Go to top
Veshje grash

Drejtimi ekonomik i Gjirokastrës dhe rrethinave të saj ndikonte mjaft në veshje, mbasi ajo përgatitej brenda ekonomisë shtëpiake. Kështu, në Rrëzën e Kurveleshit përdorej më shumë leshi i deleve; në Dropull, Zagori e Pogon përdorim më të gjerë kishte liri, por krahas tij përdorej edhe leshi. Që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, në disa rrethi­na u përftuan kushte të veçanta në zhvillimin ekonomik e shoqëror. Në fshatrat e Lunxhërisë, të Dropullit e të Pogonit, në vend, mori për­pjesëtime të gjëra mërgimi ekonomik. Kështu, shumë burra nga Lunxhëria shkonin më parë në Turqi, ata të Dropullit dhe të Pogonit në Greqi, kurse mbas Luftës së Parë Botërore, në SHBA. Në këto rrethana të reja veshja filloi të punohej me lëndë importi e të qepej nga rrobaqepës të spe­cializuar, që kishin punishtet e tyre në qytete ose në fshatra.

Larmia që vihet re në veshjet e grave të rrethit të Gjirokastrës kushtëzohej nga shumë faktorë, ndër të cilët edhe pasqyrimi i dallimeve fetare. Në disa rrethina ku jetojnë pakicat greke, veçanërisht në Dropull e në Pogon, përkatësia e ndryshme etnike e popullsisë shfaqej edhe në kostumet e tyre popullore.

Veshjet e përdorura nga gratë e rrethit të Gjirokastrës janë të larmishme dhe elegante, të zbukuruara shumë herë me shije të hollë. Ato flasin jo vetëm për një nivel ekonomik mjaft të ngritur, por edhe për shije estetike mjaft të zhvi­lluara. Dëshmi për këtë janë veshjet e grave të Lunxhërisë, të Dropullit dhe të Zagorisë, në të cilat, ka një harmoni të përkryer midis pjesëve të veçanta që përbëjnë kostumin. Karakteristikë e përbashkët e veshjeve të grave të këtij rrethi ishte përdorimi i cohës ngjyrë blu të errët, nga­njëherë me nuanca drejt të zezës. Parapëlqimi i ngjyrave të errëta duket se ka pasur lidhje me kushtet shoqërore të së kaluarës, kur mërgimi ekonomik i burrave mori përpjesëtime të mëdha.

  • Veshja e grave të Lunxhërisë dhe të Pogonit të Sipërm

Kjo veshje është nga më të bukurat, qoftë për materialin që përdorej, qoftë për vlerat artistike. Në këtë veshje, më shumë se kudo, ndjehet ndikimi i veshjeve qytetare.

Kur shqyrton veshjet e grave të kësaj rrethine, ajo që të tërheq vëmendjen, është numri i madh i tyre. Vajzat merrnin në pajë tetë palë veshje të plota, të cilat, ndonëse në anën morfologjike nuk kanë pasur ndryshime midis tyre, në cilësinë e copës prej së cilës bëheshin dhe në punën artistike të harxhuar, kishin ndryshime. Të gjitha variantet ishin veshje festash e jo pune, të ndryshme sipas festës dhe moshës së asaj që i mbante. Veshja e Lunxhërisë është e bukur, e punuar me një nivel të lartë artistik. Ajo karakte­rizohet nga harmonia e të gjitha pjesëve krye­sore që përbëjnë kostumin, Asaj i japin individu­alitet të veçantë dy shkallëzime që krijohen (njëri në pjesën e poshtme dhe tjetri në pjesën e sipërme të saj) si pasojë e të veshurit njëra mbi tjetrën të pjesëve që e përbëjnë. Në të posh­tmen vijnë me radhë: këmisha e pastaj fundi (fusta), pjesët fundore të të cilave janë të zbukuruara me kllapodan; e treta, fermeleja e, mbi të, coha. Shkallëzimi tjetër, ai i pjesës së sipërme, krijohet tek kyçi i dorës. Së pari, shihet mënga e gjerë e këmishës e punuar me dantellë, pastaj mënga e dollomasë që është prerë në formën e një trapezi; së fundi, mënga e gjerë shumë e zbukuruar, e mantos prej cohe ose kadifeje.

  • Veshja e grave të Dropullit.

Në traditën popullore fshatrat e Dropullit grupo­hen në tri njësi të vogla: Dropulli i Poshtëm, Dropulli i Sipërm dhe Rrëza e Buretos. Banorët janë ortodoksë,

Veshja e grave të Dropullit të Poshtëm ishte shumë e afërt me atë të Dropullit të Sipërm. Kështu, shajaku (apo shita), këmisha, mbulesa e kokës dhe mënyra e lidhjes së saj dallonin vetëm në elemente të dorës së dytë. Veshja e Rrëzës së Buretos ishte e njëjtë me veshjen e përdorur në Dropullin e Poshtëm.

Të dhënat dokumentare dhe ato të mbledhura në terren vërtetojnë se në një të kaluar jo shumë të largët, që nuk shkon më shumë se fundi i shekullit të XIX, këto dy nënvariante jo vetëm që nuk kishin dallime, por edhe ishin më të thjeshta e, në përgjithësi, përgatiteshin brenda ekonomisë shtëpiake. Në fillim të shekullit tonë e, në mënyrë të veçantë, në vitet që pasuan shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, të dy variantet u zhvilluan më tej. Ato u veçuan pak nga pak nga njëra-tjetra dhe përforcuan ato ndryshime që vihen re në ditët tona.

  • Veshja e grave të Zagorisë.

Në luginën e ngushtë që krijohet midis maleve të Çajupit dhe të Lunxhërisë, ndodhen dhjetë fshatrat e Zagorisë, të vendosura përballë njëri-tjetrit: gjashtë në njërin krah dhe katër në krahun tjetër. Banorët janë ortodoksë.

Deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX ishte në përdorim veshja me këmishë të gjatë, mbi të cilën vinte një cibun i zi ose i bardhë e me thekë përbrenda. Kjo veshje për gra ishte e njëjtë me atë të grave të Kurveleshit dhe të Bregdetit, çka dëshmon për një unitet në veshje në një trevë shumë të gjerë të Shqipërisë Jugore.

Nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar filloi të përdorej më dendur si veshje festive një fusion i gjatë deri në nyje të këmbës, që vishej mbi këmishë. Ky puthitej mirë në pjesën e sipërme të trupit, ndërsa në të poshtmen ishte i gjerë dhe me pala. Ngjyra e fustanit në përgjithësi ishte e çelur. Parapëlqeheshin më shumë roza dhe manushaqja. Në vend të cibunit, mbi fustan vishej pirpiria pa mëngë, e punuar me stof importi dhe e zbukuruar rëndë me fije ari. Kjo në popull njihej me emrin pirpiri voskopojarçe, çka tregon ndikimin e modës voskopojare në këtë pjesë veshjeje, apo sjelljen e vetë pirpirive nga tregu i Korçës. Veshja me fustan e pirpiri kush­tonte mjaft shtrenjtë, prandaj përdorej vetëm nga shtresat e kamura fshatare.

Në shtresat e tjera të popullsisë, mbi fustanin e gjatë të një cilësie më modeste, gruaja vishte sharkun e leshtë. Dalëngadalë kjo u bë e vetm­ja veshje e zonës. Fustani kishte të njëjtën prerje me atë që përdorej me pirpiri, ndryshonte vetëm nga ngjyra: parapëlqehej bluja e thellë drejt së zezës. Sharku punohej me shajak blu të thellë për nuse, dhe me të zi për të moshuarat. Në të dy rastet atij i bëheshin zbukurime të pakta me gajtan blu të thellë e, shumë rrallë me gajtan të kuq.

  • Veshja e grave të Rrëzës së Kurveleshit.

Në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX gratë e kësaj rrethine të cilat ishin myslimane, mbanin veshjen me çitjane. Në përdorimin e kësaj veshjeje ka pasur dallime jo vetëm midis popullsisë që banonte në fshat dhe asaj që banonte në qytet, por edhe dallime brendapërbrenda shtresave të ndryshme shoqërore.

Në fshatra veshja me çitjane ishte më e thjeshtë e me pak zbukurime, Ajo përbëhej nga çitjanet në ngjyrë të mbyllur me pika të bardha; nga jeleku i qëndisur përgjithësisht me fije ari; nga një shark i zi pa mëngë që quhej shargan ose nga një shark i bardhë i thirrur flokatë. Në fshatrat malore ku klima ishte më e ashpër, në vend të flokatës mbahej një lloj xhakete e gjatë deri pak poshtë belit, e punuar me tekstil importi dhe e mbushur përbrenda me lesh. Kjo quhej libade. Në kokë mbahej një shami e bardhë dhe e qëndisur anash me fije të kuqe e rruaza për gratë e reja; dhe e zezë e pa zbukurime për gratë e moshuara.

Në qytetet Gjirokastër e Libohovë veshja me çitjane përgatitej me lëndë të një cilësie më të mirë e me ngjyra të ndezura. Çitjanet qëndise­shin me fije ari veçanërisht përpara dhe në këmbëzat. Jeleku i shkurtër deri pak nën gjoks qëndisej aq shumë me fije ari dhe argjendi, së ishte vështirë të dallohej copa prej së cilës ishte përgatitur. Mbi të vinte pirpiria, një veshje prej cohe e gjatë deri në pulpë të këmbës e qëndisur me fije ari apo argjendi. Në raste të tjera, në vend të pirpirisë përdorej kondoxhupi, një manto e gjatë e punuar me lëndë importi. Gruaja e veshur me çitjane e pirpiri e mbulonte kokën me një skufje të qëndisur rëndë me fije ari, rreth së cilës vareshin tufa tërtiri. Kur vishte kondoxhupin, ajo e mbulonte kokën me një shami të bardhë mëndafshi të qëndisur anash me fije ari e xixa.

Veshja me çitjane përgatitej nga mjeshtër të specializuar zejtarë. Vetëm këmisha si pëlhurë punohej brenda ekonomisë shtëpiake, por ajo qepej e zbukurohej nga zejtarët rrobaqepës. Kjo veshje përdorej nga shtresat e pasura në Gjirokastër e Libohovë, por edhe në Delvinë, ndërsa shtresat e tjera përdornin veshje më të thjeshta.

  • Veshje grash me citjane shek-XIX
Spread the love
error: