Go to top
Veshje burrash

Gjatë shekullit XIX e në çerekun e parë të shekullit XX, veshja më përfaqësuese për burra ka qenë kostumi me fustanellë, kryesisht si veshje për të dalë. Fustanella e Gjirokastrës vinte pak më e shkurtër se ajo e Bregdetit dhe e Rrëzës së Kurveleshit. Disa ndryshime të tjera të veshjes me fustanellë bëheshin për t’iu përshtatur gjendjes ekonomike e shoqërore brendapërbrenda zonës apo fshatit. Shtresat më të pasura të qytetit dhe familjet “oxhak” të fshatit mbanin fustanellën e gjerë me rreth 300-400 pala, mën­gore të qëndisura me fije ari, breza (silahe) të gjera lëkure të qëndisur po me fije ari. Në ta mbaheshin armët e brezit të lara me or ose argjend. Në veshjen e burrave të këtyre familjeve kostumi me fustanellë merrte një shkëlqim të veçantë. Nga ana tjetër, sa më poshtë të zbresim në shkallët e hierarkisë shoqërore e pasurore, aq më shumë thjeshtësohej e lehtëso­hej kjo veshje. Ulet mjaft mjeshtëria e qëndisjes, pakësohen zbukurimet me fije ari në mëngore, aq sa arrihet në imitimin e tyre me fije të verdhë. Në dallimet zonale që paraqiste veshja me fustanellë, ngjyra e mëngores ose e peshliut (sikurse quhej në fshatrat e Labërisë dhe të Bregdetit) ishte pa dyshim elementi më i rëndësishëm. Në anën e jashtme, nga ngjyra e mëngores mund të përcaktohej afërsisht se nga cila zonë ishte mbajtësi i veshjes dhe ishte mysliman apo ortodoks. Kështu, në fshatrat e Kurveleshit mën­gorja punohej me shajak të bardhë, ndërsa në fshatrat e tjera të rrethinave të besimit ortodoks (Zagori, Lunxhëri, Dropull) ngjyra e mëngores ishte blu e thellë drejt së zezës.

Ndryshimet më të dukshme zonale në veshjen me fustanellë vihen re tek qylafi. Në fshatrat myslimane të Rrëzës së Kurveleshit përdorej qylaf i bardhë në formë konike, me një thumb në krye. Në Zagori, Lunxhëri, Dropull etj,, që nga fillimi i shekullit tonë e deri në Çlirimin e vendit, ka ndryshuar dy herë forma e qylafit. Deri në vitet e Pavarësisë Kombëtare është përdorur një feste e kuqe, me një xhufkë disi të gjatë që varej deri përmbi supe. Më pas filloi të përdorej gjithnjë e më shumë një kësulë prej belluzi ose kadifeje të zezë. Ajo njihet me emrin feste grebeneçe, çka tregon se ajo, ndoshta, e kishte origjinën nga Grebeneja.

Në kostumin me fustanellë vihen re edhe ndryshime që rrjedhin nga mosha e mbajtësit. Në periudhën pas dasmës e deri në moshën 45-50 vjeçare, pjesët e veshjes me fustanellë zbukuroheshin më shumë dhe përgatiteshin me materiale të një cilësie të mirë, ndërsa mbas kësaj moshe cilësia e zbukurimeve dhe e mate­rialit binte shumë, kurse fustanella në përgjithësi ngushtohej. Në moshat e reja lidhëzat ishin me xhufka të kuqe, në moshat e thyera me xhufka të zeza. Për dasmë dhe disa vjet pas saj për­doreshin opingat me xhufka të kuqe, për moshën e mesme me xhufka të përziera kuqe zi, ndërsa në moshat e thyera me xhufka të zeza.

Në përdorimin e veshjes me fustanellë ka pasur edhe ndryshime të tjera që përcaktoheshin nga profesioni, por këto ishin shumë më të rralla. Kështu, fustanella ka qenë zakonisht e bardhë, por në profesione e rrethana të caktuara ngjyra e saj ndryshonte. Karvanxhinjtë e qytetit të Delvinës dhe të Sotirës (Dropull) përdornin fus­tanellën me ngjyrë të zezë. Atë e kanë mbajtur edhe kaçakët. Në të dy rastet ngjyra e fustane­llës përcaktohej nga nevoja të karakterit praktik. Veshja plotësohej me brezin e gjerë mbi të cilin ngjishej silahu, ku burri mbante armët e brezit.

Gjatë shekullit XIX veshja me fustanellë shoqëro­hej me flokatën e bardhë, një veshje elegante, e ngushtë deri te beli dhe e derdhur poshtë me shumë kinda; në, vend të mëngëve kishte dy lapa të gjera të hapura që vareshin nga supi. Në shekullin tonë flokata doli nga përdorimi masiv.

Si veshje e rëndë dimri për burra mbahej bërruci i zi karakteristik për gjithë Labërinë, që e mbështillte trupin si një pelerinë.

Në rrethin e Gjirokastrës, përveç kostumit me fustanellë, që nga fundi i shekullit pat filluar të përhapej me shpejtësi veshja me poture dhe me xhamadan blu, prej shajaku për shtresat e varfra dhe prej cohe për ata që ishin në gjend­je të mirë ekonomike.

Mbas Luftës së Parë Botërore në rrethin e Gjirokastrës u përhap një veshje më e thjeshtë dhe më praktike, kostumi me qillota, i shoqëruar me një xhaketë të gjatë, të dyja prej shajaku të zi.

  • Veshje karakteristike e barinjve labe me poture e berruc, Lazarat, fundi i shek XIX
Spread the love
error: