Go to top
Vangjel Poda

Ai ishte fëmija i vetëm i Vasil Podës dhe Anastasi Podës i lindur më 15 gusht 1926. Sipas thënieve të vetë Vangjelit, fillimisht vetëmësoi veglën e santurit, kurse violinën e mësoi falë xhaxhait të tij Llazarit, i cili ishte një mjeshtër i vërtetë në këtë vegël. Xhaxhai i tij Llazua i thoshte: “Vetëm ti Gjeko (shkurtim i emrit Vangjel) ma more gishtin”, pavarësisht se vetë ai kishte dy djem që edhe ata i binin violinës. Ai dinte të luante dhe me llahutë së bashku me xhaxhallarët e tij.  Shumë shpejt Vangjeli u bë pjesë e sazeve të Vasil Podës me të cilin ushtronte talentin e tij kryesisht si violinist e këngëtar në dasma, festa e gëzime. Në vitin 1948 Vangjeli shkon ushtar në Gjirokastër dhe aty vendosi përfundimisht të ushtrohej edhe në klarinetë. Sigurisht provat e para i kishte bërë në familje, por dedikimi ndaj saj i përket vitit 1948.  Në vitin 1950, Vangjeli shpërngulet në qytetin e Ersekës bashkë me gruan dhe djalin. Disa muaj më vonë erdhën aty edhe prindërit e tij, Vasili me Anastasinë[1]. Në vitin 1952 u organizua një festival folklorik në Elbasan. Aty ai regjistroi kabanë e tij të njohur me violinë, dhe e veçanta e saj është se e ka luajtur së bashku me instrumentistë të tjerë nga e gjithë Shqipëria, drejtpërsëdrejti e pa prova. Repertori[2] muzikor i tij me kalimin e kohës u zgjerua dhe sot rezulton shumë i pasur, përfshirë këngë, valle e kaba. Prej vitit 1957-1958 stafeta e sazeve të gjysmës së parë të shek. XX-të të Vasil Podës i kaloi të birit, Vangjelit.

Duhet theksuar se roli i tij si violinist solist në formacionin e sazeve është i lidhur ngushtë me sazet e Leskovikut, ato të drejtuara nga usta Gaqo Lena. Pas kësaj Vangjeli e la veglën e violinës për t’u fokusuar tek vegla e gërnetës. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, gërneta u bë pjesë e pandashme e tij. Vangjelin e ftuan në qytetin e Ersekës për të punuar. Këtu ai ka punuar punë të ndryshme si përgjegjës hoteli në fillim, shitës, bankier, baxhoxhi, furnitor në spital etj., dhe deri punonjës roje tek shkolla e mesme, në vitet e fundit. Në mënyrë të veҫantë Usta Vangjeli konsolidoi traditën e madhe të kabasë leskoviqare dhe të valleve instrumentale. Regjistri muzikor i preferuar për të në gërnetë ishte ai i poshtmi, bashkëkohësit kujtojnë se regjistrin e sipërm e quante “zë laraske”, dhe nuk e preferonte, ndoshta edhe i ndikuar nga vegla e violinës të cilën ai e zotëronte shumë mirë. I jepte shumë rëndësi përsosjes dhe shprehjes përmes melodisë. Njihet huqi i tij që “kurrë” nuk e interpretonte dy herë një lloj pjesën muzikore. Ishte gjithmonë në kërkim teknik e emocional. Por jeta artistike e tij nuk përmblidhet vetëm në këto aktivitete. Ndërkohë ai ishte pjesëtar shumë aktiv i jetës artistike në Kolonjë, ku merrte pjesë në të gjitha koncertet festive, në festivalet folklorike lokale dhe kombëtare, ku është lauruar si person por edhe si rreth me çmime, medalje etj. Ai reflektonte në jetën dhe sjelljen e Tij vetitë më të mira të ustallarëve të shquar të Leskovikut. Për vlerat që mbarte, ai njihej, respektohej dhe kishte miqësi me ustallarët e tjerë të kohës së tij: Gaqo Lenën, Laver Bariun, me pjesëtarët e familjes Mastora, por edhe me më të rinjtë etj. Ai ka drejtuar shumë kurse për mësimin e klarinetës në rrethin e Kolonjës dhe shumica e klarinetistëve që janë sot në Kolonjë janë ish nxënës të tij.

Usta Vangjeli duke filluar nga muaji maj i vitit 1972 dhe deri në fund të aktivitetit të tij si muzikant dhe klarinetist ka luajtur në klarinetë pa dhëmbë (në maj të vitit 1972 i biri i tij dentist i vendosi proteza totale të lëvizshme, të cilat ai i hiqte kur i binte klarinetës) dhe pavarësisht kësaj interpretimi i tij ka qenë i pandikuar prej kësaj pengese të moshës. Ky është një nga rastet e rralla në Shqipëri, dhe më gjerë, që një klarinetist të luajë pa dhëmbë. Besohet se kjo ka ardhur, falë frikaturës dhe muskulit “orbicularis oris”, dhunti që ia kish falur Zoti. Vangjeli vdiq në vitin 2006 në Gjirokastër dhe u varros me nderime në Ersekë. Si artist ai është dekoruar me medalje të ndryshme por edhe me urdhrat “Naim Frashëri” të Klasit III, II, I dhe mbi të gjitha dhe me titullin e lartë “Artist i Merituar”. Në kujtim të Tij, TV-ERSEKA realizoi filmin dokumentar “Ikona e muzikës kolonjare”, piktori Agim Nebiu krijoi portretin e Usta Vanjelit me kostum popullor dhe klarinetë. 

[1] Kujtime në dorëshkrim për sazet e Vasil Podës dhe Vangjel Podës. 

[2] Disa nga pjesët tipike të repertorit të tij muzikor ishin: kaba kolonjare me violinë, viti 1952; kaba kolonjare me klarinetë, viti 1974; kaba kolonjare me klarinetë, Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër, 1983; valle postenanit, vallja e tjerjes (tër-tërja), vallja e Manushaqes, valle e rëndë burrash (e Qani Dumes), valle e Salushes, valle e Manmudisë, valle e Dados, valle kolonjare – e veçantë, valle e gajdes – e veçantë, valle e Dados – Beraçe e veçantë, valle e Osman Takës, valle e vajzave, valle e sarhoshit, e mëngjesit – origjinale si askush tjetër, imiton zërin e këndesit, valle festive, valle kasapçe – leskoviqare, “Ku mërzen cjapi me zile”, “Në Barmash atje në shkallë”, valle e Kalirosë, “Kolonjë e bukur Kolonjë”, “Valle e shalsit” (Kiço Rrushit) etj.

Kaba e tipit dy pjesëshe: kaba dhe valle. Pjesa e parë e kabasë i referohet violinës si instrument koncertues, kjo përmes zhvillimit të disa motiveve, kryesisht vajtimore. Ndjehet zotërimi mjeshtëror i violinës prej Vangjel Podës e posaçërisht ndërlidhja e tipareve të lojës së kabave me gërnetë me ato në violinë. Siҫ dihet, Vangjel Poda i zotëronte që të dyja këto vegla dhe me sa duket këto tipare ai i reflektonte të miksuara sa herë që interpretonte si solist, në violinë apo në gërnetë. Pjesa e dytë është valle tipike leskoviqare me violinë e saze në ritëm dy pjesëtues.

Mund të themi se kabaja e Vangjel Podës për violinë është një kryevepër e llojit në dy këndvështrime: si për origjinalitetin e motiveve dhe të interpretimit të saj, e po aq për konsolidimin që i bën traditës së këtyre kabave, në gjysmën e dytë të shek. XX.

 

 

Spread the love
error: