No products in the cart.
FRASHËRI Sami (1850–1904). Ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i saj, dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist. Në literaturën e huaj, sidomos turke, është njohur me emrin Shemseddin Sami. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor. Është vëllai i vogël i Abdyl e Naim Frashërit. Mësimet e para i mori në vendlindje. Më 1865, bashkë me vëllezërit e motrat u vendos në Janinë, ku kreu gjimnazin “Zosimea”, së bashku me Naimin. Atje, përveç kulturës së përgjithshme, mësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe latinishten, frëngjishten e italishten. Nga mësuesit e medreseve të Janinës mësoi arabishten dhe persishten. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë atdhetare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes liberale turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe me themelimin e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (1879) u zgjodh kryetar i saj. S.F. drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria”, ku shkroi një varg artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhësë shqip” (1886) “Shkronjtore e gjuhësë shqip” (Gramatikë, 1886) dhe “Dheshkronjë” (Gjeografi, 1888). E këtij mendimtari të shquar është edhe vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, botuar më 1899 në Bukuresht pa emër autori. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idetë demokratike të S.F. për zhvillimin politik e shoqëror të vendit, për zhvillimin e arsimit, të kulturës e të shkencës. S.F. hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe që mbeti i pabotuar, la gjithashtu në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare. Çështjen shqiptare S.F. e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi sidomos në gazetën turqisht “Terxhuman-i Shark”. S.F. është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar S.F. i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare. Si dijetar i madh S.F. dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës, ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (“Kamus-i turki”, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i turki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu, ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht (“Kamus-i fransevi”, 1882); turqisht-frëngjisht (“Kamus-i fransevi, 1885); arabisht-turqisht (“Kamus-i arabi”). Vepra madhore e S.F. në gjuhën turke është fjalori enciklopedik “Kamus-ul alam” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend të dukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në fjalorin enciklopedik të Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, si edhe për fshatrat më të njohura. Si shkrimtar S.F. shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare e S.F., drama “Besa” e botuar më 1875, e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej. Për përhapjen e dijeve shkencore shkroi disa libra dhe broshura, të cilat i përmblodhi në “Bibliotekën e xhepit”; hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale. S.F. la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë. S.F. ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta “Sabah” (Mëngjesi, 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, “Hafta” (Java). Në punën krijuese të S.F. një vend të rëndësishëm zënë edhe përkthimet, kryesisht ato nga frëngjishtja. Ai shquhej për kulturën e tij të gjerë në shumë fusha. Biblioteka personale e tij kishte 20.000 vëllime. Për veprimtarinë e tij në të mirë të lëvizjes kombëtare shqiptare Porta e Lartë e izoloi S.F. duke e ndaluar vitet e fundit të dilte lirisht nga shtëpia. Vdiq në Stamboll.