Go to top
Medi Përmeti

Usta Medi Përmeti (1865–1940 ?) është një nga më të njohurit gërnetarë të sazeve të Shqipërisë së Jugut, i lindur në familjen e muziktarëve popullorë Keko të Përmetit. Nga kjo familje dolën dy gërnetarët më të shquar të Përmetit të gjysmës së parë të shek. XX: Medi Keko, ose Medi Përmeti, si dhe Jonuz Keko ose “Jonuzi i Lamҫes”, “Jonuzi me shokët”, siç del në regjistrimet diskografike të atyre viteve.

Sazet e tij përbëheshin nga Osman Mato dhe Ethem Belul Sinani në llautë dhe Myftar Muço në violinë. Më vonë Medi Keko-Përmeti rifreskoi sazet edhe me Bari Nurkën, babanë e usta Laver Bariut në llautë, Sadik Çaçin në violinë dhe Asllan Muçon në llautë dhe buzuk. Një nga dëshmitë për përdorimin dendur të buzukut në Përmet në mes të viteve 1930, e gjejmë në veprën “Dy bredharakë në Shqipëri” [1] ku përshkruhet buzuku si instrument së bashku me muziktarin popullor përmetar që interpreton muzikë popullore me të.

Veprimtarinë kryesore Sazet e Usta Mediut e zhvillonin në dasmat, festat fetare e panairet, gëzimet dhe sebepet e shumta në qytetin e Përmetit e më gjerë. Usta Mediu krijoi tipin e kabasë së shtruar e të hequr rëndë, kaba e cila ende sot quhet me emrin e tij. Ky tip i ri i kabasë formoi atë që sot njihet si kabaja tradicionale e Përmetit. Kjo nënkuptonte një kaba tradicionale për sa i përket orientimit, por ishte disi larg virtuozitetit të lojës në gërnetë që vinte nga tradita e Leskovikut dhe kjo për disa arsye. Ai kaloi në interpretimin në gërnetë prej fyellit të shtruar të Përmetit, madje veçoria e tij interpretuese, ashtu si dhe e Cilo Qorrit të Korçës, është e lidhur pazgjidhshmërisht me këtë binjakëzim të këtyre veglave në një interpret të vetëm. Kjo solli për pasojë “tretjen” dhe përcjelljen e veçorive dhe të repertorit të këtyre veglave popullore edhe në muzikën që ata interpretonin dhe krijonin njëkohësisht me vegla si klarineta.

Si për usta Mediun, ashtu dhe për sazexhinjtë e tjerë, kallami i klarinetës do të punohej gjithmonë prej tyre në një rrugë artizanale, kjo ndoshta si një shprehi e dikurshme e punimit artizanal të veglave popullore.

Një pjesë të madhe të interpretimeve muzikore e ka realizuar së bashku me Vangjel Leskovikun. Regjistrimet muzikore të tij janë bërë pranë “Odeon”-it.

[1] Në veprën “Dy bredharakë në Shqipëri” të Jan & Cora J. Gordon, shënime udhëtimi të vitit 1925, Tiranë, 2014, f. 134.

Usta Mediu konsiderohet themeluesi i kabasë përmetare. Aq e vërtetë është kjo, saqë kabaja që mban emrin e tij “Kabaja e Mediut” është bërë gati pjesë e detyruar në interpretimet e gërnetarëve përmetarë të çdo brezi. “Kabaja e Mediut” shfaqet si kaba me dy pjesë: kaba vajtuese dhe valle e gëzuar.

Tipike për kabanë e tij është motivi vajtimor mbi të cilin zhvillohet pothuajse e gjithë pjesa e parë e kabasë, dialogu marrje–prerje mes gërnetës dhe violinës, nën ison konstante të llautës në lartësinë e notës Si b. Kabaja ka një dhimbje të përmbajtur e cila herë pas here shpërthen në kulminacione patetike të cilat lidhen me gjendjen e interpretuesit. Mendohet se nisma për krijimin e kësaj kabaje ka si shkak humbjen e jetës së babait të tij Lamҫe Keko, kur kryente shërbimin ushtarak si ushtar i Perandorisë Turke në Jemen. Lamçe Keko, ishte strumbullari i familjes përmetare të muzikës, e cila është po aq e rëndësishme për muzikën me saze të Shqipërisë së Jugut, si ato të Selimit dhe Hafizesë në Leksovik, Demkës dhe Hajros në Korҫë apo Sazet e Bilbil Vlorës në Vlorë.

Pjesa e dytë e “Kabasë së Mediut” është valle e gëzuar, e cila në këtë fazë të zhvillimit të kabasë provon faktin që ustallarët e sazeve e kishin krijuar me vetëdije modelin e kalimit nga dhimbja në pjesën e parë (kabaja “ad libitum”), në gëzim te pjesa e dytë (vallja ritmike). Me sa duket, kjo lidhet ngushtë edhe me interpretimin e këtyre kabave në mjedise të hapura publike, në të cilat, me sa duket, ishte shumë e rëndësishme që, përmes lojës në gërnetë, të krijoje diferenca emocionale për dëgjuesit.

Sazet e tij kanë qenë të përbëra nga gërnetë-fyelli, qemania, buzuku dhe llauta.

 

Spread the love
error: