No products in the cart.
FRASHËRI Naim (1846–1900). Poet, mendimtar iluminist, veprimtar i arsimit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes Kombëtare. Lindi në Frashër të Dangëllisë më 25 maj 1846 në një familje bejlerësh të rrënuar. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku së bashku me të vëllanë Samiun, ndoqën gjimnazin “Zosimea” që e mbaruan më 1869. Pas studimeve punoi për pak kohë në Stamboll si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Fillimisht punoi si nëpunës të dhjetash në Berat e më pas nëpunës i doganës në Sarandë (1874–1877). Në këtë kohë bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por dhe persisht, të paktën nga v. 1873, kur njohim të parën vjershë të shkruar në atë gjuhë e të përfshirë në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi më 1885. N.F. mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; ishte në krah të vëllait të madh, Abdylit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare, në Frashër (1878). Ndikimi i fuqishëm i këtyre ngjarjeve dhe i veprimtarisë atdhetare e kulturore të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, e përfshinë tërësisht në lëvizjen kombëtare. Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi fillimisht si anëtar e më pas kryetar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit. Ishte një ndër themeluesit kryesorë të revistës “Drita” (më pas “Dituria”), ku botoi krijimet e para të tij, poezi, proza diturore e vjersha për shkollat e para, si dhe shqipërime. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore N.F. u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”. Vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.
Për më pak se njëzet vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Në poemën e parë në shqip me titull “Shqipëria” (1880) shpalli idetë poetike atdhetare që u bënë lajtmotivi i veprës së tij dhe i gjithë poezisë së Rilindjes.
Veprat e tij më të shquara poetike janë poema lirike “Bagëti e bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poemat epike “Istori e Skënderbeut” (1898) dhe “Qerbelaja” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime”, si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skypetaron” (“Dëshira e vërtetë e Shqiptarëve”, 1886) dhe “O eros” (“Dashuria”, 1895). Për shkollat botoi përmbledhjen me vjersha “Vjersha për mësonjëtoret të para” (1886), librin në dy pjesë me copa këndimi për mësonjëtoret “E këndimit çunavet këndonjëtoreja” (1886), tekstet diturore “Istori e përgjithshme për mëso-njëtoret të para” (1886), “Istori e Shqipërisë” (1899) dhe “Gjithësia” (1895) me njohuri për historinë e shkencat e natyrës si dhe librin me mësime morale “Mësime” (1894). Në turqisht botoi tekstin “Kavaidi Farisiyye ber tazz – i nevin” (“Gramatika e persishtes sipas metodës moderne”, 1871), librin “Ihtira at ve kesfyyat” (“Shpikje e zbulime”, 1881) edhe novelën “Fusuli erbea” (“Katër stinët”, 1884). Nga greqishtja solli në shqip këngën e parë të “Iliadës” së Homerit; përktheu e përshtati gjithashtu poezi e fabula nga autorë francezë (La Fonten, Florian etj.) dhe nga autorë persianë (Rumiu).
Poet romantik, N.F. evokoi të kaluarën historike të Shqiptarëve, poetizoi jetën në gjirin e natyrës dhe bukuritë e vendlindjes, i këndoi mallit për atdhe dhe krenarisë kombëtare, u bë shprehës i romantikës qytetare dhe i idealit të çlirimit nga zgjedha e huaj. Ai krijoi poezinë e madhe të Atdheut dhe me një gjuhë magjepsëse poetike shprehu ndjenja dhe përjetime atdhetare e njerëzore që poezia shqipe para tij s’kishte arritur t’i nyjëtonte me atë forcë artistike. Poema “Bagëti e bujqësija” është një himn i dashurisë për atdhe, i mallit dhe i krenarisë për të. Me këtë vepër ai krijoi imazhin poetik të mëmëdheut të idealizuar në frymën e romantikës nacionale. Poema tingëllon si një thirrje për t’iu kthyer vlerave identitare të vendlindjes, për t’i ringjallur ato dhe bashkë me to për të ringjallur kombin. Bartës i këtij misioni N.F. në vetëdijen e kombit u njëjtësua me qiririn që digjet për njeriun dhe për lirinë e tij e të atdheut të robëruar.
N.F. ishte njeri i Rilindjes dhe vepra e tij bashkonte idealet politike të rilindjes së kombit dhe idealet humane të rilindjes së njeriut. Lirikat e tij të mendimit me një përmbajtje universale janë meditacione në frymën e panteizmit filozofik për thelbin e jetës njerëzore dhe të fshehtat e shpirtit njerëzor, për qenien dhe mosqenien, jetën dhe vdekjen, bukurinë dhe dashurinë, perëndinë dhe gjithësinë. Mendimi i tij poetik herë ngrihet në qiejt e frymëzimit mistik dhe ngjitet në zonat e religjionit dhe të kozmogonisë, herë zbret në thellësitë e shpirtit njerëzor (“Lulet e verësë”, “Ëndërrime”), duke pohuar një botë të re ndjenjash dhe emocionesh. N.F. themeloi stilin lirik në poezinë shqipe, i dha jetë të re fjalës shqipe dhe e ngriti atë në rrafshin e poezisë dhe të artit të vërtetë.
Krahas lirikës ai lëvroi poemën epike me përmbajtje nacionale (“Istori e Skënderbeut”) dhe poemën me përmbajtje fetare (“Qer-belaja”). Me të parën ai i përgjigjej kërkesës së kohës për të pasur edhe Shqiptarët, si dhe popujt e tjerë, eposin e tyre historik. Poema, në vazhdën e traditës barletiane, evokon, me një patos të ngritur patriotik, qëndresën çerekshekullore të Shqiptarëve kundër pushtimit osman dhe heroin e kësaj qëndrese, figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Për këto arsye ajo u bë vepra më e lexuar gjatë Rilindjes. Ndërsa te “Qerbelaja” N.F. tregon në vargje historinë e luftërave qytetare e fetare të arabëve pas vdekjes së profetit Muhamed, duke shprehur përmes saj përjetimet e tij religjioze e mistike dhe duke poetizuar mitin e sakrificës njerëzore. Poemat tregimtare të N.F., me gjuhën e kulluar shqipe, dëshmuan mundësitë e saj për të shtjelluar në subjekte të shtrira një lëndë të gjerë historike e mitologjike dhe për të ndërtuar struktura narrative komplekse.
N.F. e lëvroi shqipen në rrafshin poetik e dituror, duke shfaqur një forcë të veçantë krijuese gjuhësore. Vepra e tij luajti një rol themelor për përpunimin e shqipes së re letrare, të cilën e shkroi të pastër, me një pasuri të veçantë fjalori e sidomos frazeologjike duke u mbështetur kryesisht në gjuhën e gjallë dhe në gjedhen e ligjërimit popullor, e pasuroi atë sidomos me fjalë nga sfera diturore dhe e kulturës, që i qëndruan kohës, duke i dhënë shqipes fytyrën e gjuhës moderne të kulturës moderne të Shqiptarëve. Vepra e N.F. u bë një faktor aktiv për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për themelimin e kulturës kombëtare; ajo kurorëzoi kapërcimin e kulturës shqiptare nga faza parakombëtare në fazën kombëtare të zhvillimit të saj. Kjo vepër ishte një faktor i rëndësishëm emancipues me ndikim të madh në botën shpirtërore dhe morale të kombit.
Panteist në bindjet e tij filozofike, N.F. bënte një hap drejt materializimit dhe e shihte Zotin të shkrirë me natyrën dhe njeriun. Në traktatin “Fletore e Bektashinjet” (1896) ai paraqiti thelbin e moralit dhe të besimit bektashian si një fe që bashkonte elemente të budizmit, krishterimit dhe islamit, ndërsa i jepte përparësi ndjenjës së kombësisë përpara ndjenjës fetare. Koncepti tolerant i bektashizmit të Naimit e largonte këtë besim nga monoteizmi dogmatik që i shërbente centralizmit perandorak të Portës së Lartë. Me besim në rolin e dijes e të kulturës për zhvillimin kombëtar e shoqëror të Shqiptarëve, admirues i iluministëve francezë Volter e Ruso dhe i racionalizmit të Dekartit, ai propagandoi idetë e tyre dhe përfshiu në librat e tij për shkollën mendimin e përparuar shkencor të kohës, darvinizmin dhe teorinë e Kant-Laplasit. Ai kishte besim në arsyen dhe në forcën e mendjes njerëzore për të njohur botën dhe për ta vënë në shërbim të njeriut njohjen e ligjeve të gjithësisë. Në mendimin politik N.F. ishte përkrahës i një forme demokratike (“demokraci prej pleqet”), të qeverisjes së shtetit të ardhshëm shqiptar. Edhe mendimi pedagogjik i tij ishte nga më të përparuarit e kohës. Ai ishte për arsimimin e përgjithshëm të fëmijëve, për barazinë midis djemve dhe vajzave për të mësuar, për përfshirjen e lëndëve shkencore në programet shkollore, për një edukatë me parime të larta morale dhe për njësimin e mësimit me edukatën.
Vepra e N.F. themeloi një traditë të qëndrueshme dhe pati ndikim të madh jo vetëm te shkrimtarët bashkëkohës me të, por edhe më pas. Ajo është botuar dhe vazhdon të ribotohet gjerësisht, është përfshirë në tekstet shkollore dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Emrin e Naim Frashërit e mbajnë shkolla e institucione të ndryshme në botën shqiptare si dhe urdhri i lartë që u jepet në Shqipëri njerëzve të shquar të kulturës, artit dhe shkencës.