Njihen tej e mbanë me ketë emër, pavarësisht se gërnetari i Sazeve të Delvinës quhej Abdulla (Tuli) Barjami (1918–1981).
Lindi në Bodsishtë të Dropullit. Karrierën si klarinetist e filloi në moshën 9-vjeçare, kur i ati e merrte me vete në përbërje të orkestrës së tij në fshatrat e Dropullit. I ati shquhej si klarinetist dhe këtë ia trashëgoi dhe të birit. Ai ka zhvilluar veprimtari në fshatrat e shtetit grek që ishin në vartësi të prefekturës së Janinës. Gjithashtu i ati ka përgatitur mjaft instrumentistë të tjerë në fshatrat e Dropullit. Abdulla Barjami është i përmendur si klarinetist në Dropull, në fshatrat greke pranë kufirit shqiptar, në Delvinë, në Gjirokastër e Sarandë. Ishte i preferuar në dasma, festa fetare etj., ku e ftonin shpesh. Ka interpretuar një pjesë të konsiderueshme të repertorit dygjuhësh të sazeve: shqiptar dhe grek. Abdullai ka zhvilluar veprimtari mbi 8 vjet me estradën e kufirit në vitet 1950–1958 dhe më pas në Delvinë dhe Shtëpinë e Kulturës Sarandë.
Vdiq në Delvinë, i shoqëruar gjatë dhe pas vdekjes nga respekti i qytetarëve të saj për këtë artist të rrallë. U shqua për interpretimet e kabave dhe valleve me saze, ndër to shumë e njohura “Valle e Delvinës”.
Kabaja e Tulit (1966)
Vijues i traditës së madhe të kabasë labiko të Bilbil Vlorës, të shkollës muzikore popullore të familjes Mastora të Dropullit dhe i traditës muzikore popullore të minoritetit grek në Shqipëri.
“Kabaja e Tulit të Delvinës” strukturoret si kaba tipike njëpjesëshe, me motiv vajtimor të Labërisë me kadencime të shpeshta në septimën minore.
Gërneta shfaqet e thjeshtë dhe e përmbajtur në shtjellimin e motivit vajtimor por plot me ëmbëlsi dhe qartësi të frazave melodike. Tuli lidh natyrshëm veçoritë e kabasë labe me ato greke, kur këto të dytat i përdor si zhvillim virtuoz të materialit të parë. Gjithçka është në vendin e vet, pavarësisht mungesës së violinës në prerje, gjë të cilën përpiqet ta kryejë fizarmonika. Tekstura e kabasë shtjellohet qetë dhe natyrshëm mbi një shtrat ritmik “ad libitum” kryesisht në regjistrin e poshtëm dhe të mesëm të gërnetës.
Përmes kabave, valleve dhe këngëve që interpretoi Tuli Bajrami, ai krijoi modelin e Sazeve të Delvinës, traditë që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Sazet e tij përbëheshin edhe nga Hasan Dino – llautë; Aristidh Nini dhe Veli Majko – violinë; Njazi Hisi – def.