Go to top
Lumi Drino

DRINOJA. Dega më e madhe e Vjosës, që rrjedh në luginën e Drinos (shih) me gjatësi 84,6 km, sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 1324 km², lartësi mesatare 746 m dhe rënie 5 m/km. Buron në Greqi në P të malit Elatos dhe futet në territorin e Shqipërisë në afërsi të Kakavies. Pjesa më e madhe e pellgut, ujëmbledhës përbëhet nga gëlqerorë, që ndërtojnë faqen L të Malit të Gjerë, pjesën JL të pllajës së Kurveleshit si dhe një pjesë të madhe të vargut rnalor të Lunxhërisë. Ultësira ndërmjet Malit të Gjerë e vargut malor të Lunxhërisë përbëhet prej flishi, me pjesën më të sipërme të mbushur me zhavorre. Ky ndërtim ka kushtëzuar një dukuri të veçantë hidrografike: largimin e ujërave nga pellgu i D. për në atë të Bistricës. Në gëlqerorët e karstëzuar të pellgut të D. ka edhe mjaft burime karstike, si në Nepravishtë, Libohovë, Hormovë, Picar, Virua etj. Deri në Hundëkuq D. kalon në një shtrat të gjerë, pastaj në një grykë të thellë e të ngushtë derisa derdhet në Vjosë, pak më poshtë Urës së Leklit. Nga të dy shpatet zbresin përrenj të përkohshëm, shumë gërryes, që derdhen me kone të mëdha depozitimi si përroi i Vriserasë, përroi i Suhës, i Nimicës etj. Vetëm përroi i Kardhiqit që derdhet poshtë Gjirokastrës ka ujë gjatë gjithë vitit. D. te Ura e Leklit ka prurje mesatare vjetore 42,5 m³/sek të shpërndara jo rregullisht gjatë vitit, ka turbullirë jo të madhe dhe ujëra me mineralizim mesatar. Gjatë v. ‘70 është sistemuar rrjedhja e D. dhe e degëve të tij, janë ndërtuar argjinatura, prita malore dhe lugina e D. është kthyer në një fushë pjellore.  

Spread the love
error: