Go to top
Telando Feto

Telando Feto ka lindur në Korçë më 17 korrik 1973. Prirjet muzikore i shfaqi që fëmijë. Pas studimeve për klarinetë në shkollën e mesme artistike “Tefta Tashko Koҫo” në qytetin e Korçës, aktivizohet si pjesëtar në ansamblin “Skënderbeu” si dhe me sazet e tij merr pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndër to, në festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës e Beratit, në Festivalin Folklorik Kombëtar Tipologjik të Këngës Popullore Qytetare në Elbasan, në Festivalin Folklorik Kombëtar Tipologjik të Valles Popullore në Lushnjë etj. Pjesëmarrës në emisione televizive dhe radiofonike si Top Channel, Radio Tirana, Radio Korҫa etj. Ka dhënë koncerte brenda dhe jashtë vendit, si në Greqi, Turqi, Maqedoni, Angli, Itali, Gjermani etj. Debutimi më i fundit është me grupin “Saz’Iso” në Angli ku interpretoi në 10 koncerte dhe promovoi CD-në e këtij grupi. Është vlerësuar me disa çmime si “Novruz Nure – Lulushi” në Festivalin e Sazeve në Përmet, çmimin I në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Sazeve dhe të Orkestrinave Popullore në Korçë, çmimin e dytë në takimin e 10 klarinetistëve më të mirë të Shqipërisë etj. Prej përfundimit të studimeve punon si mësues muzike, fillimisht në fshatin Sovjan e Podgorie në Korçë e për disa kohë edhe pranë teatrit “Andon Zako Ҫajupi” po në Korçë. Talentin e tij ia ka përcjellë të birit, violinistit të talentuar të muzikës me saze, Eraldo Feto.

Kaba dypjesëshe: kaba dhe valle.

Pjesa e parë mbështetet mbi një motiv vajtimor tosk të zonës së Korҫës.

Tipike për këtë kaba është përdorimi i befasishëm i regjistrit të lartë të gërnetës qysh në hyrje të saj. Në vijim pjesa e parë zhvillohet përmes dialogëve polifonikë mes gërnetës dhe violinës së Aurel Qirjos në regjistrat e mesëm, ashtu siç ndodh edhe në këngët toske me iso.

Kalimi në pjesën e dytë, valle, është i qetë dhe ritmi shoqërues i llautës nuk prish dialogët e instrumenteve të cilat tashmë ndodhin në kontekstin e valles.

Gjatë gjithë kabasë ndihet shkolla e interpretimit që Lulushi krijoi në muzikën popullore instrumentale të Korçës, të cilën Telando e ka përthithur në rrugë krijuese së bashku me gërnetarë të tjerë si Zhani Struga, Aleks Xhelili etj.

 

Spread the love
error: