No products in the cart.
Veshja e grave përbëhej nga një këmishë e gatë sipër së cilës vishej cibuni prej leshi në ngjyrë të zezë. Më vonë filloi të përdorej fustani i leshtë në ngjyrë të zezë, blu të errët, vishnje, kafe ose të kuqe. Në kokë mbanin shami të zeza me lule anash; mbathnin çorape leshi të ngjyrave të ndryshme dhe opinga lope.
Kjo veshje e lashtë vendase në rrethinat e Shqipërisë, Çerjes, Rrëzes e Dangëllisë dolli nga përdorimi që në gjysmën e dytë të shekullit XX Në Malëshovë u ruajt deri në fillim të shekullit XX. Veshja e grave të Malëshovës përbëhej nga këto pjesë: Këmisha prej pëlhure avlëmendi, punuar brenda ekonomisë shtëpiake, nga gratë fshatare. Sipër këmishës vishej fustani prej stofi të leshtë të importuar, në ngjyre të zezë ose blu të errët. Fustani ishte i gjatë deri në nyje të këmbëve dhe nga mesi e poshtë ishte mjaft i gjerë. Afër fundit zbukurohej me një rrip kadifeje. Përparja, pak më shumë e shkurtër se cibuni, ishte nga i njëjti material si fustani. Cibuni prej shajaku në ngjyrë të zezë, i gjatë deri në gju, që vinte duke u zgjeruar nga mesi e poshtë, ishte pjesë kryesore e këtij kostumi. Pjesa e përparme dhe fundi i tij zbukurohej me gajtanë leshi të zi. Në kokë venin shami të zezë mëndafshi. Përdornin brez me pafta argjendi, punuar me filigranë. Mbanin çorape leshi në ngjyra të errëta, thurur me shtiza e të zbukuruara në pjesën e sipërme. Mbathnin opinga me xhufka.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, veshja me këmishë e cibun u zëvendësua me veshjen me fustan stofi të importuar, që e mbanin më tepër nuset dhe gratë e reja.
Veshja me fustan ruajti edhe ndonjë element nga veshja e vjetër, siç ishte këmisha prej pëlhure, punuar në avlëmend, që qepej nga gratë fshatare. Përdoreshin dhe këmishë prej pëlhure të importuar Pjesa kryesore e kësaj veshjeje ishte fustani prej stofi të importuar, me ngjyra të errëta (blu, kafe, vishnje). Fustani, i gatë gjer në fund të këmbëve (Shqeri, Dangëlli) ose gjer te pulpat (Cerje, Rreze), nga mesi e poshtë vinte duke u zgjeruar. Mbi fustan vishnin jelekun prej kadifeje, i zbukuruar me fije ari. Në pjesën e gjoksit venin grykësen, të qëndisur bukur nga vetë gratë. Pjesë e pamungueshme e këtij kostumi ishte dhe përparja prej kadifeje e zbukuruar në pjesën e fundit me qëndisma të ndryshme. Në kokë mbanin shami mëndafshi me ngjyra të errëta; kishte edhe shami me ngjyra të çelura, të zbukuruara anash me oja me thekë. Kanë përdorur çorape të bardha, punuar me lesh të hollë, të zbukuruara në shpinën e këmbës dhe tek nyjet. Mbathnin këpucë lëkure të zeza. Në mes ngjishnin brez prej argjendi. Si veshje të sipërme, shtresat e pasura kanë përdorur edhe sakon prej kadifeje, të zbukuruar me gajtanë e me gëzof.
Veshja me këmishë të gjatë e me cibun ka qenë përdorur edhe në rrethinën e Dishnicës. Por meqenëse popullsia e kësaj zone ishte e besimit islam, veshja me cibun u zëvendësua që në gjysmën e dyte të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX me veshjen me tumane, veshje që e mbanin edhe myslimanët e qyteteve Këlcyrë e Përmet.
Në përgjithësi veshja me tumane ishte e thjeshtë dhe me pak zbukurime. Ajo përbëhej nga çitjane prej basme të ngjyrave të ndryshme, nganjëherë edhe prej atllasi. Veshja plotësohej me këmishë mëndafshi dhe jelek kadifeje, i qëndisur me fije ari, me shami të zbukuruara me oja ose rruaza dhe me këpucë të zeza me gjysmë take. Në kohë dimri përdorej kondoxhupi, një manto e qepur me material importi. Shtresat e pasura myslimane përdornin pirpirinë, një veshje e gjatë pa mëngë, punuar me cohë importi dhe e zbukuruar me fije ari.
Gratë e qytetit të Përmetit dhe të fshatrave në afërsi të tij i kanë lënë më herët veshjet e tyre popullore dhe në përgjithësi ato kanë mbajtur veshje të kohës, të huajtura nga moda e qyteteve të tjerë, Berat, Korçë, Gjirokastër.
Në qytetin e Përmetit është përdorur kostumi me fustan atllasi i gjatë gjer poshtë pulpave të këmbës. Përveç fustanit, si pjesë e këtij kostumi, ishin edhe jeleku edhe mëngorja prej cohe të zbukuruar me fije ari, këmisha e mëndafshtë, shamia e kokës prej mëndafshi, e zbukuruar me oja, çorapet e holla prej pambuku dhe këpucët e zeza me gjysmë take. Kjo veshje është përdorur më tepër nga popullsia e besimit islam të qytetit me gjendje të mire ekonomike. Ky kostum qepej me material atllasi dhe përbëhej nga polka, bluzë e qepur në formën e xhaketës, nga fundi i gjatë gjer në nyje të këmbës, nga çorapet e holla dhe nga këpucët me pak takë. Por edhe ky kostum doli nga përdorimi (ne fillim të shek. XX) dhe vendin e tij e zuri kostumi me fund e xhaketë stofi që përdorej nga gjithë shtresat e qytetit, po që dallonte cilësia e stofit nga njeri tjetri, sipas kamjes.