vitet 40-të, në zërin “Muzikë Popullore nga Sazet e Radios”, “ç’do të Mart, të Enjte dhe të Shtun, ora 18.30”, ato do të luanin gjithmonë direkt për spektatorin e tyre të shumtë, një repertor të larmishëm nga gjithë hapësira etnomuzikore shqiptare. Në këto pesë vjet, pothuajse në çdo dy ditë rreth orës 18.30, “Sazet e Radios” ishin në “open air” për dëgjuesin shqiptar anë e mbanë vendit. Një pjesë e repertorit të Sazeve të kësaj periudhe u pasqyrua edhe në transkiptimet muzikore të Pjetër Dungut, të publikuara tek “Lyra Shqiptare” (këngë popullore qytetare) në vitin 1940, të vjela kryesisht nga regjistrimet e Radio-Tiranës dhe të mbledhura nën kujdesin e saj. Për periudhën e dytë (1944-1955) Sazet u bënë një element i përhershëm i strukturës së emisioneve kulturore. Ata dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Radios si grupi shkodran, orkestra e muzikës së kultivuar etj, konsideroheshin si faktorë tepër të rëndësishëm në rritjen e cilësisë së emisoneve. Në vitet ’50, formacioni përbëhej nga Jonuz Kona (Lamçe), Sabri Feimi, Hysen Ibrahimi, Sadik Azbiu, Çoban Arifi dhe Ali Myslymi, shumica pjestarë të formacionit të parë. Krahas tyre u afruan edhe elementë të tjerë si këngëtari i shquar i “Shoqërise Demka Hajro-Korçë”, Çoban Arifi, llautari dhe këngëtari i shumë të njohurës këngë popullore “Do marr çiftenë do dal për gjah”-Selim Asllani. Kyesisht me origjinë nga Jugu i Shqipërisë, ata regjistruan në periudhën 1945-1955 një repertor të pasur si të muzikës me vegla dhe vokale të Shqipërisë së Jugut. Vlera e këtyre Sazeve është shumëplanëshe. Së pari, “Sazet e Radios” u bënë formacioni i parë zyrtar i “sazeve” shqiptare të cilët afirmuan arritjet e deriatëhershme të sazeve dhe të muzikës popullore qytetare në mediumin kryesor shqiptar, Radio-Tiranën. Kjo gjë, në dukje e thjeshtë, është një nga shembujt më të mirë të vlefshmërisë së gjithëkohëshme të folklorit tonë muzikor, i cili deri në këtë kohë kishte shërbyer si ndërgjegja më e fortë e kombit. Mjeshtëria e lartë interpretuese e pjesëtarëve të saj (së bashku me atë të formacionit të muzikës qytetare shkodrane), i bëri një qëndresë të gjallë të gjithë kulturës tjetër muzikore që propagandohej në valët e Radios. Krahas gjithë vlerave të tjera të muzikës botërore, muzika popullore shqiptare nëpërmjet mjeshtrave tanë të sazeve e ripohoi identitetin shqiptar edhe në kushtet e pushtimit fashist të vendit. Kështu “Sazet e Radios” ishin një nga treguesit më domethënës të ruajtjes së tipareve kombëtare të saj. Së fundi, “Sazet e Radios” ishin formacioni që lidhi traditën e madhe të muzikës me saze të para viteve 1940, me Sazet e gjysmës së dytë të shek.XX. Formacioni i pëlqyer i tyre ishte 1 gërnetë, 1 violinë 2 llauta. Pas shpërbërjes, një pjesë e tyre formoi orkestrinën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore-1957. Veprimtaria e tyre pranë Radio-Tiranës vazhdoi deri në fund të viteve 50-të. Ndër regjistrimet e tyre në rubrikën “EJ” (Erotike Jugu) të Radio-Tiranës përmendim: “Ç’u ngrita nga gjumi”, 2’30”, viti 1949; “Dardha rumbullake”, 4’, viti 1950; “Çobankat që shkojnë zallit”, 3’, viti 1957; “As aman o ,moj lule”, 4’, viti 1958; “Do marr çiftenë do dal për gjah”, 3’, viti 1958; “Hodha një lule në ferrë”, 3’, viti 1958; “Zogë ku më qënke rritur”, 4’, viti 1958; “Pikën e ballit ta zuri stolia”, 5’, viti 1958; “Kur më shkon sokakut”, 3’30”, viti 1958; “Në një ditë vere ta dëgjova zënë”, 2’40”, viti 1960; “Ç’ke me mua që s’më do”, 3’, viti 1966; “Vajzë e valëve”, 2’50”, viti 1966; “Pa dil bijë ç’janë ata”, 2’, viti 1966; “Dola një ditë në bahçe” (valle e kënduar), 2’30”, viti 1966; “Ç’u ngrit lulja në mëngjes”, 2’20”, viti 1966. Lit: “Këngëtari popullor Nazif Mamaqi nga Përmeti ka ardhur në Tiranë”, gaz. “Skënderbeu”, 1925, nr. 23, 2 Mars, fq. 2; Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj. Për më tepër shih Jonuz Keko – Odea Academy (odeacademy.org)
Sazexhi:Interpretues në veglën e sazes ose pjestar i formacionit të sazeve. Enc. Sazexhi në përgjithësi thirrej muziktari popullor, pjestar i formacionit me vegla të sazeve IP. Sazexhiu i binte gërnetës, qemanes, llautës apo edhe dajres dhe njëkohësisht këndonte. Si sazexhinj shumë të njohur në interpretimet në VK të sazes, në muzikën popullore të qytetit të Shkodrës, kanë qënë Mehmet Shllaku, Kasem Xhuri, Simon Marketa, Nush Pali etj. Shkrimtari Dh. Shuteriqi ka shkruar tregimin me titull “Sazexhiu”. Shiko gërnetaxhi, dajrexhi, dhjolixhi etj.
Lit: Gurashi, Kolë Sheldia Gjush, “Ahengu shkodran”, tek alamanaku “Shkodra”, 1/1961, fq. 210; Shuteriqi, Dhimitër “Te qafa e botës”, Tiranë, 1986; Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998; Pango, Apostol “Enciklopedia e Delvines dhe e Sarandës”, Tiranë, 2002, fq. 331 etj.
Selimi & Hafizeja:Sazexhinjtë më të shquar të muzikës IP popullore me saze në Shqipërinë e Jugut, të gjusmës së parë të shek. XX. Enc. Është Asllani i cili ndërton brenda familjes së vet, me fëmijët e tij dhe vëllezërit e tij, sazet e famshme të njohura me emrin e tij dhe të familjes Leskoviku. Asllani rridhte nga një familje me tradita dhjetra vjeçare në fushën e interpretimit në vegla popullore. Prej kësaj familjeje sazexhinjsh, më konkretisht “Muzikë Shqiptare e drejtuar prej Asllan Leskovikut”, dhe familjes (djali Ajdini me gërnetë, lindur më 1867-vdekja ?), kemi edhe pllakën e parë të gramafonit duke u bërë kështu të parët sazexhinj që fiksohen në pllakat e gramafonit. Jo më kot thuhet në popull se “me ç’mjeshtër do bjerë, atë zanat do nxjerrë”. Vetë familja Leskoviku përpara Asllanit (familje e emigruar qysh herët në Stamboll) ishte e ngjashme me një yllësi, e cila me shpërbërjen e saj krijoi shumë vatra të reja ku u kultivua muzika popullore. Pas Asllanit, më të shquarit e familjes së tij por edhe të gjithë sazeve të Jugut, për periudhën deri më 1940 janë fëmijët e tij “Selimi me Hafizenë”, vëlla e motër. Për datën e lindjes dhe vdekjes së “Selimit & Hafizesë” nuk kemi të dhëna të sakta. Mendohet të kenë lindur rreth viteve 1870-75 në Leskovik. I ati, Asllani, emigron në Stamboll në fillim të shekullit, qytet ku qëndron deri më 1914. Pas largimit të familjes Leskoviku nga Stambolli, ku (rreth 1914) deri në fund të viteve 1920 kanë punuar në Leskovik, kryesisht në kafenenë e tyre në qendër të qytetit, por edhe si saze shëtitëse në gjithë Shqipërinë e Jugut dhe në Janinë. Largohen përfundimisht në Stamboll rreth vitit 1922 dhe dihet se një pjesë të madhe të veprimtarisë pas viteve 1930 e përqëndruan në klubet e shqiptarëve ku “këndonin këngë leskoviqarçe, përmetare e korçare”. Pa asnjë dyshim, formimi i tyre si sazexhinj është bërë si pranë të familjes së tij ashtu edhe nën ndikimin e traditave të shquara muzikore të lojës me saze të qytetit të tyre të lindjes, Lekovikut. Ndikim të rëndësishëm tek loja e tyre ka pasur folklori muzikor polifonik i zonës së Shqerisë prej së cilës ata kanë huazuar edhe pjesën më të madhe të repertorit vokal. Selimi në gërnetë dhe në të kënduar Hafizeja në të kënduar dhe në të intepretuar në violinë, mbeten ende nga majat më të larta të interpretimit dhe krijimit të muzikës popullore qytetare. Ende sot flitet për veçantitë e zërit të Hafizesë ashtu si nëpër një legjendë. Regjistrimet e saj prezantojnë një diapason vokal jo të zakonshëm, i cili shtrihet dhe përfshin regjistrin më të ulet të kontraltos e deri në maksimumin e një sopranoje kolorature. Megjithëse kanë kaluar shumë vjet, ende në muzikën qytetare jugore Hafizeja dhe interpretimet e saj janë etalon i intepretimit për cilindo këngëtar e këngëtare. Në Leskovik flitet edhe për matërmanë e Hafizesë, Mitrinë prej së cilës Hafizeja mësoi shumë stilema popullore. Edhe Selimi në gërnetë qe padyshim një mjeshtër. Qysh në ato vite ai cilësohej si klarinetisti më i shquar. Atij i njihet formimi i lojës virtuoze në gërnetë, e cila shfaqet edhe tek shoqërimet e këngëve, por më tepër tek pjesët me vegla të sazeve, qofshin këto “avaze”, “të qara”, “valle” apo “kaba”. Është meritë e padiskutueshme e tyre ndërtimi i këngës qytetare të Leskovikut dhe përgjithësisht i këngës qytetare tip të qyteteve të Toskërisë, pra kënga polifonike që hapet me saze dhe mbyllet po me to. Duke shfrytëzuar foklorin e pasur fshatar të zonës përreth ata krijuan stereotipet bazë të muzikës qytetare me saze. Duhet theksuar se te këto saze nuk vendos dot një kufi ndarës ndërmjet interpretit dhe krijuesit. Mendohet se te dyja këto cilësi artistike qenë të trupëzuara në sazexhinjtë e këtyre sazeve. Formacionit klasik i formuar prej tyre ka qënë i përbëre prej 1 gërnete, 1 violine dhe 1 llaute. Si të tilla këto Saze provohen të jenë dhe në këngën shumë të njohur “Leskovik, o fryn një erë”: Leskovik o fryn një erë/dilni hapni penxheretë,/se vjen djali vete i tretë/me llautë e me gërnetë,/qemanesë i bie vetë. Regjistrimet e tyre me muzikë popullore u bënë pranë shoqërive diskografike të “ODEON-it”, “COLUMBIA-s” dhe “HIS MASTER”S VOICE”. Gjithë sazet e tjera pas tyre njihen me emrin Sazet ose shahirët e Leskovikut. Traditën e sazeve të Selimit në Stamboll e vazhdoi i biri i tij Novruzi me gërnetë. Të dëgjuar për vlerat e tyre janë në këtë kohë edhe Sazet e Merko Ibrahim Leskovikut i afërm i Asllanit, “Muharremi me Nedinë” etj. Ja disa nga regjistrimet e tyre muzikore në disqe: “ODEON”: Pllaka Co 711, “Unë ti ta thashë me shaka” (Valle), Selim Asllan Leskoviku me gërnetë; Pllaka Co 713, “Valle me tri” (Horo sta tria), Selim Asllan Leskoviku me gërnetë; Pllaka Co 718, “E Qarë e Selim Asllan Leskovikut”, Selimi me gërnetë; Pllaka Co 716, “O moj qita leshtë shumë”, Zonj. Hafize, Shoq. Selim Asllan Leskoviku; Pllaka Co 717, “Kush të ka moj ruskë”, Zonj. Hafize, Shoq. Selim Asllan Leskoviku. “COLUMBIA”: Pllaka 294218, “Kur jec e vetum”. Selimi & Hafisja; Pllaka 294219, “Goca berberit”. Selimi & Hafisja; Pllaka 294223, “Valle graptchartche”. Z.Selimi & Hafisia. “HIS MASTER’S VOICE”:Pllaka (70-1358). “Këngë e Mamudisë”. Selim efendiu me shokët.

Lit: Tole, Vasil S “Sazet muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj. Për më tepër shih Sazet e Selimit dhe Hafizes, botimi me CD! - YouTube

Sulollari, Ilmi(Pogradec 12.06.1935). Këngëtar i njohur i muzikës popullore IP të qytetit të Pogradecit. Enc. Fillon aktivizimin si këngëtar në vitin 1947, dhe më 1949 spikat interpretimi i këngës popullore prej tij në shfaqjen artistike të "Dasmës pogradecare" ku ai interpretoi një shumicë këngësh lirike dasme. Përveç këngëve si solist, ai së bashku me këngëtaren Roza Dhami krijuan një çift këngëtarësh që shumë shpejt u bënë të njohur në Pogradec por edhe më gjerë. Ndër interpretimet e tyre përmendim “Këngën e çobanit”, “Vajza e Bishnicës”, “Vallja mokrare”, “Malli ç'na ka marrë” etj. Ka marrë pjesë në aktivitet vendore dhe ato kombëtare si në F.F.K por edhe jashtë vendit si në festivalin ballkanik të Ohrit, në Maqedoni Regjistrimet e tij muzikore janë bërë kryesisht pranë Radio-Tiranës nën shoqërimin e sazeve te mjeshtrit te gërnetes IP pogradecare, Usta Jashar Nazifi.
Shahir:Emërtim për të përcaktuar muziktarët popullorë, pjestarë të formacionit të sazeve. Enc. “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”, Tiranë 1980 jep këtë përcaktim: SHAIR,~I m.sh.~E,~ET vjet. Sazexhi. Morën shairë në dasmë. Erdhën shairët. Sipas Thimi Mitkos kemi: shahir-folës, kuvendar; edhe poet. Fjalën shahir e gjejmë tek vepra e A.Dozonit si dhe tek përralla “Violinisti” ku thuhet se “… ay diali u hoq nga shkoloja dhe zuri të psonte që të bëhej shair”. E gjejmë edhe si mbiemër si në rastin e muziktarit të ahengut shkodran Shtjefën Shahirit (1800-1880). Disqet e para të ahengut shkodran (1910) mbanin mbishkrimin “Shoqnia e këngëçive e shahirave”. Shiko gjithashtu fjalët sazexhi, gërnetaxhi.
Lit: Dozoni, A “Manuel de la langue Chkipe ou Albanaise”-1879; Gurashi, Kolë almanaku “Shkodra”-1962; Mitko, Th “Vepra”, Tiranë, 1981; Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj.
Shqiptare iso-polifonia:Klasifikim dhe përcaktim etnomuzikologjik për muzikën IP nga lumi Shkumbin e në jug. Enc. Iso-polifonia shqiptare është realisht një ndër vlerat më të spikatura të folklorit muzikor shqiptar por dhe të trashëgimisë kulturore folklorike botërore në përgjithësi. Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit. Në Toskëri shumëzërëshin e gjejmë me këtë organizim strukturor: Zëri I -”ia hedh”-hedhësi ose marrësi, Zëri II ”ia pret”-pritësi, Zëri III-”mbajnë zënë” -iso, në grup. Në Labëri: (tre zërëshi) Zëri I-”ia merr”-marrësi, Zëri II-”ia kthen”-kthyesi, Zëri III-”ia mbush”-mbushësat-iso, në grup. (katër zërëshi) Zëri I-”ia merr”-marrësi , Zëri II-”ia kthen”-kthyesi , Zëri III-”ia hedh”-hedhësi , Zëri IV-”ia mbush”-mbushësat-iso, në grup. Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat e mësipërme të cilar shprehin në thelb strukturën e iso-polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit.
Lit: Sokoli Ramadan, “Folklori Muzikor-Morfologjia”, Tiranë, 1965; Shituni Spiro, “Polifonia labe”, Tiranë, 1989; Kruta Beniamin, “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë jugore”, Tiranë, 1989; Tole Vasil S; “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”, Tiranë, 1999 etj.  Për më tepër shih Vasil S. Tole, "Polifonia me iso dhe një zërëshi" - YouTube
Takëm:Saze. Enc. Me fjalën takëm gjejmë rëndom të përcaktuar formacionin popullor IP të sazeve. Sipas Mitkos e gjejmë edhe me kuptimin: veshje e plotë njeriu. Takëmi nënkupton një grup njerëzish (në rastin tonë muziktarë popullorë), një dorë, një palë.
Lit: Mitko. Thimi, "Vepra", Tiranë, 1981; Tole. Vasil S, "Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut", Tiranë, 1998 etj.
Tajfë:Formacion muzikor me vegla popullore. Etim. Huazim i turqve nga arabët, me kuptimin grup, kategori shoqërore, esnaf. Nga verifikimi që u bë në kartotekën e leksikut të gjuhës shqipe të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë rezulton edhe me këto kuptime: tajf,-i (grumbull) “Njerëzit bëheshin tajf dhe shkonin shpi më shpi”. Grepckë-Skrapar; tajfa- (grup) “Të më vish me shumë tajfë, bej more”. Dangëlli-Përmet; tek; tajfa- (grupi, tufa, grigja); tajfa-tajfa-Bajraktarët në Peshkopi, në Pazar, mbanin prapa nga gjashtë-shtatë veta dhe shëtisnin tajfa-tajfa. Enc. Tajfat e muzikantëve, të cilat janë konstatuar qysh në shek.XVI-XVII në qytetet kryesore të Shqipërisë, janë vetëm një pjesë e historisë apo e traditës së muzikës instrumentale përpara sazeve. Themi që janë një pjesë e traditës pasi qënia e tyre në realitetin shqiptar nuk rridhte si një normalitet dhe fazë e zhvillimit të folklorit muzikor tradicional. Kjo nuk përjashton faktin që interpretues virtuozë shqiptarë të jenë shquar në këtë kohë (apo që tajfat të kenë pasë interpretuar edhe muzikë tradicionale shqiptare), por gjithsesi duhet të ketë qënë i vështirë një orientim më liberal i këtyre organizmave të tipit kulturor-kolonizues. Tajfat ishin formacione të importuara (të cilat interpretonin kryesisht muzikë të llojit monodik), që luajtën rolin e tyre krahas gjithë pjesëve të tjera të shtetit dhe administratës turke, dhe veprimtaria e tyre duket se ka qënë pazgjidhshmërisht e lidhur me kulturën muzikore mbarëperandorake, të sjellë përgjatë sundimit pesëshekullor. Si të tilla, tajfat ishin formacione muzikore profesioniste të lidhura fare ngushtë me një skeme të përgjithshme të njësuar të funksionimit të shtetit perandorak, dhe jo si një realitet kulturor shqiptar i pranuar dukshëm nga të gjithë. Duke përjashtuar qytetet kryesore të vendit ku tajfat ishin përqëndruar, përhapja dhe ndikimi në thellësi të territorit të vendit ka qënë i pandjeshëm. Për shkak të natyrës së fortë konservative të zonave të Toskërisë dhe Labërisë (të pamundësisë së çarjes së njësisë polifonike të organizimit muzikor të tyre), zhvillimi i tajfave të muzikantëve dhe ndikimi i tyre në muzikën popullore zuri vend më të madh në qytetet e Shqipërisë së mesme dhe asaj veriore sesa në jug të vendit. Me emrin tajfa, i gjejmë formacionet muzikore popullore edhe tek shqiptarët e Maqedonisë, kryesisht si tajfa, me pizga, lodra dhe daulle. Ndër këto tajfa përmenden ato të Bajrushit nga Struga, Tajfa e Kurtishit-Ladorisht, Tajfa e Remçes etj. Lit: “Visaret e Kombit”, Tiranë, 1941; “Burime të zgjedhura për Historinë e Shqipërisë”, VIII, Tiranë, 1962; Zija. Shkodra, “Esnafët shqiptarë”, Tiranë, 1973; Revista “Nëntori”, 1967; Tole. Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998; Murtishi. Kaim, “Ladorishti, histori dhe tradita”, Strugë, 2001; Duka. Ferit, “Berati në kohën osmane, shek. XVI-XVIII”, Tiranë, 2001; Vlora Eqrem, “Nga Berati në Tomorr”, Tiranë, 2003 etj.
Tartaposh:Këndi i sazeve-orkestrës popullore. Enc. Në Lunxhëri tartaposhi ishte ndërtuar në divan, në pjesën e sipërme të shkallëve të shtëpisë karakteristike lunxhiote. Me këtë emër e gjejmë të përdorur në Lunxhëri. Shiko zërin: këndi i sazeve.
Toske:Shprehje e praktikës muzikore popullore IP. Enc. Toske do të thotë që krijimi muzikor popullor dhe mënyra e interpretimit të tij janë nga zona iso polifonike toske. Shiko më poshtë zërin: toske iso polifonia.
Toske iso-polifonia:Njëra ndarje e iso-polifonisë shqiptare. Enc. Për IPT do të theksonim se ajo këndohet nga krahu i djathtë i lumit Vjosa e deri në Shkumbin. Muzika iso-polifonike e Përmetit, Leskovikut, Kolonjës, Korçës, Devollit, Mokrës, Oparit, Skraparit, Shpatit, Myzeqesë, Librazhdit, Gramshit, Beratit na paraqiten pak a shumë si një temë me variacione, ku tema është tipi tosk i polifonisë. IPT e gjejmë edhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në të quajturën “Maqedoni toske”, ku futen shqiptarët që banojnë në pjesën lindore të liqenit të Prespës, në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit dhe në anën e majtë të Drinit të Zi në rrethinën e Strugës të cilët këndojnë me një, dy dhe tre zëra. Konkretisht në fshatrat Frëngovë, Ladorisht (Radonisht), Kolisht, Zagrajani, fshatra të cilët janë në drejtim të Mokrës së sipërme; në fshatrat e Prespës-Kranjë, Arvat, Gërncan, Belloceika e Poshtme, Belloceika e Sipërme, Nakolec, Lubojna, Asamati që shtrihen në zonën gjeografike në kufi me Shqipërinë dhe Greqinë dhe që njihen në popull për këtë fakt edhe me emrin “treshi”; si dhe në rrethinat e Manastirit (Bitolës) si në fshatin Kishof etj. Ashtu si dhe në IPL, iso-polifoninë toske e konstatojmë si tek burrat ashtu edhe tek gratë dhe gati në të gjitha llojet e gjinive, duke filluar nga krijimet poetike me ngarkesë mitologjike e rituale, vallet, baladat e këngët historike, lirike, të dashurisë, të kurbetit, vajet, bejtet, etj,. Iso-polifonia është kënduar në ç’do vend dhe rast, gëzim apo fatkeqësi. Sipas Çabej: melodinë toske të vërtetë më vjen t’a përshkruaj më mirë me dy atributet elegjiake dhe ekspansive. Përsa i përket iso polifonisë me vegla në iso-polifoninë toske, do të theksonim se ekzistojnë një sërë formacionesh popullore me vegla tradicionale që luajnë në polifoni. Me emërtimet: përmetarçe, kolonjarçe, devolliçe, myzeqarçe, etj do të kuptojmë variantet lokale të të kënduarit të IPT. Tipi tosk i iso-polifonisë konstatohet edhe për Çamërinë. Shiko dhe çame iso-polifonia. Lit: Kruta. Beniamin, “Polifonia dy zërëshe e Shqipërisë Jugore”, Tiranë, 1991; Tole. Vasil S, “Folklori muzikor-Polifonia shqiptare”, Tiranë, 1999 etj.
Usta:Term i praktikës muzikore popullore. Etim. Nga persishtja ostad. Enc. Fjala usta në muzikën popullore, ashtu si dhe në fusha të tjera përdoret për të thirrur mjeshtrin e interpretimit në veglën muzikore popullore. Me këtë fjalë janë thirrur Usta Isuf Myzyri i Elbasanit, Usta Laveri i sazeve të Përmetit, Usta Selim Leksoviku, Usta Medi Përmeti etj. Në Malësinë e Madhe në vend të fjalës usta, gjejmë të përdorur fjalën prekatar.
Vënçe:Fjalë që tregon një mënyrë të krijuari dhe të interpretuari vendase-autoktone. Enc. Kur përdoret kjo fjalë, domethënia është e qartë: të interpretosh në vegël apo të këndosh vetëm sipas mënyrës që pranohet nga të gjithë si vendase.
Vlonjate trio:Formacion muzikor popullor iso polifonik i qytetit të Vlorës. Enc: “Trioja vlonjate” u krijua në fillim të viteve ‘50 të shek. XX-të dhe përbëhej nga baritoni Konstandin Thana-kthyes (Shkodër 21 Maj 1929), tenori Reshat Osmani-marrës (Vlorë 14 Janar 1928- + Vlorë 10 Nëntor 1994) dhe sop. Besharete Ismaili-marrëse (Vlorë 1930). Në vitin 1953, pranë këtij grupi futet edhe alto Meliha Doda-marrëse (Tiranë 25 Maj 1933) me të cilën plotësohet ky formacion që zhvilloi veprimtarinë e tij për më se 40 vjet. Një ndihmesë të madhe në konsolidimin e krijimtarisë muzikore të trios ka dhëne edhe Themistokli Mone (Vlorë 17 Tetor 1919- +Vlorë 12 Korrik 1995). Këngët e trios vlonjate konsiderohen me të drejtë si këngë të repertorit të muzikës popullore qytetare IP vlonjate të gjysmës së dytë të shek. XX, këngë që pasuan traditën e madhe të sazeve të Bilbil Vlorës, në gjysmën e parë të shek. XX të cilat e kanë origjinën prej këngës fshatare iso-polifonike të fshatrave rreth Vlorës. Ndër këngët më të njohura të tyre përmendim “Jeleku prej kadifeje”, “Hajde moj kumbulla vlonjate”, “Kanko kapedaneja”, “Vlora e bukur me stoli” etj. Këngët janë shoqëruar nga një formacion me vegla si klarinetë, violinë, dajre etj. Aktivitetin e kanë zhvilluar kryesisht në Vlorë dhe përgjithësisht edhe në qytetet e tjera në Shqipëri. Trioja ka dhënë koncerte edhe në Kosovë, Poloni, Rumani, Kinë, Bullgari etj. Regjistrimet muzikore i kanë bërë pranë Radio-Tiranës. Veprimtaria e tyre mbyllet në fund të viteve 1980. Në kujtim të veprimtarisë artistike të “Trios vlonjate”, RTV Shqiptar realizoi në vitin 2001, filmin dokumentar “Kënga e Prerë” me regji të Dhimitër Gjokës. Krahas “Trios”, në ato vite përmenden edhe këngëtarët Sofije Pando, Ali Hata, Bajram Lulushi, Kozma Koçi etj. Traditën e tyre pas viteve ‘80 e vazhduan këngëtarë si Kleopatra Dokle, grupi i burrave i shtëpisë së kulturës-Vlorë, Klara Bakiu etj. Lit: Gaçe Bardhosh, “Reshat Osmani dhe kënga qytetare e Vlorës”, Tiranë, 1996; Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998 etj.
Vlora Bilbil:( Përmet 1883- Vlorë 1948). Bilbil Vlora këngëtar popullor dhe muziktar i shquar në gërnetë, figurë qëndrore e muzikës popullore qytetare dhe e sazeve IPL të Vlorës të viteve 1930-1940 së bashku me vëllanë e tij Asim Cenaj (1917-1949). Njëri me gërnetë dhe tjetri me violinë, u krijua bërthama e parë e qëndrueshme e sazeve të cilat më vonë do të mbanin emrin "Shoqnia e Zotit Bylbyl". Enc. Familjen Ceno-Vlora disa e konsiderojnë të ardhur nga Gjirokastra, të tjerë i quajnë sot me të drejtë vlonjatë, ndërkohë që origjina e vërtetë e familjes së tyre është nga Përmeti. Bilbili e mësoi gërnetën nga i jati-Abdyli. Më 1922 fillon aktivizimin si saze kryesisht të përbëra nga elementë të familjes. Pas një dasme në Kaninë, sazet e tij filluan te pëlqeheshin, duke u futur natyrshëm në jetën e qytetit. Më 1925, dalin jashtë Vlorës për të bërë muzikë në Berat. Po më 1925, sazet e Bilbilit ftohen në qytetin e Shkodrës nga familja Marubi me ndërmjetesine e Shtjefën Gjeçovit dhe Dom Mark Vasës, i cili punonte në këtë kohë në kishën katolike të Vlorës. Në vitin 1927 dhanë koncerte në Leçe të Italisë. Në vitet '40, të shek. XX, vendi me i pëlqyer i tyre, por në përgjithësi i muziktarëve popullorë të Vlorës, kanë qënë pijetoret e Osmanllinjve dhe të Moneve. Holli i shtepisë së Eqrem bej Vlorës ka qënë gjithashtu një nga vendet e pëlqyera ku bënin muzikë sazet e Bilbilit. Ashtu si dhe në rastin e muzikës me saze të qyteteve toske, edhe sazet e Bilbil Vlorës u orientuan për nga folklori tradicional i fshatit. Për këtë arsye, Bilbil Vlora do të mbetet një nga reformuesit kryesorë të këngëve qytetare vlonjate me saze, të mbështetura mbi ato polifonike popullore me iso, si dhe autori i strukturimit të “Kabasë labçe-labërishte” me gërnetë Kjo është e dukshme në të, pasi kënga qytetare iso polifonike e Vlorës është e përngjashme me këngët IPL fshatare, pa saze, të fshatrave përreth si: Kaninë, Drashovicë, Oshëtimë, Panaja, Cerkovinë, të cilat u bënë thelbi i këngës së re qytetare vlonjate. Kuptohet që praktika e sazeve e zgjidhi këtë çështje në vijueshmëri dhe në përputhje me traditën pararendëse. Kështu, këngët “labçe” me saze krijuan realitetin tjetër të madh, që muzika me saze formësoi në këtë kohë. Me realizimin e tyre, u orientua krijimi i repertorit muzikor dhe veçanërisht kënga popullore qytetare labe. Regjistrimet diskografike të Bilbilit janë bërë kryesisht pranë “COLUMBIA”-s. Ndër këngëtarët dhe interpretët e shquar të këngës qytetare IPL të kësaj kohe, përmendet edhe Zoj Havaja” etj. Tradita e krijuar në këto vite në këngën dhe, më gjerë, në muzikën popullore qytetare të Vlorës, e vazhdoi pas viteve 1950 formacioni i njohur me emrin “Trioja vlonjate”. Disqet e Bylbyl Vlorës regjistruar tek “COLUMBIA”. Made in England:Pllaka 37698. “Kapitani Las”. Z.Bylbyli me shoqni. Vlonë; Pllaka 37697. “Kapitani i Vlonës”. Shoqnija Z.Bylbyli Vlonë; Pllaka 37691. “Penxheren e Zotnis. Valle për meççe”. Z.Bylbyli, Vlonë; Pllaka 37692. “Alas Taksim”. Shoqnia Z.Bylbyli, Vlonë; Pllaka 294291. “Valle me Trish”. Z.Bylbyli me shok. Vlonë; Pllaka 294292. “Valle Zylesh”. Shoqnija, Berat. Shih vlonjate trio.
Lit: “Një bandë popullore në Vlorë”, tek Përlindja e Shqipnies, 1913; Tole Vasil S, “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut”, Tiranë, 1998; Zyka Mynyr, “Ku këndohet kënga fshatçe”, Vlorë, 2003 etj. Për më tepër shih Bilbil Vlora – Odea Academy (odeacademy.org)
Xhemali Mentor:(Përmet 12 Maj 1924 - Tiranë 9 Prill 1992), Këngëtar i shquar lirik si dhe i këngës popullore IP përmetare, “Artist i Popullit”. Enci: Fëmijërinë e kalon në qytetin e lindjes, në Përmet. Në mesin e familjes së tij e cila shquhej për dashurinë dhe interpretimin e këngës popullore përmetare, Mentori mori aromën e parë të saj. Megjithëse ende i vogël, punon për bukën e gojës si punëtor në Sarandë dhe në portin e Durrësit. Rreth vitit 1943, si shumë të rinj shqiptarë, rreshtohet në rradhët e ushtrisë partizane për çlirimin e Shqipërisë. Aktivizohet në formacionet muzikore të ushtrisë partizane, dhe me krijimin e Ansamblit të Ushtrisë nga muziktari Gaqo Avrazi merr pjesë në të si korrist. Pas çlirimit të vendit, në vitet 1952-1955 studion për kanto-bas në konservatorin “P.I.Çajkovski” në Moskë. Më pas emërohet si solist në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë ku interpretoi mjeshtërisht edhe shumicën e roleve të cilat ju ngarkuan. Bën një karrierë të rrufeshme, dhe në vitin 1975 vlerësohet me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Në vitin 1977 del në pension. Shumë të njohura janë interpretimet e tij në këngët “Për ty atdhe”, romancën “O ju male” të Çesk Zadejës, arien e Don Bazilios nga opera “Berberi i Seviljes” e XH. Rosinit etj. Me këngën popullore në mënyrë publike merret pas vitit 1977. Regjistron për herë të parë këngë popullore përmetare gjatë xhirimit të filmit “Gjeneral gramafoni” me regji të Viktor Gjikës, së bashku me këngëtarin tjetër nga Përmeti Ylli Zeqiri. Të vitit 1977 janë edhe këngët shumë të njohura për të gjithë muzikdashësit shqiptarë si “Morra rrugën për Janinë” dhe “Zura një bilbil me vesë”. Që pas këtij bashkëpunimi, Mentori vendos një komunikim të përhershëm me qytetin e Përmetit dhe në mënyrë të veçantë me sazet e Usta Laver Bariut, me të cilat regjistron rreth 30 këngë përmetare IP në Radio-Tirana. Pas viteve 1990, zhvillon një veprimtari të dendur koncertale jashtë Shqipërisë si në Francë, Danimarkë, Hollandë, Belgjikë, Gjermani etj me këngën popullore përmetare në përbërje të sazeve të familjes Lela. Është ky bashkëpunim me një mjeshtër tjetër të muzikës popullore shqiptare si Çobani, që i dha kulturës sonë disa perla të tjera të kënduara nga Mentor Xhemali me këtë formacion po aq të shquar. Me sazet e Lelave, Mentori ka regjistruar dhe publikuar disa këngë në CD e e publikuar në Francë në vitin 1992, realizuar pranë studios diskografike Indigo. Është fakt që këngëtimi i Mentor Xhemalit në këngën popullore përmetare i dha kësaj këngë një përhapje mbarë kombëtare dhe më tej, duke e nxjerrë nga kornizat e një folklori muzikor lokal. Këngëtimi i Mentor Xhemalit si në opera ashtu edhe në këngën popullore mbetet një rast unikal për vlerat që krijoi në këto dy fusha. Lit: Frashëri Thoma, “Artisti i Popullit Mentor Xhemali”, “Drita”, 1970, 22 mars; Cane Nesti, “Artisti i Popullit Mentor Xhemali”, Pionieri, 1977, nr.2; Hajro Riza, “Për të kujtuar një kohë”, Tiranë, 1998 etj.
Zanat e malit:Figura mitologjike shqiptare-hyjneshat e maleve shqiptare. Etim. Sipas Joklit: emri Zana prej latinishtes-Diana. Sipas një tjetër opinioni: Zana rrjedh nga emri ZA (zana, zëri).Enc. Në veri e gjejmë me emrin Zana, në Jug me Zëra. Sipas Çabej: zëri i natyrës dhe i ndërgjegjes njerëzore. Zakonisht “Zanat e malit” përshkruhen si vajza të maleve me fuqi të mbinatyrshme por dhe me aftësi të veçanta në të kënduar dhe kërcyer. Sipas Sokolit: vetë emri (zana e shtojzovalle) i këtyre krijesave të tejdukshme, të përbëra prej drite, prej tingujsh e prej lëvizjesh vallëzuese, është kuptimplotë. Sipas Tirtës: Zanat kanë fëmijë që i përkundin në djepa, lodrojnë, këndojnë, hedhin valle, u bien veglave muzikore. Ja si thotë populli: “Po knojke si zanë mali”. Meqënëse dalin zakonisht natën, Zanat njihen edhe si “t’lumet e Natës”. Megjithëse nuk kemi të dhëna rreth melodikës së këngëtimit të tyre, “Zanat e malit” dalin edhe frymëzuese të rapsodëve shqiptarë gjatë këngëtimit me lahutë ose karadyzen, të ngjashme me frymëzimin që muza greke e muzikës dhe poezisë-Evterpi u jepte këngëtarëve të lashtësisë. Zanat e malit i hasim dendur në rapsoditë kreshnike shqiptare me lahutë.Sipas “Fjalorit enciklopedik”: kulti i fortë i Zanës në Shqipëri dhe në mbarë gadishullin Ballkanik, na bën të mendojmë se te Zana kemi të bëjmë me një hyjni vendase paragreke. Konica i konsideron Zanat: mike të Shqipërisë. Në këtë kategori futen edhe figurat e tjera mitologjike shqiptare si shtojzovallet dhe jashtësmet. Në Durrës në vitin 1914 botohej gazeta me titullin “Zana”. Lit: “Visaret e kombit-4”, Tiranë, 1937; “Rapsodi kreshnike”, Tiranë, 1991; “Fjalori i mitologjisë”, Tiranë, 1987; Konica. Faik, “Vepra”, Tiranë, 1993; Koliqi. Ernest, “Vepra 1”, Prishtinë, 1996; Tirta. Mark, “Qënie mitike te shqiptarët dhe paralele të lashtësisë iliro-trake”, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë, 1997, nr. 27; Çaushi Tefik, “Fjalor i estetikës”, Tiranë, 1998; Sokoli. Ramadan, “Gojëdhana e përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë, 2000 etj.
Bariu, Laver:(Përmet 2 Maj 1929- 26 janar 2014). Personalitet i shquar i muzikës popullore IP shqiptare, si muziktar popullor në gërnetë dhe si këngëtar. Themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit, të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj.  Enc. Djali i Bariut, këngëtarit popullor dhe interpretuesit në llahutë, tregoi që i vogël një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore të thjeshta të cilat i sajonte vetë nga degët e pemëve ose edhe nga kallami i grurit etj. Pas largimit të familjes së tij në qytetin e Korçës, në vitin 1935, Laverit iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muziktarë të shquar popullorë për kohën, si Islamin në gajde, e veçanërisht Feim Gajdexhiun, babai i shokut të tij të fëmijërisë, Skënderit. Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të jatit, Bariut, dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalikë që prodhoheshin dhe shiteshin në dyqanet e Korçës. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të jatin, i cili e shoqëronte me llautë vallen e “Dados”. Kthehet familjarisht në Përmet, në fund të vitit 1944. Aty takohet me Usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth një vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Usta Laveri organizon grupin e tij, me të cilin mori pjesë edhe në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane e paskëtaj, më 1966, regjistron në Radio-Tirana, veç të tjerash, edhe tri kaba përmetare me klarinetë, për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij gjatë gjithë kohës. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare. Gjatë Gjatë kësaj periudhe kohore, sazet kanë pësuar disa riorganizime strukturore të cilat kanë pasqyruar, para së gjithash, orientimin artistik të krijuesit të tyre, Usta Laverit. Në vitin 1951 ato përbëheshin nga një gërnetë, dy llahuta, dy fisarmonika, për të ardhur në formacionin e tij të qëndrueshëm të vitit 1976 (e deri më sot), të përbërë nga gërneta, një llahutë, një fisarmonikë, def dhe violinë. Ato janë konceptuar edhe si saze klasike, pra që vetë interpretojnë në vegla dhe vetë këndojnë, por dhe si formacion shoqërues i këngëtarëve të tjerë popullorë. Nga kjo pikëpamje është shumë e vështirë që të dallosh personalitetin e Usta Laverit si interpretues (gërnetar e këngëtar) dhe krijues i shumë stilemave aq të njohura sot nga muzika popullore permetare. Këtu përfshihen me dhjetra hyrje këngësh, kaba, valle dhe mjaft riinterpretime të pjesëve të repertorit të vjetër të Sazeve të Përmetit. Këto saze kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”. Meritë kryesore e këtyre sazeve është se formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të Toskërisë: këngën popullore përmetare. Usta Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë gërnetaxhinjve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare. Ai mund të cilësohet si i fundit prej Ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990. Ndër këngëtarët më të spikatur që kanë kënduar së bashku me sazet e Usta Laverit përmendim: në vitet ’50 Behije Roçi, Qemal Ponoçi, Aliun (i thirrur Babaçja) etj.; në vitet ’60 Jorgo Çulli dhe Ilia Nasi, vëllezërit Sulejman Lame-“Artist i Merituar” dhe Xhelal Zeqiri, Viron Tanellari; në vitet ’70 “Artisti i Popullit” Mentor Xhemali, Ylli Zeqiri; në vitet ’80 Ardiana Daci, Robert Tralo, Drini Kanani etj; në vitet ’90 Vaskë e Dhimitër Curri, Donika Pecollari, Anastas Naqe, Luljeta Ilia, Evgjeni Çulli etj. Në vitin 1977, së bashku me Remzi Lelën-Çobanin dhe Mentor Xhemalin, luajnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës. Në vitin 1989, Usta Laveri bëhet protagonist i filmit dokumentar muzikor të kinostudios “Shqipëria e Re” “Këngët e zemrës”, me regji të Todi Bozos. Në Prill të vitit 1994 sazet e tij realizojnë CD me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze dhe C.D-në tjetër e realizojnë në Greqi. Një tjetër CD me mbishkrimin “Laver Bariu dhe valle dasmash” është realizuar në Australi, në vitin 1995, nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”. Veprimtaria muzikore e këtyre sazeve vazhdon ende. Dalja më e fundit e tyre ishte pjesëmarrja në FFK Gjirokastër, 2000. Në Mars të 2001, për meritat e tij dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhërin “Mjeshtër i madh i punës”. Në vitin 2001, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Usta Laveri u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit, krahas Vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Mentor Xhemalit. Regjistrimet kryesore muzikore i ka pranë Radio-Tiranës, Televizionit Shqiptar dhe Institutit të Kulturës Popullore. Shiko zërat: “CD-të popullore” dhe “Xhemali Mentor”.
Lit: Novruz, Turhani “Virtuozët përmetarë”, “Ylli” 7/1978, f. 15-18; Çapajev, Gjokutaj; Avdulla, Kënaçi “Det në këngë e mal në valle”, “Zëri i Popullit”, dt. 10.10.1978, fq. 3; “Intervistë me Laver Bariun”, “Zëri i Rinisë”, dt. 6.9.1980, fq. 3; Niko Mihali “Çfarë do të paraqesin artistët përmetarë”, “Zëri i Popullit”, dt. 30.9.1983, fq. 1-3; Shpëtim Shehu, “Duke folur për një orkestrinë të njohur popullore”, “Zëri i Popullit”, dt. 3 tetor 1980; Eno Koço, “Grupi i muzikës popullore të Përmetit, në vendet skandinave”, Zëri i Popullit, Tiranë, 26 shtator 1990; Thoma Dimçe, “Laver Bariu pushton Athinën”, “Java”, dt. 12.11.1994, fq. 1-3; “Rreth shtëpisë së Laverit gjithshka është e bukur”-Intervistë, “Intervista 88”, fq. 5; “Laver Bariu akuzon”, “Dita”, dt. 20.04.1995, fq. 2; Agim Xhafka, “Eveniment në kulturën tonë kombëtare”, “Koha Jonë”, dt. 14.03.1995, fq. 13; “Intervistë me Laver Bariun”, “Intervista 105”, fq. 7; Vath Koreshi, “Në gjurmë të artistëve të humbur”, “Festival”, dt. 24.09.1995, fq.3; Niko Mihali, “Panteoni përmetar”, tek “Prometeu”, dt. 14.10.1995, fq. 3, Niko Tyto, “Laver Bariu”, “Fjala sot”, tetor 1996, nr. 23, fq. 4; Tole, Vasil S “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së jugut”, Tiranë, 1998; Tase, Pano “Ç’u këput një yll”, Tiranë, mars, 2001; Thanas Dino, “Xhevat Avdalli dhe Laver Bariu”,Tiranë, 2004 etj. Për më tepër shih Laver Bariu – Odea Academy (odeacademy.org)
Spread the love
error: