Go to top
Sazet e familjes Lela
Sazet e familjes Lela Të njohur me këtë emër brenda e jashtë Shqipërisë, ky formacion instrumental shënon rastin më domethënës të organizimit të formacionit të sazeve brenda një familjeje të vetme në gjysmën e dytë të shek.XX. Duke ringjallur traditën e dikurshme të këtyre organizimeve, sazet e familjes Lela janë njëkohësisht vazhdimi i zhvillimit të Sazeve shqiptare por njëkohësisht edhe një koncentrat i historisë së dikurshme të formimit të tyre. Origjina e tyre është nga Përmeti. Fillimet e origjinës muzikore të tyre lidhen me qytetin e Përmetit dhe veçanërisht me të jatin e tyre Manen i cili ishte llautar dhe këngëtar popullor. Babai i Lelave, Mania (lindur më 1902 dhe vdiq më 29 Shtator 1982), ishte me origjinë nga Frashëri ndërsa origjina e nënës së tyre, Fatimesë, ishte nga Pacomiti, një fshat afër Përmetit. Është Mania (i cili këndonte që në moshën 10-12 vjeçare këngën popullore), që iu bashkëngjit sazeve të gërnetistit të shquar të njohur me emrin “Usta Jonuzi i Lamçes”, fillimisht si këngëtar e më pas si llautar. Me këtë formacion, si dhe me Sazet e Rizait me gërnetë dhe Metes me violinë ai punoi në periudhën 1924-1939, duke marrë pjesë kryesisht në dasma e panaire në Shqipëri. Me hapjen e Radio Tiranës me 1939, u bë oferta për realizimin e disa disqeve me muzikë popullore përmetare. Usta Jonuzi, që ndërkohë punonte në Tiranë, thërret edhe shokët e tij të sazeve të Permetit. Kështu, më 1940, familja Lela e përbërë edhe nga djemtë Çobani, Myslymi, Rizai,Bilali, Ahmeti dhe motra Xhanja shpërngulet në Tiranë. Me ardhjen në Tiranë fillon rrugën formacioni i ardhshëm i “Familjes Lela”. Në fakt strumbullari i vërtetë i “Sazeve të Familjes Lela” do të bëhej Çobani (1937-1 Janar 1995). Më 1945-46 fillon të ushtrohet me gërnetën që i bleu babai e më pas në mënyrë autodidakte si të gjithë gërnetaxhinjtë shqiptarë të Sazeve. Pjesa e parë që mësoi ishin “ca gishta” nga kabaja e “Selim Stambollit”, të cilën ia dëgjoi edhe Usta Jonuzi i Lamçes i cili i dha zemër. Rreth moshës 12-13 vjeç, i ati e merrte Çobanin me vete nëpër dasma dhe në kohën kur vëllai tjetër, Rizai, filloi fizarmonikën të tre bënë së bashku një grup, grup i cili është embrioni i  “Sazeve të familjes Lela”. Punon për një kohë si gërnetaxhi në kafe “Parisi” pa u ndarë nga dasmat, ku për një pjesë të madhe të kohës punoi me violinistin e shquar tiranas Met Alia, dhe me muziktarin e bakllamasë Sotir Progri nga Leskoviku. Me formimin e Filarmonisë (1951) e më pas të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1957), merr pjesë në to e më pas  në ansamblin “Tirana” (1978-1990), së bashku me vëllanë tjetër Fatmirin, me llautë. Më 1990 të gjithë “Lelat” rigrupohen pranë “Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore” me këtë përbërje: Çobani me gërnetë e këngëtar, Myslymi gërnetë e dytë dhe këngëtar, Ahmeti me fizarmonikë dhe këngëtar, Fatmiri me llautë dhe këngëtar, Bilali me def dhe këngëtar, Shqiponja-këngëtare dhe Çeçoja me violinë. Regjistrimet muzikore të këtij formacioni janë pranë Radio dhe Televizionit Shqiptar, Institutit të Kulturës Popullore dhe shumë agjensive të huaja muzikore. Vlerësimet më të mëdha dhe turnetë më seriozë me muzikë popullore i ka bërë pas viteve ’90 në Francë, Belgjikë, Gjermani si dhe në Vendet e Ulta. Në turneun[1] e vitit 1991 brenda muajve Maj-Qershor, familja Lela dha koncerte në Vandoeuvre, Berlin, Albi, Marseille, Angouleme, Poitiers, Tilburg, Bruxelles, Metz, Paris, Caen, Strasbourg, Trappes, Roanne, Amsterdam. Një vit më vonë, në periudhën Mars-Prill japin koncerte në Rennes, Abgers, Amiens, Mulhouse, Strasbourg, Sotteville les Rouen, Paris, Gand, Amsterdam, Hilversum, Echirolles, Oullins, Lorient, Glomel, Morlaix. Çobani ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare që janë zhvilluar në Gjirokastër, dhe me formacionin e “Familjes Lela” ka marrë pjesë edhe në “Takimin Kombëtar të Sazeve dhe Orkestrinave popullore të Shqipërisë së Jugut”, të zhvilluar në Korçë më 1994. Rëndësia e Sazeve të “Familjes Lela” dhe në veçanti e Çobanit është e shumëanshme. Çobani ishte një nga gërnetaxhinjtë më virtuozë të gjithë Sazeve tona të Jugut, si dhe nga njohësit më të mirë të shumicës së veçorive stilistike të muzikës instrumentale e vokale të folklorit tonë. Ka shkuar pothuajse nëpër të gjitha rrethet e Shqipërisë me sazet, gjë që ka ndikuar tek Çobani për të njohur pothuajse të gjitha stilemat kryesore të muzikës popullore shqiptare, e për t’i pasqyruar ato në repertorin e tij. Çobani, me intuitën e tij të lindur, dëshmoi se muzika popullore zhvillohet dhe përsoset nëpërmjet proceseve të brendshme dhe pikërisht nëpërmjet njohjes  së tyre interpreti bëhet pjesë e rëndësishme e përhapjes së vlerave qindravjeçare.  Ndjeshmëria e tij e lartë emocionale është zhvilluar duke ruajtur të pastër “traditën e vjetër” siç shprehet vetë ai, duke iu kundërvënë të gjitha atyre ndikimeve të huaja, nisur nga ajo ç’ka ai besonte që e kishte të ngulitur shpirtërisht. Kur studiojmë muzikën që Çobani ka lënë, dëgjojmë si gërnetën e Jugut (në pjesët e tij të pëlqyera si “Kabanë myzeqare” apo “Çamçe-beratçe”, “Pogonishte” ), po ashtu edhe Shqipërinë e mesme. Për më tepër Çobani thirret edhe si një ndër themeluesit e traditës së “gërnetës tiranase”. Prof. Zadeja e ka quajtur Çobanin “…një vokabolar dhe reformues të vërtetë të kulturës sonë muzikore popullore”. [1] Për jehonën e koncerteve të familjes Lela dhe të Çobanit në mënyrë të veçantë shiko dhe artikujt e botuar në “Le Monde de la Musique” nr 157, viti 1992 me autor Frank Tenaille si dhe artikullin e botuar në gazetën angleze “The Wire”, Tetor 1992 me autor Richard Scott. Po rreth tyre, shiko dhe Viktor Sharra “Politiques Culturelles et Action Artistique”, option “International”, fq.64-67, Paris, 1993.
Spread the love
error: