Go to top
Kristo Jorgo

Kristo Jorgo (Leskovik, 29 maj 1949 – Leksovik, 9 qershor 2009) është ndoshta gërnetari më i shquar i fundit të shek. XX i qytetit dhe zonës së Leskovikut, Kolonjës e më gjerë.

Ai i përket një familjeje muziktarësh të shquar popullorë. Babai i tij ishte violinisti i shquar Mitro Jorgo, i lindur në Leskovik më 17 shkurt 1913, vëllai i usta Vangjel Leskovikut me gërnetë, përmes sazeve të të cilëve në Leskovik e SHBA, vijoi konsolidimi i traditës së madhe të muzikës popullore të Shqipërisë së Jugut në gjysmën e parë të shek. XX.

Kristoja ishte fëmija më i vogël i familjes (së përbërë nga motrat Fillaret, Eleni dhe Andromaqi dhe vëllezërit Petraq, Stavri e Jani), të cilit e ëma, Kostandina, i vuri emrin e të atit të saj, i cili quhej gjithashtu Kristo. E gjithë tradita e madhe e kësaj familjeje u trashëgua te familja e sazeve e familjes, Jorgo, të cilët ishin dhe mbetën sazexhinjtë më të shquar të qytetit të Leskovikut në gjysmën e dytë të shek. XX. Kristoja e mësoi gërnetën dhe muzikën popullore qysh i vogël prej gjyshit të tij Apostolit, prej të atit dhe veçanërisht Vangjel Leskovikut, xhaxhait të shquar me gërnetë e me saze. Gradualisht me në qendër gërnetën e tij u mblodhën përreth edhe vëllezërit e tjerë, secili me nga një instrument e si këngëtarë. Menjëherë sa doli në interpretimet e para publike Sazet e Kiҫos dhe Vëllezërve u pëlqyen prej popullit. Atij i ngjitën me dashuri llagapin “Didani”, si një formë përkëdhelie kur thoshin: “Mjeshtër si Didani” ose “Sazet e Kiҫo Didanit” etj. Ka marrë pjesë me sazet e tij në aktivitete vendore dhe kombëtare, ku bie në sy pjesëmarrja e suksesshme në festivalet folklorike kombëtare në Gjirokastër.

Vlera dhe talenti i rrallë i Kristo Jorgos dhe i sazeve të familjes do të kishte dalë më në pah dhe do të ishin njohur më shumë, nëse për ta do të ishin krijuar kushte dhe masa mbështetëse për talentin e tyre nga pushteti i kohës. Një talent i rrallë si ai kryente punë të vështira në ndërtim, apo edhe në ndërmarrjen e grumbullim-përpunimit (NGP) në Leskovik, gjë e cila nuk i linte kohën e mjaftueshme për t’u marrë dhe ushtruar në gërnetë siç i takonte.

Në vitin 1998, së bashku me familjen, emigroi në Greqi, Athinë, ku edhe vazhdoi aktivitetin e sazeve për bashkësinë shqiptare e më gjerë. U nda nga jeta në Athinë në qershor të vitit 2009. Kiҫo Jorgo ose Didani ende konsiderohet nga populli si “talent i lindur”. Me vdekjen e tij të parakohshme Leskoviku nuk pati një tjetër të këtij niveli.

Krahas tyre në Leskovik përmenden edhe Sazet e Taqo Josifit me gërnetë (1955–1965).

“Kabaja e Kristos” është një riinterpretim mjeshtëror i asaj që njihet si “Kabaja e Mediut”, me dy pjesë: “E qarë” dhe “Valle e gëzuar”.

Te kabaja e tij bie në sy siguria, tingulli i plotë dhe faktura virtuoze e gërnetës, sidomos tesitura e gjerë e saj. Ndërlidhja që ai i bën elementit vajtimor me atë baritor është e rrallë në pikëpamje të strukturës kompozicionale. Violina në rolin e prerësit është mjaft e gjetur, sidomos në prerjet e vajtimit. Te vallja ose kthesa e kabasë gjejmë bukurinë e frazimit muzikor të këtij mjeshtri.

Sazet e tyre përbëheshin nga Kiço Jorgo në gërnetë, Jani Jorgo (1959) në violinë, Petraq Jorgo (1937) në llautë dhe Stavro Jorgo (1939), në fizarmonikë.

 

Spread the love
error: