No products in the cart.
BËNJA Kamber (1873–1916). Veprimtar i lëvizjes atdhetare, që iu kushtua edhe mbrojtjes së vlerave kulturore të vendit. Lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Në Manastir u lidh me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë”. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës. Pas pushtimit të vendit nga forcat serbo-malazeze në maj 1915 dhe vendosjes së pushtetit të Esat Toptanit, luftoi me armë kundër forcave të tij. Kur u shpartallua ushtria serbe dhe u vendos pushtimi austro-hungarez, K.B. mori komandën e batalionit shqiptar. Iu kundërvu me vendosmëri pushtuesve që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve. Për këtë arsye bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, K.B. iu dha gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje “për tradhti të lartë”.