Go to top
Nonda Bulka

BULKA Nonda (1906–1972). Shkrimtar satirik, pedagog. Lindi në Leusë të Përmetit. Kreu Liceun Kombëtar (francez) në Korçë dhe ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Tuluzës (Francë), por i ndërpreu për shkak se iu pre bursa dhe u kthye në Shqipëri. Punoi si mësues i letërsisë në Liceun e Korçës. Pas Çlirimit mësues i letërsisë në shkolla të mesme dhe pedagog në degën e frëngjishtes në UT. Në fillim të v. ’30, nisi të botojë në shtypin e kohës, me pseudonimin Chri-Chri, shkrime satirike, të cilat i mblodhi në librin “Kur qan e qesh bilbili” (1934). N.B. ka qenë një nga përfaqësuesit kryesorë të brezit letrar të v. ‘30. Në krijimet e tij me frymë të mprehtë publicistike u bëri jehonë problemeve të jetës së shoqërisë shqiptare të kohës dhe ngjarjeve ndërkombëtare, shprehu pakënaqë-sinë ndaj pabarazisë e padrejtësive shoqërore, demaskoi degjenerimin moral të qarqeve drejtuese, amullinë në politikën e arsimit dhe orvatjet e klerikëve të veçantë për të mbajtur popullin nën zgjedhën e fanatizmit dhe të prapambetjes. Një vend të veçantë në shkrimet e tij zuri kritika ndaj politikës agresive imperialiste dhe fashizmit në prag të Luftës II Botërore, shtoi kërkesën për një letërsi realiste me përmbajtje shoqërore. Pas Çlirimit N.B. vazhdoi të botojë “Skica dhe tregime” (1950), vëllimet me vjersha “Në dritën e yllit” (1952), “Soditje”, “Bij të shkrepit” (1963), “Fabula” (1965), “Legjenda e një fisi” (1966). Si poet i këndoi heroizmit partizan, përpjekjeve për ndërtimin e jetës së re, atdhedashurisë etj. Në skicat dhe vjershat satirike demaskoi orvatjet e forcave të vjetra dhe të forcave të jashtme për të ndërruar situatën politike në Shqipëri në favor të tyre. Me një humor të mprehtë goditi koncepte dhe shprehi anakronike. N.B. u mor edhe me përkthime nga letërsia botërore; solli shqip romanin “Evgjeni Grande” të Balzakut, “Universitetet e mia” të Gorkit, novela të Mopasanit, të Dodesë etj.

Spread the love
error: