No products in the cart.
Përfshin qytetin e Përmetit dhe rrethinat. Tipike për këtë zonë etnografike është zhvillimi i kulturës muzikore qytetare me saze e lidhur ngushtë me qytetin e Përmetit si qendër e zhvilluar urbane me Gurin e Qytetit dhe Vjosën, me shkolla, objekte kulti, pazar e dyqane, shtëpi karakteristike etj. Janë me dhjetra dëshmitë e udhëtarëve të huaj që e lartësojnë qytetin e Përmetit si qendër të zhvilluar urbane krahas Korcës, Janinës, Beratit etj. Vetë zhvillimi i qytetit dhe vecoritë e tij etnokulturore shihen të pashkëputura nga prurjet e zonave më të afërta etnografike si Rrëza, Shqeria, Cerja, Malëshova por edhe nga kontakti me krahinën e Zagories. Provë për këtë janë një pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore me saze e cila e ka origjinën nga zona labe e Zagories. Në mënyrën e të kënduarit të burrave mbizotëron polifonia. Dangëllia, Shqeria dhe qyteti i Përmetit, u lidhën ngushtë me Leskovikun, mes të cilëve u ngjiz bashkëpunimi frytdhënës, që formoi e kristalizioi portretin e sazeve muzikore isopolifonike. Gjatë gjithë historisë së përpjekjeve për liri e progres, për vazhdimësi, kulturë e dinjitet shqiptar kanë shkëlqyer figura të mëdha përmetare, nderi i kombit, me rezonancë mbarëkombëtare e më gjerë. Figurat më të shquara në muzikë lidhen me sazet e Medi Permetit, Jonuzit të Lamces, Riza Mekos, Halitit, Usta Laver Bariut dhe me këngëtarët Menotr Xhemali, Jorgo Culli, Ilia Nasi, Behije Roci etj. Në kulturë Dora D’istria, Odhise Paskali, Janaq Paco, Bardhyl Londo, Nonda Bulka etj. Në politikë evidentojmë dy kryeministrat përmetarë Aqif Pashë Përmeti dhe Turhan Pashë Përmeti etj.