KOKALARI Musine (1917–1983). Prozatore. Lindi në Adana të Turqisë në një familje gjirokastrite, që u kthye në atdhe më 1920. Ndoqi studimet e larta për letërsi dhe u diplomua në Universitetin e Romës (1938–1941). U kthye në atdhe më 1942. Ishte një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate Shqiptare (1944); pas çlirimit u burgos dhe u internua si kundërshtare politike e regjimit. Vdiq e internuar në Rrëshen. Ende studente botoi librin me skica e tregime “Siç më thoshte nënua plakë” (1939), i cili zgjoi interes. Pastaj botoi librat “Rreth vatrës” (1944), si edhe “…sa u tunt jeta” (1944). Që në librin e parë bien në sy ngjyrat realiste të përshkrimit, njohja e jetës, e psikologjisë dhe zakoneve popullore. Përmbledhja “Siç më thotë nënua plakë” i kushtohet jetës në Gjirokastër dhe është shkruar sipas së folmes së qytetit për t’i dhënë prozës një ngjyrë autentike. Libri “Rreth vatrës” përmbledh përralla popullore të stilizuara, në kornizën e jetës së një familjeje, ku gjyshja tregon përralla në një mjedis të jetës së përditshme familjare. Vepra më e rëndësishme e M.K. është “…sa u tund jeta”, që mund të quhet roman etnografik. Në të përshkruhet historia e një dasme në Gjiro-kastër, me ritualin e vet, me këngë të mbledhura me kujdes. Përveç vlerave etnografike, vepra ka dhe një vlerë sociale-psikologjike, ku trajtohet fati i gruas në një familje patriarkale. Autorja mbronte emanci-pimin e gruas, të drejtat e saj në familje dhe në shoqëri. Veprat e M.K. kanë edhe vlera gjuhësore për njohjen e frazeologjisë dhe veçorive të ligjërimit të grave në qytetin e Gjirokastrës.