Si veҫori kryesore e sazeve të Delvinës është ndërthurja e elementit vendas me muziktarët popullore minoritarë të cilët erdhën në vitet 1940 nga Voshtina në Dropull dhe pas Dropullit në Delvinë, në fund të viteve 1950. Sazet më të njohura janë ato të Tuli Bajramit (1917-1981) ose sazet e Tulit të Delvinës. Tuli u shqua për interpretimet e kabave dhe valleve me saze, ndër to shumë e njohura “Valle e Delvinës”, dyshja delvinjote, së bashku me shokët e tij të sazeve Mete Tane, Veli Majko dhe Shaban Ramo në violinë, Dini Majko me llahutë dhe Lazen me def, ashtu siҫ kanë dalë edhe në foton e tyre të njohur.
Sazet vendase të Delvinës në shek. XX-të lidhen ngushtë me një emër të shquar Mete Tane-1912, me violinë dhe këngëtar, i cili konsiderohet si muziktari më i shquar dhe bazë e sazeve të Delvinës, traditën e të cilit e vazhdon i biri, Tonini. Të tjerë muziktarë sazesh të Delvinës përmendim Hasan Veliu nga Voshtina, Aristidh Nini dhe Veli Majko në violinë, Hasan Dino-llahutë, Mete Hazbi dhe Njazi Hisi-def, Shaban Ramo, Hasan Veliu etj, për të ardhur deri tek sazet e Qamil Musta- me llagapin Ҫika me gërnetë, Dajko Fitja po me gërnetë, Tonin Tane me qemane dhe Tomor Ҫuni me def.
E qarë me violinë
Kaba me dy pjesë: kaba dhe valle. Të gjitha kabatë e qytetit të Delvinës, në pjesën e parë shfaqen si kaba labiko, pra në qendër të tyre qëndron një motiv vajtimor i cili zhvillohet në rritje përmes formulave strikte melodike, glizandove rrëshqitëse në zbritje dhe kadencimeve të septimës minore në ngjitje. Pjesa e dytë ritmike përshfaqet si valle e gëzuar. Mendohet së në violinë interpreton Mete Tane.