Krahinë gjeografike dhe etnografike në verilindje të Gjirokastrës. Shtrihet ndërmjet malit të Dhëmbelit në lindje dhe malit të Lunxhërisë në perëndim. 9 fshatrat e Zagories: Sheperi, Ndërani, Nivalin, Koncka, Topova, Hoshteva, Doshnica, Koncka dhe Bythyqi janë të vendosura në të dy anët e luginës deri në lartësinë 800 m. Etimologjia e fjalës Zagori do të thotë “prapa malit”.
Vecoritë gjeografike:
Është e ndërtuar nga flishi paleogjenik që formon një sinklinal dytësor në trajtë lugine në brezin antiklinal të Beratit. Lug. ka fund të ngushtë dhe shpate të pjerrëta. Përmes saj rrjedh l. i Zagorisë (degë e Vjosës) me gjatësi rreth 27 km dhe sip. të pellgut ujëmbledhës 171 km2. Gjatë shtratit të l. vërehen, vende-vende, 2–3 nivele tarracash gërryese-grumbulluese. Në krahun e djathtë dalin një varg burimesh karstike. Mbulesa pyjore është e rrallë. Në anën e majtë të luginës ndërmjet fshatrave Nderan e Topovë rritet ara dhe lajthia në gjendje natyrore. Janë bërë tarracime, ripyllëzime, ndërtime kanalesh dhe vepra të tjera ujitëse.
Vendbanimet ishin me shtëpi të grumbulluara. Marrëdhëniet shoqërore rregulloheshin sipas Kanunit të Papa Zhulit. Burrat visheshin me fustanellë e më vonë me poture, ndërsa gratë gunën dhe fustanin e leshtë i zëvendësuan me fustanin e gjatë me pala.