Go to top
Bilbil Vlora

Referuar regjistrit të gjendjes civile, Bilbil Cenko ka lindur më 10 tetor 1889 në Gjirokastër, nga babai Abdyl dhe nëna Sine. Bilbili e mësoi gërnetën nga i  ati. Rreth moshës 15-vjeçare ai e zotëronte atë në një mënyrë virtuoze, gjë për të cilën ra dhe në sy të disa tregtarëve nga Janina, të cilët bënin tregti lëkurësh dhe sendesh të tjera me qytetin e Përmetit dhe Gjirokastrën. Ata e morën së bashku me shokët e tij (si Fadilin me llautë etj.) për të bërë muzikë në Janinë, me pagesë. Sazeve iu bashkëngjiten edhe dy sazexhinj nga Delvina (një violinist dhe tjetri llautar), me të cilët Bilbili punoi për rreth gjashtë muaj në Stamboll. Më 1905 lëviz me familjen në Gjirokastër, ku qëndron për rreth dhjetë vjet. Rreth 1914-1916 familja shpërngulet përfundimisht në qytetin e Vlorës.

Në vitin 1922, Bilbili fillon aktivizimin e dendur si saze kryesisht të përbëra nga elementë të familjes: Bilbili në gërnetë, Asimi në violinë dhe Rakipi në llautë. Pas një dasme në Kaninë, sazet e tij filluan të pëlqeheshin, duke u futur natyrshëm në jetën e qytetit. Më 1925, dalin jashtë Vlorës për të bërë muzikë në Berat. Të kësaj periudhe janë edhe disa bashkëpunime të tij me Sazet e Riza Meko-përmetarit ose Riza Beratit siç e quanin në popull. Po më 1925, Sazet e Bilbilit ftohen në qytetin e Shkodrës nga familja Marubi me ndërmjetësinë e Shtjefën Gjeçovit dhe Dom Mark Vasës, i cili punonte në këtë kohë në kishën katolike të Vlorës. Në vitin 1927 dhanë koncerte në Leçe të Italisë. Në vitet ’40, vendi i tyre më i pëlqyer, por në përgjithësi i muziktarëve popullorë të Vlorës, kanë qenë pijetoret e Osmanllinjve dhe të Moneve. Holli i shtëpisë së Eqrem bej Vlorës ka qenë gjithashtu një nga vendet e pëlqyera ku bënin muzikë Sazet e Bilbilit. Me punën e tyre krijuan pasuri të tundshme dhe të patundshme, ndër to tri dyqane në Vlorë.

Problematika që të ofrojnë Sazet e Bilbil Vlorës, është e lidhur me të gjithë atë trashëgimi që Vlora dhe qytete të tjera të Labërisë u përballën për të formuar kulturën muzikore qytetare. Deri në fund të viteve ‘20, në qytetin e Vlorës, sipas opinionit më të përhapur, këngët qytetare këndoheshin vetëm në disa grupe familjesh vlonjate që bënin miqësi me fshatrat përreth. Në rast se muzika polifonike toske (me kontribute që vinin nga sazet e qyteteve të ndryshme), u shndërrua në një stereotip të ri duke u shoqëruar me saze, për polifoninë labe kompleksiteti i saj paraqiste deri diku vështirësi që lidheshin me “cenimin” dhe interpretimin e saj në rrugë të tjera. Kështu i gjithë problemi përmblidhej në faktin që, ashtu si në polifoninë fshatare, edhe në muzikën me saze të respektohej formula e “marrësit”, “prerësit”, “hedhësit” dhe “isos”. Ky ishte realisht një problem, të cilin (në atë moment të dhënë), nuk mund ta ballafaqoje edhe me përvojën që vinte nga muzika popullore tradicionale me vegla e po kësaj zone (si dhe e asaj përreth), pasi ajo përfaqësohej në forma më rudimentare të të shprehurit polifonik dhe me një “ngushtim”(numër të paktë) të qendrave urbane të Labërisë ku do të zhvillohej muzika me saze.

Ashtu si dhe në rastin e muzikës me saze të qyteteve toske, edhe Sazet e Bilbil Vlorës u orientuan për nga folklori tradicional i fshatit. Për këtë arsye, Bilbil Vlora do të mbetet një nga reformuesit kryesorë të këngëve qytetare vlonjate me saze, të mbështetura mbi ato polifonike popullore me iso, si dhe autori i strukturimit të “Kabasë labçe-labërishte” me gërnetë. Kjo është e dukshme në të, pasi kënga qytetare e Vlorës është e përngjashme me këngët fshatare pa saze të fshatrave përreth si: Kaninë, Drashovicë, Oshëtimë, Panaja, Cerkovinë, të cilat u bënë thelbi i këngës së re qytetare vlonjate. Kuptohet që praktika e sazeve e zgjidhi këtë çështje në vijueshmëri dhe në përputhje me traditën pararendëse. Kështu, këngët “labçe” me saze krijuan realitetin tjetër të madh, që muzika me saze formësoi në këtë kohë. Me realizimin e tyre, u orientua krijimi i repertorit muzikor dhe veçanërisht kënga popullore qytetare labe. Regjistrimet diskografike të Bilbilit janë bërë kryesisht pranë “Columbia”-s.

Ndër këngëtarët dhe interpretët e shquar të këngës qytetare labe të kësaj kohe, përmendet edhe Zoj Havaja dhe Bajamja të cilat ishin kërcimtaret e sazeve të Bilbil Vlorës, por që me raste edhe këndonin, siç provohet nga regjistrimet diskografike etj. Tradita e krijuar në këto vite në këngën dhe, më gjerë, në muzikën popullore qytetare të Vlorës, e vazhdoi pas viteve ’50 të shek. XX, djali i tij Hajdar Cenko dhe formacioni i tjetër i njohur me emrin “Trioja vlonjate”.

 

“Kabaja e Bilbilit” është një tjetër realizim mjeshtëror i kabasë toske me saze, e posaçërisht i kabasë përmetare me gërnetë, violinë e me saze. “Kabaja e Bilbilit” shfaqet si kaba me dy pjesë: kaba dhe valle.

Bilbil Vlora ishte gjenial me gjetjet dhe ndërlidhjet që i bënte brenda strukturës së kabasë të gjitha hapësirave melodike të Shqipërisë së Jugut. Si i tillë, ai nuk krijoi thjesht një kaba të re, por hulumtoi dhe realizoi me sukses mundësitë që kabaja të jepte t’i shfrytëzoje. Janë disa motive që e evidentojnë origjinën e saj, por edhe disa të reja syresh që lidhen me pasurimin që Bilbil Vlora i bën kësaj kabaje, sidomos në dy aspekte. I pari lidhet me ndërfutjen e një motivi lab në zbritje, i ripërdorur më pas edhe tek ajo që njihet si “Kabaja e Gjeneral Gramafonit”, dhe së dyti futja e kthesës së kabasë, fillimisht si valle përmetare e kadencimi me motiv lab.

Ky është pasurim që usta Bilbili i bëri kabasë, si me shtimin e valles ritmike, gjë të cilën nuk e gjejmë në fazën e parë të kabave toske të Selim Leskovikut e po aq me polistilistikën e materialeve muzikore që i ndërthur brenda strukturës së pjesës së parë të kabasë. Kabaja e tij është një fazë më e zhvilluar e kabasë me gërnetë e violinë, pasi ndihet qartë zhvillimi më tej i fakturës muzikore instrumentale të tyre duke përdorur të gjithë regjistrin e gërnetës.

Me plot gojën, Bilbili mund të konsiderohet si konsoliduesi i kabasë së rëndë toske me gërnetë e me saze dhe themeluesi i kabasë labe, të qarës vënҫe-labҫe me gërnetë, kjo referuar tipit të ri të kabasë që ai krijoi.

Krahas tij, në saze merrnin pjesë i vëllai Asim Cenko me violinë dhe vëllai tjetër me llautë.

 

Spread the love
error: