Go to top
Kasem Hallulli

Kasem Hallulli  (Tiranë 1946- Tiranë 2000)

Kasem Hallulli i përket si origjinë familjes emërmadhe të Hallullëve, të cilët veç të tjerash i dhanë Tiranës, në vitin 1913-1914, kryebashkiakun Zyber Hallulli. Meritë kryesore e tij është se vijoi traditën e madhe të këngës popullore të Tiranës pas viteve 1980 duke ndjekur më së pari gjurmët e babait të tij këngëtarit popullor Myslym Hallulli. Në ato vite Kasemi aktivizohet si këngëtar popullor në dasma dhe në koncerte, si pjesë e orkestrinës së drejtuar nga Ramazan Gurra me gërnetë, ku ai vetë këndonte dhe interpretonte në veglën e llahutës. Për shkak të arratisjes në Austri në fund të viteve 1980, veprimtaria e tij në fushën e interpretimit të këngës popullore qytetare të Tiranës vijon pas viteve 1990, me rrëzimin e diktaturës. Zotëronte pothuajse gjithë repertorin aktiv të këngëve popullore të Tiranës për të cilin kujdesej ta interpretonte sa më me origjinalitet duke ju referuar modeleve të këndimit të parardhësve të tij si dhe traditës popullore në përgjithësi. U bë shumë i njohur edhe me interpretimin e këngës kushtuar klubit sportiv “17 Nëntori” “O Tiron, Tirona”, këngë e kompozuar nga Mustafa Bodini.

Mënyra e veçantë e këndimit të tij, e shtruar, e butë dhe plot muzikalitet tërhoqi veç interesimit të publikut edhe atë të mediave. Kolegu i tij muziktar Ramaza Gurra e përshkruan kështu:…kishte një zë melodioz, me diapazon të gjerë që përfshinte regjistrin e tenorit dhe baritonit, shqiptim të pastër dhe të qartë dhe interpretim të shkëlqyer. Për fatin e mirë, janë disa albume me këngë popullore të kënduara prej tij, si ai në vitin 1995 i realizuar nga shtëpia disografike “FUGA” dhe albumi i dytë “Ç`i ra zjermi, ç`i dul tymi”,  i realizuar nga shtëpia diskografike “Euro Star”. Pas vdekjes së tij të parakohshme për shkak të një aksidenti në vitin 2000, shtëpitë diskografike “Super Star” dhe “Super Sonic” publikojnë dy albume të tjerë me këngë të zgjedhura të kënduara prej tij. Një pjesë e trashëgimisë artistike të tij gjendet edhe pranë Radio Tiranës ( si këngët “Po punon goca me grep”, “I kam hyp vaporit”, “Jelekun me are’’),  në arkivin filmik të RTSH dhe online në kanalin youtube.com. Një nga shkrimet e paktë në nderim të figurës së tij është “Kasem Hallulli, ashiku i muzikës popullore tironase”, i shkruar nga gazetari Andi Bica.

“SILLU SILLU, BOT E VJETER”, kendon Kasem Hallulli. – YouTube

Spread the love
error: