Go to top
Kardhiqi

Vecoritë gjeografike:

Shtrihet në të dy anët e lumit Kardhiq nga i cili ka marrë emrin edhe vetë krahina.

Përfshin fshatrat si Mashkullorë, Fushë Bardhë, Picar, Golem, Prongji, Plesat, Zhulat, Taroninë, Salari etj, si dhe fshatrat jashtë kësaj krahine si Lazarati, Asim Zeneli, Valere e Bulo.

Përsa i përket shtrirjes gjeografike të Labërisë, sipas Çabej: me këtë emër quhet ajo pjesë tokë jugperëndimore, kufiri i së cilës fillon te katundi Lazarat në jugë të Gjirokastrës. Kufiri lindor shkon prej Lazaratit për së gjati Malit të Gjerë dhe pjesës jugore të Malit të Picarit gjer në Tepelenë. Kështu vazhdon në perëndim të Vjosës kurse në të djathtë të lumit shtrihet vendi toskë në kuptimin e vërtetë të ngushtë të fjalës. Kufiri zë në veri katundin Mesaplik afër Vlorës dhe vazhdon gjatë një vije ideale që shkon prej Mesaplikut në Kudhësin e afërm; kufirin perëndimor e përbën deti. Në fshatin Armen, fshat në krah të majtë të rrjedhjes së lumit Vjosë, kemi kufirin mes IP myzeqare dhe asaj labe. Zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë janë Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi, Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti, Dukati. Labçe këndohet gjithashtu në Zagorie, Lunxhëri, Malëshovë, Rrëzë e Tepelenës, Dragot, Kras, Izvor, Buz, Mallakastër, zona të cilat  mund t’i konsiderojmë si rrethinat të Labërisë. Popullsia labe, nëndahet në “labë kristianë” (Rrëza e Tepelenës, Zagoria, Bregu i detit) dhe në “labë muhamedanë” (blloku qëndror i popullsisë). Në këndvështrimin e sotëm të ndarjes së mirëfilltë administrative, në Labëri bëjnë pjesë rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës.

Vecoritë etnografike dhe kulturore:

Kardhiqi në pikëpamje etnokulturore përfshihet në zonën e Labërisë, e posacërisht të zonës labe të Kurveleshit me të cilët kanë lidhje të natyrshme.

Banorët e fshatrave të Kardhiqit kanë ruajtur e transmetuar ndër vite një pasuri të madhe të trashëgimisë shpirtërore të Gjirokastrës në gjuhë, veshje popullore, muzikë vokale me shumë zëra, instrumente muzikore, rite e tradita.

Janë dalluar ndër vite grupet polifonike dhe ato të valleve të Kardhiqit, pjesëmarrëse në aktivitetet vendore, kombëtare e ndërkombëtare.

Ndër to shquajmë korifejtë, këngëtarët: Malo Dadaj dhe Kristaq Puci i Mashkullorës, Laze Nora, Parim Nora e Teuta Kapo i Fushë Bardhës, Idajet Tola i Shtëpëzit, Hajro Skreli dhe Sabri Skëndo i Pronjisë, Shkëlqim Guce dhe Dituri Thana i Picarit, Veledin Korkuti i Golemit, Pelivan Basha e Gjergji Aliko i Taroninës, Hysen Jupi, Seit Trako, Adem Gjyli, Sali Gjolleshi, Hava Gaba, Zajde Cezma, Beqo Allaci e Xhelil Shkurti të Lazaratit; fyelltari Musa Budo, Jace Peci dhe Mustafa Saraci të Picarit; valltarët Besho Bizhga i Golemit dhe Myrte Pula i Zhulatit, Urani Hysi e Ruhije Shehu të fshatit “Asim Zeneli” etj.

Spread the love
error: