Fitnete Rexha (Tiranë 03.04.1933-14 gusht 2003) “Artiste e Merituar”-1961.
Një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës qytetare tiranase. Fitnetja bie në kontakt me traditën e muzikës popullore qytetare tiranase në familjen e saj. Vajza më e vogël e Bab Rexh Delisë “Hero i Popullit”, familja krutane e të cilit njihet për vlerat e traditës, kultivonte prej shumë brezash këngën popullore. Rreth moshës 17 vjeçare këndon dhe regjistron këngët e para popullore në Radio-Tirana nën shoqërinë e grupit orkestral të Shqipërisë së mesme të drejtuar nga Muharrem Gura dhe Skënder Reka. Fitnetja i jepte rëndësi të veçantë faktit se nga nëna e saj kishte përvetësuar të folurit sipas dialektit puro tiranas. Këtë veçori ajo e transferoi edhe në mirë këndimin e këngëve, për të cilat, me gjithë teknikën e vjetër në incizim, në këngët e Fitnete Rexhës vihen re cilësia e zërit, fjala e qartë e origjinale e këngës, gjuha e pastër dhe tepër e kuptueshme, ç’ka është një force tepër komunikuese për dëgjuesin. Fillimisht fillon punë si këngëtare në Estradën e Tiranës me 1953, dhe më pas aktiviteti i saj si këngëtare u zhvillua tërësisht pranë A.K.V.P-së në Tiranë, prej vitit 1957 deri në daljen në pension në vitin 1981. Ka regjistruar rreth 200 këngë popullore qytetare tiranase e më gjerë. Ndër këngët më të bukura të kënduara prej F. Rexhës përmendim: “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mun aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë”, “Rrush i kuq”, etj. Regjistrimet muzikore të saj gjenden kryesisht pranë Radio-Tiranës. Në vitin 1960, për kontributin e saj të madh i akordohet titulli “Artiste e Merituar”. Akademik. Prof. Çesk Zadeja ka thënë se sa herë të dëgjohet kënga popullore e Tiranës, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha.