Go to top
Nexhip Saçmja

Gërnetari i Sazeve të Fierit Nexhip Saçmja (1935–1998), renditet si një ndër muziktarët popullorë më të shquar të Myzeqesë. Ka lindur në vitin 1935 në një familje rome që sipas të dhënave që vijnë nga i ati i tij, Bajrami, familja Saçmja ka qenë ndër të parat familje rome të stacionuara në Myzeqe. Fillimisht në Marinëz të Roskovecit dhe pas 5 vjetësh në Baltëz të Fierit. Fisi Saçmja çmohet si një fis me gen muzikor. Kjo provohet nga fakti që Nexhipi i mori mësimet e para nga i ati, i cili interpretonte në daulle e dajre. Nga daja i tij Neim Shima, ai mësoi gërnetën popullore. Ishte ende fëmijë në shkollë kur u shfaq me gërnetë në dorë në aktivitetet e shkollës dhe gëzimet e fshatit. Bashkë me të interpretonte në gërnetë edhe Shyqyriu, vëllai i tij dhe më pas u bashkuan edhe vëllezërit dhe familjarë të tjerë. Shumë shpejt Myzeqeja i njohu dhe i pranoi si sazet e veta. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Shkodër, rikthimi i tij në qytetin e Fierit shënoi rritjen e veprimtarisë së sazeve të tij, gjë që solli edhe caktimin e Nexhipit edhe si drejtues i muzikës në qendrën kulturore të zonës së Semanit.

Në vitet 1970 saze e tij ishin njohur kombëtarisht pas dhjetëra e qindra dasmave, shumë koncerteve folklorike të organizuara, pjesëmarrjeje në festivalet vendore e kombëtare në Gjirokastër etj. Një pjesë e këtij aktiviteti u regjistrua edhe në RTSH. Nexhip Saçmja u dallua kryesisht për kabatë, vajtimet, vallet instrumentale, si këngëtar dhe valltar i shquar i dyshes myzeqare. Ende kujtohen interpretimet e sazeve të tij si: “Pritja e nuses”, “Përcjellja e dhëndrit”, “Pritja e krushqve” etj.

Sazet e tij ishin të preferuara jo vetëm në familjet myzeqare, por edhe në ato çame, kosovare dhe më gjerë. Në vitet 1960–1990 ka përfaqësuar rrethin e Fierit në të gjitha festivalet folklorike kombëtare. Nexhip Saçmja është dekoruar nga me urdhrin “Naim Frashëri” në vitin 1975 dhe me shumë çmime e vlerësime të tjera.  Ai u nda nga jeta në dhjetor të vitit 1998, në moshën 63-vjeçare. Trashëgiminë e tij muzikore e vazhdojnë djemtë e tij muziktarë, më i njohuri prej tyre Bajram Saçmja fitues i çmimit “Laver Bariu”, si dhe nipërit dhe stërnipërit e shumtë. Ende sot, familja e muziktarëve Saçmja, për vlerat e saj zë kryet e vendit në sazet e Myzeqesë.  

Kaba e tipit dypjesëshe: kaba e valle.

Pjesa e parë e kabasë shtjellohet si kaba lirike toske, kjo e ndërthurur me veçoritë e fakturës së valles isopolifonike myzeqare të burrave. Fillimi i saj shtjellohet në regjistrin e poshtëm të gërnetës në një dialog mbresëlënës me violinën, çka të kujton traditën e madhe të kabave toske leskoviqare dhe përmetare të gjysmës së parë të shek. XX. Pjesa e mesit merr ngjyrimet e forta të vajtimit ku violina e thekson akoma më shumë tonin elegjiak përmes daljes në regjistrin e sipërm të saj, megjithëse në rolin e prerësit. Në të gjithë pjesën e parë të kabasë bie në sy lirshmëria e fakturës instrumentale të gërnetës e cila duket se panoramon lëvizjet imagjinare trupore të valltarëve myzeqarë.

Pjesa e dytë, valle, ka disa shtresa melodike, midis tyre ato toske, labe dhe minoritare.

Interpretimi i Nexhipit në këtë kaba është mjaft origjinal, origjinalitet që buron nga fakti që ai nuk kopjonte, por rikrijonte përmes gërnetës së tij traditën e zonës, kryesisht duke njohur së brendshmi vlerat e këndimit dhe vallëzimit popullor të zonës së Myzeqesë së Fierit.

 

Spread the love
error: