Go to top
Minoriteti grek

Vecoritë gjeografike:

Përfshin fshatrat e Dropullit të Sipërm, Dropullit të Poshtëm, të Rrëzës dhe të krahinës së Pogonit. Në Dropullin e poshtëm bëjnë pjesë fshatrat nga Derviciani në Jergucat të vendosura përgjatë rrugës kombëtare, ndërsa Dropulli i Sipërm përbëhet nga fshatrat Zervat e deri në Peshkëpi, gjithësej 18 fshatra të vendosura në formën e një gjysmë rrethi. Krahina e Pogonit shtrihet në një zonë malore në mes malit të Nemërckës e Buretos, me fshatrat nga Policani në Catistë.

Vecoritë etnografike dhe kulturore:

Trashëgon një pasuri kulturore shpirtërore të pasur dhe të larmishme. Këngët polifonike pa shoqërim, këngët me saze, vallet e kënduara, instrumentet muzikore dhe kostumet popullore janë vetëm një pjesë e kësaj trashëgimie me vlera. Ndër to “Vallja Dropullite e Nuses” është pjesë e Listës Kombëtare të “Kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore”, e renditur në të në vitin 2010, vallja Karaguna është gjithashtu mjaft e njohur si dhe sazet e familjes muzikore Mastora ose të familjes Gjiza, të cilat me artin e tyre renditen ndër sazet më të mira në Shqipëri.

Për më tepër vendi që ka zenë në flaësin etnomuzikologjik të vendit fjala dropullitce e cila nënkupton faktin se kënga, vallja ose melodia iso polifonike e ka burimin dhe origjinën nga zona etnokulturore e Dropullit, e banuar nga minoriteti grek në Shqipëri.

Këndimi muzikor iso-polifonik si element komunikimi i përbashkët

Në pikëpamje gjeografike dhe etnokulturore, në Jug të Shqipërisë, tradita shumëzërëshe e shqiptarëve, grekëve dhe vllehëve gjendet e koncentruar në Jug të Shqipërisë, kryesisht në zonën e Gjirokastrës aty ku kemi si traditën muzikore shumë zërëshe por edhe atë me saze.

Në zonat etnografike të Gjirokastrës gjejmë repertorin e këndimit me shumë zëra në disa gjuhë: shqip, greqisht dhe arumanisht. Ky realitet i perceptimit dhe këndimit të shumëzërëshit muzikor tradicional prej shqiptarëve, grekëve dhe vllehëve ka krijuar repertorin përkatës të këngëve, valleve dhe ritualeve të lidhura me jetën e përditshme në secilën prej gjuhëve, por gjithashtu ka bërë të mundur që të shkëmbehen modelet e këndimit shumëzërësh, qoftë muzikalisht apo edhe së bashku me tekstin përkatës, nga njera gjuhë në tjetrën, nga njeri repertor në tjetrin.

Janë dalluar për interpretimet e tyre në festivalet vendore dhe atë kombëtar të Gjirokastrës grupi polifonik i grave të Dervicianit me marrëse Eli Ksera, grupi i burrave të Policanit me marrës Llaqi Haxhi, grupi polifonik i Koshovocës me marrës Jorgo Shendin, grupi polifonik i grave të Koshovicës me marrëse Efterpi Gaco, grupi i valleve me kërcimtaret Sofia Ngjelo, Kostandina Millo, Eleni Boboli, Valentina Thanati, Eli Stamuli, grupi i valleve me kërcimtarët Andon Tuni, Niko Papa, Foto Barka, Jani Gjati, Niko Budali etj; si dhe grupet e këngës të burrave të fshatrave Polican, Catiste, Llovinë, Skore, Bodrishtë, Peshkëpi bashkë edhe me ato të grave të Goranxisë, Sotirës, Selos, Dervicianit, Zervatit etj. Ndër studiuesit etnomuzikologë të minoritetit grek përmendim në  mënyrë të veçantë Kosta Lolin.

Për më shumë mbi trashëgiminë e minoritetit grek shih: Çuko, Pano “Këngëve popullore”, rev. “Ylli”, 1964, nr. 11, 12; Loli, Kosta “Veçori muzikore të valleve të minoritetit grek”, “Skena dhe ekrani”, 4/1985; Kasoruho, Naxhi “Gjirokastra e festivalit”, Tiranë, 2000; Kasoruho, Naxhi “Mes këngëve dhe valleve të Dropullit”, Toena, 2003; Loli, Kosta “Kaba dhe Avaze”, Janinë, Greqi, 2003  etj.

Spread the love
error: