Go to top
Ismail Kadare

KADARE Ismail (1936–) Shkrimtar, publicist, eseist, anëtar i ASHSH. I.K. është personalitet qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe. Lindi në Gjirokastër, ku kreu studimet e mesme. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në USHT (1958). Në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë (1958–1960). Në parathënien e vëllimit të tij “Lirika” me poezi të përkthyera rusisht (Moskë, 1961), vihej në dukje se në to herë-herë vëreheshin gjurmë të modernizmit perëndimor.  Fillimet letrare të I.K. janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërri-met”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjitshëm në kulturën kombëtare. Poezia e I.K. e ndryshoi rrënjësisht vjershërimin tradicional në shqetësime, në problematikë, në mjetet e shprehjes, në fjalorin poetik dhe në teknikën e të shkruarit. Ajo u mbështet në vlerat më të arrira të vjershërimit në varg të lirë (De Rada, Migjeni). Poezia e I.K. e çliroi vjershërimin shqip prej analitizmit dhe përshkrimit. Sintetizmi dhe fuqia abstraktuese në këtë poezi marrin rolin parësor ndaj retorizmit dhe subjektit. I.K. shkroi poezinë e mendimit dhe të ideve. I.K. ia kushtoi poezinë e tij fatit historik të popullit shqiptar. Ai trajtoi mbijetesën e popullit në sfidat e mëdha të historisë. Poezia e I.K., ndryshe nga proza e tij, herë-herë paraqitet më e angazhuar politikisht (“Shqiponjat fluturojnë lart”, 1966) dhe, si rregull, ka frymë hyjnizuese për etnotipin shqiptar.

Vepra e parë e rëndësishme e I.K. në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në v. 2003. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të I.K. në prozën moderne dhe një pikë kthese në historinë e letërsisë shqipe. Në prozën e tij, raport themelor është vetja dhe tjetri. I.K. e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është romani i parë në letërsinë e re të Shqipërisë, në të cilën lufta antifashiste u trajtua me largësi emocionale. Në këtë roman vend qendror zë raporti ndërmjet jetës dhe vdekjes, si shqetësim i përjetshëm i letërsisë. Varri dhe hija (sozia, fantazma) janë fjalë-çelësa për të lexuar një pjesë të madhe të prozës së I.K.: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Euro-piane. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ka luajtur një rol vendimtar në fatin e letërsisë së I.K. Me botimin e tij frëngjisht (1971) letërsia shqiptare fillon të fitojë njohje ndërkombëtare. “Përbindëshi” (1965), romani i dytë i I.K., u botua në revistën letrare “Nëntori” dhe menjëherë u ndalua, për shkak të gjendjes së ankthit që kishte në përmbajtje, të shthurjes kompozicionale, sidomos të përdorimit subjektiv të përmasës së kohës. Romani arriti të botohej i plotë vetëm në fundin e v. 1980. “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i I.K. që trajton temën e luftës antifashiste, duke iu shmangur pranimit të saj si objekt i drejtpërdrejtë. Lufta e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër. Vepra është qortuar nga kritika e kohës për ndikime të surrealizmit dhe të psikanalizës. Romani “Kështjella” fitoi çmimin e parë në konkursin letrar për 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe u botua dy vjet më vonë (1970). Në studimet letrare është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”. Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e I.K. me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Në thelbin e vet romani “Kështjella” reflekton klimën e dy ngjarjeve të mëdha historike për kohën kur u shkrua. Kjo është koha kur Shqipëria politike vendosi të dalë nga Traktati i Varshavës dhe koha e pushtimit të Çekosllovakisë prej ushtrive sovjetike. Në këtë kontekst historik “Kështjella” paraqitet si paradoksi i një rrethimi: kështjellarët, të rrethuarit, janë më të lirë se rrethuesit. Ura dhe kështjella janë dy fjalë të tjera çelës për të mundësuar kuptimin e veprës së I.K. Zgjedhja midis urës dhe kështjellës, midis qëndresës dhe paqes, midis mbylljes dhe hapjes, shpërfaqen në veprën e I.K. si nyjë fatale tragjike, që kanë përshkuar mendësinë e etnotipit shqiptar. Nocioni i kështjellës është i pranishëm te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”. Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”. Autori ekzaltohet nga ura, nga hapja dhe komu-nikimi, nga miqësitë e largëta të bujarisë së hershme nëpër Europë, por po aq tronditet prej dhembjeve që u ka sjellë Shqiptarëve “fati i urës”. Në thelb, kjo dilemë përmban pyetjen thelbësore të epokës kur I.K. i shkroi këto vepra. Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973; në të trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. Romani u kritikua për frymë deheroizuese dhe për ndikim të dekadencës perëndimore. Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit” (1987), që trajtoi temën e konfliktit me kinezët, pasi fitoi çmimin e parë në një konkurs kombëtar në v. 1981, nuk u lejua të botohej për disa vjet me radhë, duke u konsideruar një vepër që përmban aluzione të hapura kundër sistemit komunist. “Dimri i madh” është quajtur “një roman me iso”, kurse “Koncert në fund të dimrit”, që është vazhdim i tij – “një roman polifonik”. “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të I.K. me realizmin socialist. Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane. Romani u kritikua si vepër që dëmtonte socializmin, dhe seria e veprës së plotë në 12 vëllime e autorit u botua pa vëllimin e 11-të, ku duhej të gjendej kjo vepër. “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” njihet si vepër disidente. Në prozën e I.K. rrallë ndodh të respektohen bashkërisht parimet dhe kërkesat e realizmit socialist. Përmes romaneve me pikënisje nga motivet e prozës popullore, kryesisht të baladave (“Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H”, “Emblema e dikurshme”), I.K. ringjalli në botën shqiptare një “Shqipëri tjetër”, në të cilën kishte elitë dhe aristokraci, që priste e përcillte kumte me Europën. Largimi prej temave aktuale paraqitet jo vetëm si një refuzim estetik. I.K. lëvroi me sukses novelën (“Viti i mbrapshtë”, “Nata me hënë”, “Vajza e Agamemnonit”) dhe esenë (“Autobiografia e popullit në vargje”, “Eskili, ky humbës i madh”, “Kushëriri i engjëjve”).

Në vjeshtën e v. 1990 I.K. vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demok-ratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e I.K., por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në v. 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e I.K. pas v. 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Veprat e I.K. janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. I.K. është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK. Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Në v. 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. I.K. është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”, si dhe me mirënjohje të tjera. Deputet në Kuvendin Popullor në tri legjislatura (1970–1982).

Spread the love
error: