Go to top
Remzi Lela dhe orkestrina e familjes Lela

Remzi Lela dhe orkestrina e familjes Lela

Të njohur me këtë emër brenda e jashtë Shqipërisë, ky formacion shënon rastin më domethënës të organizimit të formacionit të sazeve dhe orkestrinës popullore brenda një familjeje të vetme në gjysmën e dytë të shek. XX. Duke ringjallur traditën e dikurshme të këtyre organizimeve, sazet e familjes Lela janë njëkohësisht vazhdimi i zhvillimit të Sazeve shqiptare por njëkohësisht edhe një koncentrat i historisë së dikurshme të formimit të tyre. Origjina e tyre është nga Përmeti. Fillimet e origjinës muzikore të tyre lidhen me qytetin e Përmetit dhe veçanërisht me të jatin e tyre Manen i cili ishte llautar dhe këngëtar popullor. Është Mania (i cili këndonte që në moshën 10-12 vjeçare këngën popullore), që iu bashkëngjit sazeve të gërnetistit të shquar të njohur me emrin “Usta Jonuzi i Lamçes”, fillimisht si këngëtar e më pas si llautar. Me këtë formacion, si dhe me Sazet e Rizait me gërnetë dhe Metes me violinë ai punoi në periudhën 1924-1939, duke marrë pjesë kryesisht në dasma e panaire në Shqipëri. Me hapjen e Radio Tiranës me 1939, u bë oferta për realizimin e disa disqeve me muzikë popullore përmetare. Usta Jonuzi, që ndërkohë punonte në Tiranë, thërret edhe shokët e tij të sazeve të Permetit. Kështu, më 1940, familja Lela e përbërë edhe nga djemtë Çobani, Myslymi, Rizai,Bilali, Ahmeti dhe motra Xhanja shpërngulet në Tiranë. Me ardhjen në Tiranë fillon rrugën formacioni i ardhshëm i “Familjes Lela”. Në fakt strumbullari i vërtetë i “Sazeve të Familjes Lela” do të bëhej Çobani (1937-1 Janar 1995). Më 1945-46 fillon të ushtrohet me gërnetën që i bleu babai e më pas në mënyrë autodidakte si të gjithë gërnetaxhinjtë shqiptarë të Sazeve. Pjesa e parë që mësoi ishin “ca gishta” nga kabaja e “Selim Stambollit”, të cilën ia dëgjoi edhe Usta Jonuzi i Lamçes i cili i dha zemër. Rreth moshës 12-13 vjeç, i ati e merrte Çobanin me vete nëpër dasma dhe në kohën kur vëllai tjetër, Rizai, filloi fizarmonikën të tre bënë së bashku një grup, grup i cili është embrioni i “Sazeve të familjes Lela”. Me formimin e Filarmonisë (1951) e të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore (1957), merr pjesë në to, e më pas në ansamblin “Tirana” (1978-1990), së bashku me vëllanë tjetër Fatmirin, me llautë. Më 1990 të gjithë “Lelat” rigrupohen pranë “Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore”. Regjistrimet muzikore janë pranë RTSH, Institutit të Kulturës Popullore dhe shumë agjensive të huaja muzikore. Vlerësimet më të mëdha dhe turnetë më seriozë me muzikë popullore i ka bërë pas viteve ’90 në Francë, Belgjikë, Gjermani si dhe në Vendet e Ulta. Çobani ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare që janë zhvilluar në Gjirokastër, dhe me formacionin e “Familjes Lela” ka marrë pjesë edhe në “Takimin Kombëtar të Sazeve dhe Orkestrinave popullore të Shqipërisë së Jugut”, të zhvilluar në Korçë më 1994.

“Popullore instumentale e Tiranes”, interpreton Remzi Lela dhe orkestrina e familjes Lela. – YouTube

Spread the love
error: