Go to top
Vështrim i përgjithshëm

Kabaja[1] me gërnetë apo violinë, është llojformimi më i plotë e i përkryer në muzikën popullore jugore me vegla e atë shqiptare në përgjithësi, që mund të krahasohet fare mirë me koncertin instrumental të muzikës së kultivuar. Ajo është njëkohësisht gjini e formë muzikore, e individualizuar dhe autentike, që shoqërohet me veçori muzikore që ndryshojnë sipas zonave etnokulturore. Në një lloj kuptimi edhe vetë kabaja është pasqyrim i lindjes dhe zhvillimit të muzikës popullore jugore me vegla dhe në veçanti i përsosjes së kësaj gjuhe muzikore. Na rezulton se kabatë e para u krijuan në dhjetvjeҫarin e parë të shek. XX, për të kulmuar më pas në vitet 1920-1960. Pa njohjen dhe studimin e saj, të strukturës dhe përmbajtjes emocionale, nuk mund të kuptosh evolucionin e gjuhës muzikore instrumentale të sazeve.

E lidhur ngushtë me formacionet tradicionale popullore, e ato të mëpastajme (sazet), kabaja përfaqëson sot thelbin e repertorit muzikor popullor me vegla. Ajo çka mund të themi është se kabaja nuk është një llojformim i ri. Origjinën e saj në planin tematik do ta konsideronim dyburimëshe:

  1. kabatë baritore: me origjinë nga muzika me vegla tradicionale,
  2. kabatë vajtimore: me origjinë nga një pjesë e muzikës popullore vokale e traditës.

[1] Te “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980, f. 753, kemi këtë përcaktim: Kaba,~ja f. sh.~, ~të muz. Iso me zë të lartë. Mbaj kaba. Pjesë muzikore popullore, e shtruar, që luhet zakonisht me gërnetë ose me violinë. Kaba përmetare. Kaba me gërnetë (me violinë me dajre). Ia mori një kabaje. si mb. I trashë, që i ngjet basit. Zë kaba.

Spread the love
error: