VJOSA. Lumi më i madh në Shqipërinë e J dhe i dyti pas Drinit, me gjatësi 272 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 6706 km2, lartësi mesatare 855 m dhe rënie 5 m/km. Buron nga vargmalet e Pindit (Greqi), ku njihet me emrin antik Aos dhe, pasi futet në Shqipëri, në Perat, kalon në pjesën më të madhe nëpër Krahinën Malore Jugore, ndërsa në rrjedhën e poshtme, që nga Memaliaj deri në grykëderdhje kalon në Ultësirën Bregdetare. Deri në Këlcyrë V. rrjedh në drejtim VP, nga Këlcyra deri në Dragot kthehet në P dhe ndërpret tërthor vargjet malore në grykën e Këlcyrës, ku merr ujërat e shumë burimeve e formon kanionin madhështor të grykës së Këlcyrës, rreth 13 km të gjatë, duke çarë tërthor dy struktura kryesore antiklinale e duke ndarë Trebeshinën nga Dhëmbeli dhe Shëndellinë nga Goliku. Nga Tepelena deri në derdhje rimerr përsëri drejtimin VP. Në V. derdhen degë të shumta si l. i Sarandaporit, përroi i Çarshovës, përroi i Lengaricës, i Lomnicës dhe l. i Dëshnicës. Në grykën e Këlcyrës derdhen përroi i Zagorisë, përroi i Mezhgoranit dhe grumbullohen ujërat e shumë burimeve karstike, që dalin në shtratin e V, ndër të cilët, burimi i fuqishëm Uji i Zi. Pranë Tepelenës derdhet në V. dega më e madhe e saj, l. Drino. Prej këtu shtrati i V. zgjerohet dhe pasi bashkohet në Selenicë me degën e dytë për nga madhësia, Shushicën, rrjedh në Ultësirën Bregdetare. V. derdhet në detin Adriatik në afërsi të fshatit Poro, në V të lagunës së Nartës. Në pellgun ujëmbledhës të V. afro gjysma e formacioneve shkëmbore janë gëlqerorë shtresorë të karstëzuar, ku dalin burime të shumta karstike. V. ka një prurje mesatare 195 m3/sek me një modul rrjedhjeje mesatare prei 29,1 l/sek për km2. Prurja maksimale me përsëritje 1 herë në 100 vjet është 4200 m3/sek. Sasia e lëndëve të ngurta pezull që transporton V në det gjatë një viti është mesatarisht 6,7 milionë t. Ujërat e V. kanë mineralizimin mesatar, prej 335 mg/l dhe përdoren gjerë për ujitje, nëpërmjet një sistemi kanalesh ujitëse.