Lulushi – Nevruz Nure (Korçë, 23 mars 1954 – Korçë, 23 prill 1990), mbetet ende dhe kujtohet si një nga klarinetistët më virtuozë që i erdhën muzikës me saze pas viteve ’70. U formua në një familje muzikantësh popullorë dhe që në vogëli luante në instrumente si fizarmonika dhe më vonë në klarinetë. Më pas, i përfshirë në ansamblin “Skënderbeu” të qytetit të Korçës, Lulushi luajti pjesën më të madhe të muzikës popullore me vegla të Shqipërisë Juglindore. Lulushi, u dallua për një lojë virtuoze në gërnetë, kjo e shoqëruar me një ëmbëlsi të rrallë interpretimi, e cila buronte nga ndjesia e tij e lindur mbi tingullin popullor të gërnetës. Si pinjoll i një familjeje me talent muzikor (gjyshja e tij ishte këngëtarja e njohur popullore Qerime Balliu e cila njihej për interpretimin e shkëlqyer të këngës “Ballët me sedef”, të regjistruar në pllakë te “His Master’s Voice”, nr. 70-1347, me shpjegimin “Zonja Qerime, ja pret Llaqi me shokë”), Lulushi do të ndikohej në lojën e tij në gërnetë nga njohja dhe kontakti me gërnetarin e shquar popullor të Leskovikut, Gaqo Lena gjatë kohës që Lulushi kryente shërbimin ushtarak.
Prej shumë vitesh në muzikën qytetare të Korçës, gërnetarët e shquar dalloheshin nga njëri-tjetri, jo më shumë nga dallimet e repertorit që luanin, por nga veçoritë individuale që ata implementonin mbi strukturën e pjesëve të njohura popullore. Kështu, në shumë raste një gërnetari nga gjithë jeta e tij i kujtohej vetëm një veçori që e kishte vetëm ai, dhe që kjo e bënte të dallohej nga të tjerët. Pjesa tjetër mund të ishte më fatlume ose fatkeqe. Atyre më të mirëve vazhdojnë akoma edhe kësaj dite t’u luhen pjesët, duke i quajtur “sipas Jonuzit”, apo “ me gishtin e Qerimit” etj.
Lulushi rreshtohet në majën e gërnetarëve që ka nxjerrë muzika popullore e Korçës e gjysmës së dytë të shek. XX, pas majave që kjo muzikë arriti të krijonte me Cilo Qorrin, shoqërinë “Demka dhe Hajro”, me Llaqin me shokët etj.
Përveç dhjetëra interpretimeve virtuoze që njihen tani si “…të gërnetës së Lulushit”, ai ka luajtur dhe ka lënë në fondin e artë të muzikës me saze atë që sot njihet si “Kabaja e Lulushit në Sol”, luajtur për herë të parë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, 1983. Nuk ka realizuar ndonjë kasetë apo CD të plotë, por një pjesë e madhe e regjistrimeve të tij i janë bashkëngjitur repertorit muzikor të këngëtares Eli Fara. Ka qenë tri herë laureat i festivaleve folklorike kombëtare në Gjirokastër duke filluar nga 1978, 1983, 1988. Nderohet me çmim të veçantë në Samsun të Turqisë më 1987, e po ashtu mjeshtër nderi në Prevezë, Greqi më 1984 dhe 1989. Sazet e tij përbëheshin nga 2 gërneta, 1 violinë, 1 fyell, 2 llauta, 1 fizarmonikë dhe 1 dajre. Vdiq në moshën 36-vjeçare me 23 prill 1990 nga një sëmundje e rëndë. Megjithëse vdiq i ri në moshë, për Lulushin në popull thuhet se: “Është i madh si Çobani dhe Laveri”.