Xhavit Xhepa çmohet si një nga interpretuesit më të talentuar të këngës popullore qytetare shqiptare. Xhaviti lindi më 8 shtator të vitit 1932 nё familjen e pasur tiranase tё Xhepave. Ishte djali i Xani Qeleshexhiut, sikundër e thërrisnin në Pazarin e Vjetër të Tiranës (Ramazan Xhepën) dhe i Gjyle Xhepёs, tё cilёt kishin edhe tre fёmijё tё tjerё: Beqirin, Petritin dhe Lirinё. Në vitin 1940 Xhaviti i vogёl regjistrohet nё shkollën 7-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, të cilën e pёrfundoi në vitin 1947. Menjëherë pas kryerjes së shkollës, e pas shtetëzimit të pronave, u detyrua të filloi të punojë që ta mbajë gjallë familjen. Në vitin 1949 Xhavit Xhepa pranohet në Shtëpinë e Pionierit falë mbёshtetjes sё pakursyer tё Mexhit Vejsiut. Në vitin 1951 fillon shërbimin ushtarak, në Durrës dhe në vitet 1951-1953 falё talentit muzikor u bё pjesё e Ansamblit tё Ushtrisё sё drejtuar nga Gaqo Avrazi. Me orkestrën e ansamblit ai interpretoi këngët e para popullore si dhe “Kënga e kufitarit” dhe “Eja dallëndyshe”. Pasi kreu Shërbimin ushtarak, krahas punës në Teatrin e Kukullave, në vitin 1954 filloi punën në Estradën e Tiranës si këngëtar dhe aktor. Gjatë kësaj kohe, vazhdoi studimet muzikore në Liceun Artistik, nё Tiranё. Nё periudhёn qё vijon Xhavit Xhepa do të bëhej një nga këngëtarët mё tё dashur tё Estradës sё Tiranёs sё bashku me Ramazan-Xon Zyberin, Rudolf Stambollën, Anida Taken si dhe një nga aktorët më të dashur për fëmijë. Ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj muzikës popullore si: Isuf Myzyri, Hamit Sejfedin Vokopola, Mit’hat Stringa, Ali Koçi (Liu i Nushit) e sidomos me Mustafa Bodinin e Muharrem Gurrën. Dallohen duetet e tij me Anida Taken dhe me Fitnete Rexhën. Nga këto bashkëpunime regjistron edhe 15 këngë tё muzikёs sё lehtё. Xhavit Xhepa ndërroi jetë papritmas më 4 maj të vitit 1987 nga një hemorragji cerebrale.