Go to top
Monumentet e Kulturës

-Përmeti i vjetër.
Shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave si “Qendër Historike”. Qendra Historike e qytetit të Përmetit shtrihet rrëzë malit dhe përfshin të gjitha ndërtimet ekzistuese dhe shtrihet kryesisht në lagjet e Shënkollit (Varrosh), Teqesë, të cilat për nga kompozimi i ndërtimeve dhe rrugëve me kalldrëm, janë lagjet ku kanë mbetur gjurmët më të vjetra të qytetit. Brenda qendrës historike ekzistojnë dy objekte kulti: Kisha e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776, dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë; Kisha e Shën Kollit e shekullit 19-të. Gjurma e rrugës e rrugicat e ngushta me kalldrëme ka të dhëna që i takojnë fillimit të shekullit 19-të. Në Përmet ka banesa karakteristike ndonëse të transformuara, porta të harkuara dhe selvi shumëvjeçare. Varroshi, që zakonisht përfshinte banesat përjashta fortesave, ato nën këmbët e kalasë, me kalimin e kohës njihej me emrin lagjia e Shënkollit, sigurisht në kuptimin më të ngushtë, meqë kjo lagje fillonte të shtrihej nën këmbët e bregores së Bolëngës, nga fundi i së cilës ndodhej kalaja. Kjo lagje e ndërtuar thuajse nga ana jugore e Bolëngës, zbriste tatëpjetë lagjeve të tjera, mbi të cilat si pozicion mbizotëronte dhe kishte një hapësirë pamjeje të gjerë. Rrugët janë të shtruara në pjesën më të madhe me kalldrëme të realizuar në gure gëlqerorë dhe gurë lumi. Dallohen disa tipologji dhe teknika shtrimi si ratë dhe këlliç. Në çdo shtrirje rrugore ekzistonte një linjë qëndrore për kalimin e ujit, që pothuajse çdo ditë, hapej nga mullijntë për të garantuar pastrimin e rrugëve, portave dhe kopshteve. Shtëpitë e kësaj lagjeje janë ndërtuar thuajse ngjitur njëra-tjetrës, me oborre ose kopështe të vegjël dhe me pjërrësi të lehtë që diktohet nga vetë terreni. Rrethimet e oborreve kryesisht janë të mbyllura nga mure guri të larta dhe porta druri me strehë. Shumica e banesave janë dykatëshe me mure guri dhe çati me rrasa guri, por nuk mungojnë dhe njëkatëshe ose dhe trekatëshe. Brenda qendrës historike spikasin disa ndërtime të fillim shekullit 20-të me vlera të veçanta që meritojnë të marin statusin monument kulture. Pjesa dërrmuese e ndërtimeve janë të pas Luftës së Dytë Botërore. Zona e Mbrojtur në pjesën më të madhe përbëhet nga një zonë e gjelbër kryesisht në kodrën e Bolëngës e cila është një zonë e qytetit me potencial të madh arkeologjik, si dhe përfshin  edhe kalanë e Bolëngës si dhe disa banesa të ndërtuara në periudha të mëvonshme, me të cilat plotësohen me mirë vlerat e Qendrës Historike dhe krijohet një kalim i butë prej saj drejt pjesëve të planifikuara për ndërtime të reja.

Shpellat e Bënjës.
Ndodhen në fshatin homonim. Janë formuar në shkëmbinjtë gëlqerorë të kanionit të Lengaricës, 9 m mbi shtratin e saj. Disa prej  tyre janë përdorur si vendbanim nga njeriu. Dallohet Shpella e Pëllumbave, ndër shpellat kryesore të banuara në Shqipëri. Studimet e arkeologëve shqiptarë kanë treguar se ajo ka qenë e banuar nga epoka e bakrit dhe e bronzit deri në fillim të mesjetës. Kjo dëshmohet nga qeramika e pikturuar me stilin e qeramikës së Devollit. Kjo tregon lidhjet e këtij vendbanimi me qendrat e banuara të pellgut të Korçës, madje edhe më tej, Maqedoni e Thesali.

Qyteza Antike e Kuqarit dhe Varreza pranë saj.
Ndodhen në fshatin Kuqar të Bashkisë Këlcyrë. Banorët e njohin me emrin “qyteza e Avdiut”. Është në një kodrinë rreth 300 m e lartë. Maja, gati e sheshtë me sipërfaqe rreth 7000 m2, qarkohet nga mbetje të rrënojave të murit rrethues, të përbëra nga tri radhë gurësh me formë paralelepipedi dhe trapezoidalë, të puthitur mirë pa llaç. Mund të ketë qenë vendbanim i fortifikuar urban në shek. IV-III p.e.r., me rol të rëndësishëm në fortifikimet urbane të fisit të Parauejve. Në JL është një nekropol me varre çifte, ndërsa buzë lumit, gjendet nekropoli tumular i shek. VI- III p.e.r.

Kisha e Shën Marisë.
Gjendet në fshatin Kosinë, e ndërtuar në shek. XII. Përfshihet në kishat e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. Ka narteksin me formë drejtkëndëshi të mbuluar me qemer, naosin me kupolë, katër krahët e kryqit dhe altarin. Ka motive zbukuruese dhe është përdorur kluasonazhi. Në planimetrinë e në ndërtimin e saj ka tipare arkaike.

Kisha e Shën Sotirit.
Gjendet në fshatin  Tremisht, u ndërtua në vitin 1560 me gurë shtufi të lidhur me llaç gëlqereje. Përbëhet nga naosi, narteksi e hajati.

– Kisha e Shën Marisë.
Gjendet në fshatin Seran, mendohet se u ndërtua në gjysmën e dytë të shek. XVII. Përbëhet nga naosi, narteksi dhe dy mjedise të shtuara më vonë. Gurët e shtufit të murit janë vendosur në mënyrë të rregullt dhe me llaç, ndërsa çatia me pllaka guri.

– Kisha e Shën Marisë.
Gjendet në fshatin Ogdunan, u shpall Monument Kulture në vitin 1970.

– Kisha e Shën Marisë.
Gjendet në fshatin Bënjë, është e vjetër dhe ka qenë e njohur për ndikimin psikoterapik të besimtarëve. Njihet për ikonostasin e gdhendur në dru.

Teqeja e Frashërit.
Ndodhet në fshatin homonim. E themelua në vitin 1815. Sipas prof. Kristo Frashërit, themeluesi i saj ishte Tahir Skënderasi, një frashërli nga lagjja Skënderaj. Ajo ka qenë qendër e patriotizmit, në të cilën, në kohën e Rilindjes, janë bërë pesë kuvende për çështje kombëtare. Teqeja shërbeu si seli e degës së Lidhjes së Prizrenit për Jugun e Shqipërisë. Në vitin 1879 në këtë teqe u zhvillua mbledhja e krerëve të Toskërisë për të protestuar e për të marrë masa kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit, të cilat copëtonin trojet e Shqipërisë. Në këtë teqe kryhen rite fetare nga besimtarët bektashinj të Dangëllisë.

Shtëpia-muze “Vëllezërit Frashëri”.
U hap më 16 qershor 1974 në Frashër, në ndërtesën e rindërtuar mbi rrënojat e shtëpisë së prishur në vitin 1892 të tre vëllezërve të shquar të Rilindjes Kombëtare nga familja Frashëri. Është e tipit kullë, dykatëshe, me çati të mbuluar me pllaka guri. Kjo shtëpi  muze ka një arkiv me vlera studimore. Përballë saj janë ngritur bustet e tre vëllezërve rilindës, vepra të skulptorit Odise Paskali.

Ura e Katiut.
Gjendet pranë fshatit Bënjë në lumin e Lengaricës e ndërtuar në shek. XVIII-të. Është një kryevepër e artit ndërtimor të gurit. U shërbente karvanëve të rrugës Përmet- Delvinë-Shqeri. Me sipërfaqe 71,7 m2, qemer të dyfishtë, bën pjesë në urat e rrafshëta.

Ura në Përroin e Bënjës.
Gjendet në fshatin homonim, përfshihet në tipin e urave me qemer, tip shigjetë, ndërsa Ura e Dashit në fshatin Bënjë-Vinjah, është e tipit me qemer, me lartësi 30 m mbi shtratin e përroit, gjerësi 2 m e gjatësi rreth 15 m. Urat kanë vlera arkitektonike.

-Çezma e Pacomitit
Gjendet në fshatin Pacomit

-Banesa e Riza Sakos.
Gjendet në fshatin Çorogunjë, me portë të ndërtuar me gurë të gdhendur.

-Banesa dykatëshe e Jani Jorgjit.
Gjendet në fshatin Odriçan.

-Ura Otomane Babo.

Kliko hartën: monumentet e kultures_permet

Për më shumë: http://odeacademy.org/lista-e-monumenteve-te-kultures-2

Spread the love
error: