No products in the cart.
No products in the cart.
Prej vitit 1957–1958 stafeta e Sazeve të Vasil Podës i kaloi të birit, Vangjelit (Podë, 1926 – Gjirokastër, 2006).
Ai ishte fëmija i vetëm i Vasil Podës dhe Anastasia Podës i lindur më 15 gusht 1926. Nëna e tij Anastasia, e lindur në vitin 1900, ishte vajza e vetme e një mësuesi, i cili vdiq kur ajo ishte 6-muajshe. Atë e rritën halla e saj dhe gjyshja nga babai, pasi e ëma iku në derë të babait. Halla e saj Kaliopi ishte martuar dhe jetonte në fshatin Çerepjanë, sot Vasiliko, në Greqi. Anastasia u rrit atje dhe fliste rrjedhshëm të dyja gjuhët: shqipen dhe greqishten. Ajo qëndroi në Greqi deri sa u martua me Vasilin. Ishte një grua mjaft e zgjuar dhe e aftë të imitonte me imtësi të pabesueshme shumë tinguj dhe persona të tjerë burra apo gra, aftësi që duket se i kaloi edhe të birit. Sipas thënieve të vetë Vangjelit, ai fillimisht vetëmësoi veglën e santurit, kurse violinën e mësoi falë xhaxhait të tij Llazarit, i cili ishte një mjeshtër i vërtetë në këtë vegël. Ai i thoshte: “Vetëm ti Gjeko ma more gishtin”, pavarësisht se vetë ai kishte dy djem që edhe ata i binin violinës. Ai dinte të luante dhe me llautë së bashku me xhaxhallarët e tij. Shumë shpejt Vangjeli u bë pjesë e Sazeve të Vasil Podës me të cilin ushtronte talentin e tij si violinist e këngëtar në dasma, festa e gëzime. Në vitin 1948 Vangjeli shkon ushtar në Gjirokastër dhe aty vendosi përfundimisht të ushtrohej edhe në klarinetë. Sigurisht provat e para i kishte bërë në familje, por dedikimi ndaj saj i përket vitit 1948. Në vitin 1950, Vangjeli shkon në qytetin e Ersekës bashkë me gruan dhe djalin. Disa muaj më vonë erdhën aty edhe prindërit e tij, Vasili me Anastasian.[1]
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, Vangjelin e ftuan në qytetin e Ersekës për të punuar. Këtu ai fillimisht punoi si përgjegjës hoteli e më pas edhe si shitës, bankier, baxhoxhi, furnitor në spital etj., dhe deri punonjës roje te shkolla e mesme. Në ato vite të vështira të fillimit, ai mori pjesë në aksionet kombëtare, por edhe në brigadat kulturore që organizoheshin nga pushteti popullor i asaj kohe, duke shkuar fshat më fshat për t’u mësuar njerëzve shkrim e këndim, për t’u mësuar rregullat higjienosanitare për të parandaluar sëmundjet ngjitëse, si dhe për të gjallëruar jetën artistike në fshat e qytet.
Në vitin 1952 u organizua një festival folklorik në Elbasan. Në këtë festival Vangjeli ka incizuar dhe kabanë e tij të njohur me violinë, dhe e veçanta e saj është se e ka luajtur së bashku me instrumentistë të tjerë nga e gjithë Shqipëria, drejtpërsëdrejti e pa prova. Në mënyrë të veçantë usta Vangjeli konsolidoi traditën e madhe të kabasë leskoviqare dhe të valleve instrumentale. Regjistri muzikor i preferuar për të në gërnetë ishte ai i poshtmi, bashkëkohësit kujtojnë se regjistrin e sipërm e quante “zë laraske”, dhe nuk e preferonte, ndoshta edhe i ndikuar nga vegla e violinës të cilën ai e zotëronte shumë mirë. I jepte shumë rëndësi përsosjes dhe shprehjes përmes melodisë. Njihet huqi i tij që “kurrë” nuk e interpretonte dy herë njëlloj pjesën muzikore. Ishte gjithmonë në kërkim teknik e emocional. Por jeta artistike e tij nuk përmblidhet vetëm në këto aktivitete. Ndërkohë ai ishte pjesëtar shumë aktiv i jetës artistike në Kolonjë, ku merrte pjesë në të gjitha koncertet festive, në festivalet folklorike lokale dhe kombëtare, ku është vlerësuar si person por edhe si rreth me çmime, medalje etj. Ai reflektonte në jetën dhe sjelljen e tij vetitë më të mira të ustallarëve të shquar të Leskovikut. Për vlerat që mbarte, ai njihej, respektohej dhe kishte miqësi me ustallarët e tjerë të kohës së tij: Gaqo Lenën, Laver Bariun, me pjesëtarët e familjes Mastora, por edhe me më të rinjtë etj. Ai ka drejtuar shumë kurse për mësimin e klarinetës në rrethin e Kolonjës dhe shumica e klarinetistëve që janë sot në Kolonjë janë ish-nxënës të tij.
Usta Vangjeli duke filluar nga muaji maj i vitit 1972 dhe deri në fund të aktivitetit të tij si muzikant dhe klarinetist ka luajtur në klarinetë pa dhëmbë (në maj të vitit 1972 i biri i tij dentist i vendosi proteza totale të lëvizshme, të cilat ai i hiqte kur i binte klarinetës) dhe, pavarësisht kësaj, interpretimi i tij ka qenë i pandikuar prej kësaj pengese të moshës. Ky është një nga rastet e rralla në Shqipëri, dhe më gjerë, që një klarinetist të luajë pa dhëmbë. Besohet se kjo ka ardhur, falë frikaturës dhe muskulit “orbicularis oris”, dhunti që ia kish falur Zoti. Vangjeli vdiq në vitin 2006 në Gjirokastër dhe u varros me nderime në Ersekë. Si artist ai është dekoruar me medalje të ndryshme por edhe me urdhrat “Naim Frashëri” të klasit III, II, I dhe mbi të gjitha dhe me titullin e lartë “Artist i merituar”. Në kujtim të tij, TV-Erseka realizoi filmin dokumentar “Ikona e muzikës kolonjare”, piktori Agim Nebiu krijoi portretin e usta Vangjelit me kostum popullor dhe klarinetë. Disa nga pjesët e repertorit të tij muzikor ishin: “Kaba kolonjare me violinë”, viti 1952; “Kaba kolonjare me klarinetë”, viti 1974; “Kaba kolonjare me klarinetë”, Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër, 1983; “Valle e postenanit”, “Vallja e tjerjes (tër-tërja)”, “Vallja e Manushaqes”, “Valle e rëndë burrash” (e Qani Dumes), “Valle e Salushes”, “Valle e Manmudisë”, “Valle e Dados”, “Valle kolonjare” – e veçantë, “Valle e gajdes” – e veçantë, “Valle e Dados” – Beraçe e veçantë, “Valle e Osman Takës”, “Valle e vajzave”, “Valle e sarhoshit, e mëngjesit” – origjinale si askush tjetër, imiton zërin e këndesit, “Valle festive”, “Valle kasapçe – leskoviqare”, “Ku mërzen cjapi me zile”, “Në Barmash atje në shkallë”, “Valle e Kalirosë”, “Kolonjë e bukur Kolonjë”, “Valle e Shalsit” (Kiço Rrushit) etj.
[1] Kujtime në dorëshkrim për Sazet e Vasil Podës dhe Vangjel Podës
Kjo kaba është riinterpretim i asaj që njihet si “Kabaja e Mediut”, me dy pjesë, kaba e valle.
Siç kemi theksuar për këtë tip kabaje, tipike është motivi vajtimor mbi të cilin zhvillohet pothuajse e gjithë pjesa e saj e parë, dialogu marrje–prerje mes gërnetës dhe violinës, nën ison konstante të llautës e cila në këtë variant nuk është më në Si b si te kabaja që luan Medi Përmeti, por në notën Do.
Ashtu si në kabanë origjinale, kabaja ka një dhimbje të përmbajtur e cila herë pas here shpërthen në kulminacione patetike që lidhen me gjendjen e interpretuesit. Në këtë kaba ndihet një qëndrim më dinamik i gërnetës në raport me paraardhësin. Duhet theksuar se në këtë kaba të interpretuar nga Vangjel Poda ka një përdorim dhe ndërthurje interesante të teksturës së gërnetës virtuoze me atë të veglës së violinës dhe kjo e ka një shpjegim. Vangjel Poda erdhi në veglën e gërnetës nga pozicioni i violinistit. Kjo e ka ndihmuar atë që të implementojë në interpretimet në gërnetë, ashtu si pa kuptuar, shumë nga teknikat e lojës në violinë. Kjo gjë e shquan “Kabanë e Vangjelit” mbi të gjitha.
Pjesa e dytë shfaqet si valle e gëzuar e mjaft dinamike.