No products in the cart.
PASKALI Odhise (1903–1985). Skulptor, Skulptor i Popullit, akademik. Figura kryesore në skulpturën shqiptare në v. ’20–’80. Lindi në Përmet. Më 1919 shkoi në Itali, ku kreu liceun (1923) dhe u regjistrua në fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, me synimin për të studiuar albanologji pranë Matteo Bartolit, por u mor njëkohësisht edhe me skulpturë. Ndër veprat e tij të para është kompozimi sugjestionues i një figure të trajtuar me realizëm të ashpër (“I urituri”, 1924, ruhet vetëm fotografia), krijuar nga mbresat e forta prej vuajtjeve dhe urisë të banorëve të krahinave të Shqipërisë së Jugut, të shpërngulur drejt Vlorës nga masakrat e andartëve grekë të v. 1914. Në 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit. Në Shqipëri O.P. mori pjesë në krijimin e shoqërisë “Miqtë e Artit”, që organizoi ekspozitën e parë kombëtare të “Artit të thjeshtë” (1931). Më 28 nëntor 1932 u përurua në Korçë përmendorja e “Luftëtarit Kombëtar”, një kryevepër e autorit dhe e skulpturës shqiptare. Në portretin e luftëtarit O.P. realizoi një figurë tipike shqiptare, me tipare që do të vërehen më pas në shprehje dhe karaktere të larmishme në shumë vepra të tjera monumentale. Po atë ditë u përurua në Vlorë statuja e “Flamurtarit” mbi varrin e Ismai Qemal Vlorës. O.P. realizoi gjithashtu shtatoren e Th. Gërmenjit, që u përurua në Korçë më 10.12.1932, shtatoren e Ç. Topullit, përuruar në Gjirokastër në përvjetorin e Përpjekjes së Mashkullorës (18.03.1934). Ndërmjet punimeve me funksion monumental është edhe një kolonë me një shqiponjë lart dhe një reliev në mes të saj, kushtuar dëshmorëve kolonjarë, ngritur në Ersekë më 1938. Busti i Skënderbeut, ngritur në Kukës më 1939, është një kryevepër tjetër monumentale, ku format e hiperbolizuara të heroit krijojnë shoqërim përfytyrimesh simbolike. Në v. ‘30 O.P. formoi në buste tipat dhe karakteret individuale të personaliteteve të njohura të figurave të shquara të kombit dhe kompozime lirike të gruas, të nxënësit të fshatit, të vajzës që mbush ujë e të tjera, por edhe portrete të njerëzve të kohës, në të cilat zbulon karakterin e tyre. Pas çlirimit O.P. krijoi buste të heronjve të Luftës ANÇ, disa nga të cilët u vendosën në sheshe qytetesh (Vojo Kushi, 1949, Tiranë). Disa kompozime monumentale, që O.P. realizoi në v. ‘60, kanë një karakter tregimtar (“Shokët”, 1964; Varrezat e Dëshmorëve në Përmet; “Partizani Fitimtar”, 1968, Mathauzen, Austri). O.P. bashkë me A. Manon dhe J. Paçon – realizuan monumentin e Skënderbeut në Tiranë (1968). Me vërtetësi deri në hollësitë, siluetat e japin heroin në një lëvizje parade, me shpatën mbështetur anash dhe kokën energjike të ngritur si luftëtar dhe burrë shteti.
Në v. ‘70 e më pas, O.P. krijoi buste të figurave heroike të Luftës ANÇ, të kompozuara në mënyrë sugjestive, si “Dy heroinat” (Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima – 1974, Gjirokastër), Ganimete Tërbeshi (1980, Gjakovë), si dhe të atdhetarëve e luftëtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare, si Naum Veqilharxhi, Zef Serembe, Idriz Seferi. Ai bëri interpretime të reja të Naim Frashërit, të Jeronim de Radës në një stil më të lirshëm plastik. Në bashkëpunim me skulptorin e popullit Th. Thomai punoi për bustet e bashkuara të vëllezërve Abdyl, Naim, Sami Frashëri mbi varret e tyre (1978, Parku i Madh, Tiranë). Portretet realiste që gdhendi në këto vite, dallohen për një trajtim plastik që reflekton tipin dhe karakterin e personazhit (“Nonda Bulka”, 1973, Përmet). O.P. punoi edhe bustet e drejtuesve të shtetit shqiptar, A. Zogut dhe E. Hoxhës. Shumë statuja dhe kompozime të vogla të O.P., përgjithësisht të mbështjella nga një “atmosferë” poetike që rrezaton plastika e tyre në hapësirë, kanë qenë bocete për skulptura të mëdha. Nga këto vetëm ndonjë është realizuar prej tij. Skulptura e O.P, përgjithësisht realiste, përçon një frymëzim të thellë patriotik kombëtar, por nuk mbeten jashtë lirizmi dhe përgjithësimi simbolik filozofik. Secili nga krijimet e tij më të mira ka një trajtim të veçantë në përshtatje me psikologjinë, karakterin, mendimin që synon të përçojë, dhe me lëndën me të cilën do të trupëzohet. O.P. është skulptor spontan. Veprat e tij, buste, statuja, relieve kanë harmoninë dhe lëmimin e artit të lashtësisë, herë lëvizshmërinë ekspresioniste të modelimit, herë peshën e rëndë të formave të pastra monumentale. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.