Usta Medi Përmeti (1865-1935) është një nga më të njohurit gërnetarë të sazeve të Shqipërisë së Jugut. Sazet e tij kanë qënë të përbëra nga gërnetë-fyell, qemane, buzuk dhe llauta. Sazet e tij përbëheshin nga Osman Mato dhe Ethem Belul Sinani në llahutë dhe Myftar Muço në violinë. Më vonë Medi Keko-Përmeti rifreskoi sazet edhe me Bari Nurkën, babain e Usta Laver Bariut në llahutë, Asllan Muçon në llahutë dhe Sadik Çaçin në violinë. Një nga dëshmitë për përdorimin dendur të buzukut në Përmet në mes të viteve 1930, e gjejmë në veprën “Dy bredharakë në Shqipëri”[1] ku përshkruhet buzuku si instrument së bashku me muziktarin popullor përmetar që interpreton muzikë popullore me të.
Veprimtarinë kryesore sazet e Usta Mediut e zhvillonin në dasmat, festat fetare e panairet, gëzimet dhe sebepet e shumta në qytetin e Përmetit e më gjerë. Usta Mediu krijoi tipin e kabasë së shtruar e të hequr rëndë, kaba e cila ende sot quhet me emrin e tij: “Kabaja e Mediut”, e cila ka marrë shkas dhe i dedikohet humbjes së jetës së babait të tij Lamҫe Keko në Jemen, kur kryente shërbimin ushtarak gjatë Perandorisë Turke. Ai nuk u kthye kurrë prej andej.
Ky tip i ri i kabasë formoi atë që sot njihet si Kabaja tradicionale e Përmetit. Kjo nënkuptonte një kaba tradicionale përsa i përket orientimit por ishte disi larg virtuozizmit të lojës në gërnetë që vinte nga tradita e Leskovikut dhe kjo për disa arsye. Ai kaloi në interpretimin në gërnetë prej fyellit të shtruar të Përmetit, biles veçoria interpretuese e tij, ashtu si dhe e Cilo Qorrit të Korçës është e lidhur pazgjidhshmërisht me këtë binjakëzim të këtyre veglave në një interpret të vetëm. Kjo solli për pasojë “tretjen” dhe përcjelljen e veçorive dhe të repertorit të këtyre veglave popullore edhe në muzikën që ata interpretonin dhe krijonin njëkohësisht me vegla si klarineta.
Si për Usta Mediun ashtu dhe për sazexhinjtë e tjerë, kallami i klarinetës do të punohej gjithmonë prej tyre në një rrugë artizanale, kjo ndoshta si një shprehi e dikurshme e punimit artizanal të veglave popullore. Një pjesë të madhe të interpretimeve muzikore e ka realizuar së bashku me Vangjel Leskovikun. Regjistrimet muzikore të tij janë bërë pranë “ODEON-it” dhe ndër to përmendim “Kabanë e Mediut” dhe këngën “Penxheren e zotëris sate”.
[1] Në veprën « Dy bredharakë në Shqipëri », të Jan & Cora J. Gordon, shënime udhëtimi të vitit 1925, Tiranë, 2014,