Go to top
Selim Leskoviku

Pa dyshim, në gërnetë Selimi qe mjeshtër i vërtetë. Qysh në ato vite ai cilësohej si “…klarinetisti më i shquar i ditëve tona”[1]. Selimi lindi në Leskovik rreth viteve 1890-1895. Fillimisht është quajtur Selim Asllan Tare, më pas Selim Leskoviku dhe në vitet e fundit të jetës është thirrur me emrin “Selim Stambolli”, pasi në këtë qytet ai zhvilloi veprimtarinë e tij. Selimit i njihet formimi i lojës virtuoze në gërnetë, e cila shfaqet te shoqërimet e këngëve, por më tepër te pjesët me vegla të sazeve, qofshin këto “avaze”, “të qara”, “valle” apo “kaba”. Edhe sot, pas gati 100 vitesh, loja e Selimit në gërnetë mbetet një model interpretimi dhe një majë e pakapërcyeshme për të gjithë ata që kanë synuar ta imitojnë. Mbetet për t’u hulumtuar nëse Selimi interpretonte në vegla muzikore popullore përpara se të mësonte klarinetën, gjë që ka shumë të ngjarë. Nisur nga repertori i pasur që interpretoi (rreth 300 këngë, valle e kaba), ai rezulton të jetë interpretues i jashtëzakonshëm i larmisë kulturore muzikore të krahinave të Shqipërisë dhe më gjerë. Ende në jug të Shqipërisë qarkullojnë gojëdhëna si ajo që nga interpretimi virtuoz në gërnetë rrëzoi çupën e një pashai nga ballkoni, apo që ia lyen në Stamboll çelësat e gërnetës me “flori të bardhë” – argjend, për famën që kishte interpretimi i tij në këtë vegël. Njëra prej gërnetave të Selimit i është dhuruar këngëtarit popullor Ylli Zeqiri, nga të afërmit e tij në Stamboll gjatë një turneu në vitet ’80 të shek. XX. Kjo gërnetë gjendet në shtëpinë e tij në Përmet.

Është meritë e padiskutueshme e Selimit dhe Hafizesë strukturimi i këngës qytetare të Leskovikut dhe përgjithësisht i këngës qytetare tipike të qyteteve të Toskërisë, pra si kënga polifonike që hapet me saze dhe mbyllet po me to e pa dyshim i kabasë toske me saze. Duke shfrytëzuar folklorin e pasur fshatar të zonës përreth, ata krijuan stereotipat bazë të muzikës qytetare me saze. Duhet theksuar se te këto saze nuk vendos dot një kufi ndarës ndërmjet interpretit dhe krijuesit. Mendohet se të dyja këto cilësi artistike qenë të trupëzuara në sazexhinjtë e këtyre sazeve. Selimi kishte një djalë muzikant që quhej Novrus Selim Leskoviku, për veprimtarinë e të cilit kemi pak informacion. Gjithë sazet e tjera pas tyre njihen me emrin “Sazet” ose “Shahirët e Leskovikut”. Regjistrimet e tyre me muzikë popullore u bënë pranë shoqërive diskografike “Odeon”, “Columbia”, “His Master’s Voice”, “Homocord”, “Victor” etj. Në mbishkrimet e disqeve shkruhej: “Selimi me shokë” ose “Selimi dhe Hafizeja” ose “Selin efendi skipëtar” etj. Kemi dëshmi që provojnë se disqet e tyre të viteve 1930 u bënë në Stamboll si në rastin e këngëve “Kush të ka moj Ruskë”, Odeon-A-202128-b (Co-717) dhe “Sta tria”, valle, Odeon-A-202128-a (Co-713). Si për asnjë palë sazesh të tjera, tregu muzikor shqiptar dhe mbarë ballkanik u tërhoq nga muzika e tyre. Qindra e mijëra disqe u prodhuan dhe u shpërndanë gjithandej, në të gjitha kontinentet. Sot nuk ka një formacion tjetër muzikor shqiptar, aq të njohur dhe të pranuar gjithandej për vlerat e tyre artistike sa Selimi me Hafizenë.

[1] Shiko AQSH, fondi 251, dosja 200, viti 1931. Dosja përmban një letër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dt. 16.11.1931.

“E qara” – “kaba” e Selimit me gërnetë është gjinia më kulmore e interpretimit në veglën e gërnetës ose violinës. Duhet të kujtojmë se në atë kohë, krijimi i modeleve të tilla të ligjërimit koncertal muzikor me gërnetë nuk ekzistonte. Modelin instrumental të këtyre “të qarave”, “Selimi me shokë” e krijoi mbështetur mbi gjuhën dhe gjinitë muzikore popullore të veglave tradicionale si fyelli i patemperuar i Toskërisë dhe mbi vajtimet vokale isopolifonike të zonës së Shqerisë mes Përmetit dhe Leskovikut. Pikërisht, edhe “e qara” e Selimit mbështetet në motive të ngjashme me formula të shkurtra muzikore të cilat i referohen vajtimit për humbjen e një njeriu të dashur ku gërneta luan rolin e “marrësit” dhe violina atë “të kthyesit”, këto të mbështetura nga isoja e vazhdueshme në formë pedali e llautës. Ritmi i saj zhvillohet i njëtrajtshëm në “ad libitum”. Është aftësi e jashtëzakonshme e ustallarëve, si Selim Leskoviku, të cilët krijuan të parët këto modele instrumentale me saze, të ngjashme me koncertin për instrument dhe orkestër në muzikën klasike. Kabaja e tij përveçse respekton origjinën e motiveve, konsolidon raportin gërnetës (marrës) me violinën (kthyes) dhe llautën në iso. Kabatë themeluese të kësaj tradite u krijuan falë pasurisë së muzikës isopolifonike, talentit të gërnetarëve, por edhe lirisë krijuese të autorëve të tyre.

Përthithja e klarinetës prej Selimit, pa e njohur më parë, njësoj sikur të ishte një vegël e thjeshtë popullore aerofone, ka bërë që tingulli i saj të krijojë një identitet të ri të kësaj vegle, që mes ustallarëve dhe në popull quhet “gërnetë”. Pra instrumenti është vërtet klarinetë nga pamja, por “gërnetë” nga tingulli që nxjerr, pasi interpretimi i “Selimit me shokë”, eksploroi mundësi teknike të veglës, të cilat nuk ishin parashikuar nga konstruktorët e saj. Ndër to evidentojmë identifikimin e septimës minore si kadencë, lojën me glizando rrëshqitëse, qofshin zbritëse apo ngjitëse dhe tingujt e patemperuar që shpeshherë qëndrojnë të artikuluar mjeshtërisht përmes pozicioneve specifike të bukaturës. Tipik është përdorimi i një ambitusi të gjerë të lojës në klarinetë dhe zhvillimi gradual i motivit me ekspozim, zhvillim dhe kulminim.

Në këtë fazë të formimit të këtyre kabave konstatojmë se ato janë ende njëpjesëshe, pra kemi vetëm “të qarën”, pa pjesën e dytë, “vallen” ritmike, e cila do të shfaqet disa vite më vonë, për të krijuar atë që e quajmë “kalimin nga errësira e vdekjes, në dritën e jetës”. Vajtimin, si gjini popullore, e gjejmë që të luhet edhe me fyell dhe longar.

Sazet e tij përbëheshin nga Hafize Leskoviku, këngëtare dhe violiniste e shquar, dhe vëllezërit e të afërmit e tij të cilët interpretonin në llautë, kanun e në dajre.

Spread the love
error: