Krijues dhe interpretues i shquar i muzikës popullore, kryesisht i asaj shkodrane por dhe i muzikës popullore të Tiranës, Elbasanit, Gjakovës etj. Autor i këngëve shumë të njohura si “Ti më je si një gonxhe”, “Cile zemrën plot kujtime”, “Drandifiles së bukur”, “Ja na erdhi sot pranvera” etj. Ai dha një kontribut të shquar përmes drejtimit të formacionit muzikor “Orkestrina e këngës popullore shkodrane”, me të cilin interpretonte muzikë popullore, për më shumë se 10 vjet në valët e Radio-Tiranës. Ky formacion u formua në fund të viteve 1930, në të njëjtën kohë me “Sazet e Radios”. Formacioni përfshinte muziktarë popullorë me vegël dhe këngëtarë virtuozë nga Shkodra si Zef Gruda-klarinetë, Ahmet Abdyli-violinë, Kel Sata-këngëtar, Pjetër Nikolla-kitarë, Paulin Pali-braç, të cilët e vazhduan veprimtarinë e tyre pranë këtij formacioni deri në fund të viteve 1950. Ky formacion interpretonte muzikë popullore drejtpërsëdrejti në valët e Radio-Tiranës. Regjistrimet muzikore të tyre përfshinin pjesë instrumentale popullore, jare, këngë lirike qytetare etj, të cilat gjenden pranë fonotekës së Radio-Tiranës. Sipas Satës: grupi ishte dhe laborator i krijimeve dhe interpretimeve të këngëve me autorë, i këngës së kultivuar qytetare.
Sipas kompozitorit Tish Daija:…Radio-Tirana, nga ana e vet me kompozitorin popullor Paulin Pali, gjente dhe aktivizonte këngëtarë dhe këngëtare të reja. Me këtë formacion ka regjistruar këngëtarja e shquar Luçie Miloti në fillimet e karrierës së saj si dhe shumë këngëtarë të tjerë të rinj si Bik Ndoja prej vitit 1945, Hajrie Harapi, Sanie Shaqiri-Pali, Drita Papajani, Bajram Spahiu, Naile Hoxha etj. Këngëtari i shquar i ahengut shkodran Bik Ndoja (1925-2015), kur bënte vlerësime për Paulin Palin thoshte : … ku je, o Paulin Pali, që kurrë mos të shuhet nami”! Sipas prof. Spiro Kalemit: … Paulin Pali mbeti përfaqësuesi i padiskutueshëm i këngës popullore qytetare në etapën përfundimtare të saj. Pjesë e regjistrimeve muzikore të këtij formacioni ishte edhe muzika popullore e Tiranës.