Origjina e sazeve të Jonuzit me shokët lidhet me familjen përmetare Keko, më konkretisht me gërnetarin Lamçe Keko, familja e të cilit është po aq e rëndësishme për muzikën me saze të Shqipërisë së Jugut, njëlloj si ato të Selimit dhe Hafizesë në Leksovik, Demkës dhe Hajros në Korҫë apo sazet e Bilbil Vlorës në Vlorë. Nga kjo familje dolën dy gërnetarët më të shquar të Përmetit të gjysmës së parë të shek XX-të: Medi Keko, ose Medi Përmeti, aq i njohur për “Kabanë e Mediut” dhe Jonuz Keko ose “Jonuzi i Lamҫes”, “Jonuzi me shokët”, siҫ del në regjistrimet diskografike të atyre viteve e më pas si themelues i sazeve të Radio-Tiranës. Me vdekjen e Medi Keko-Përmetit në mes të viteve 1930, sazet u riorganizuan të drejtuara nga Jonuz Keko, me gërnetë ose siҫ thamë që njihet në regjistrimet diskografike me nofkën “Jonuzi i Lamҫes” ose “Jonuzi me shokët”. Shokët e tij ishin Alit Asllani në llahutë, Ethem Belul Sinani në llahutë Sadik Çaçi dhe Nesim Mehmeti në violinë. Më vonë Jonuzi aktivizoi edhe Selim Kekon me llahutë që të gjithë përmetarë dhe me lidhje farefisnore me njeri-tjetrin. Jonuzi i Lamҫes e përcolli traditën e gërnetës përmetare tek djali i tij Sulo dhe tek Usta Laver Bariu. Në vitin 1939, sazet e Jonuzit të Lamҫes u bënë baza për krijimin e sazeve të Radio-Tiranës.
E qarë e Selim Laze Përmetit
Kaba dy pjesëshe e tipit vajtimor: kaba dhe valle. Titulli i kabasë mendojmë se nuk ka të bëjë me ndonjë interpretues, por me “Të qarën” që është krijuar në nderim të personit të quajtur Selim Laze Përmeti. Kjo pasi nuk na rezulton ndonjë muziktar popullor me këtë emër në Përmet. Pra, kjo kaba është kabaja që i është dedikuar dikujt me këtë emër, që zakonisht lihej amanet prej tij. Në qendër të saj qëndron një motiv i shkurtër me origjinë vokale i asaj që njihet “Kaba e Mediut”, por që shpejt largohet prej saj për të eksploruar të tjera motive me natyrë pastorale e shuminstrumentale. Bie në sy një aftësi e rrallë e lojës në violinë e cila shpesh herë përngjason me një vajtim me gojë. Karakteristike është se rolin e prerjes nuk e kryen gërneta por një tjetër violinë. Vallja e shtruar në ritëm dy pjesëtues është tipike për vallet e vajzave dhe grave përmetare e cila bashkëshoqërohet edhe nga gërneta, tipike për sazet e Jugut.