Go to top
Historiku

GJIROKASTRA. Një nga qytetet e vjetra dhe më karakteristike të Shqipërisë Jugore, qendër e qarkut dhe e rrethit të Gjirokastrës. Shtrihet në kodrat e shpatit lindor të Malit të Gjerë, në krahun e majtë të luginës së Drinos, në lartësinë 400 m. Popullsia: 34.975 banorë (2008). Gjurmët e vendbanimit të hershëm u përkasin shekujve të parë të e.r. Duke pasur një pozitë më të mbrojtur në krahasim me vendbanimet e fushës dhe me rëndësi në rrugët nga brendësia e vendit dhe drejt Jugut e drejt detit Jon në Perëndim, në këtë vendbanim u ngrit një kështjellë (shih: Kështjella e Gjirokastrës), që u bë bërthama e zhvillimit të mëtejshëm të tij. Mori pamjen e një qendre qytetare në shek. XIII, përmendet në kronikat bizantine më 1336 me emrin Argyropolihne (qyteza e Argjiros). Në këtë kohë nisi ndërtimi i lagjeve të para në shpatet e kodrave. U përfshi në Despotatin e Epirit (shih) dhe në shek. XIV u bë qendër e feudalëve shqiptarë Zenebishë (shih). U pushtua nga Osmanët më 1417; në v. 1432 kishte 163 shtëpi. Në shek. XVI qyteti u zgjerua duke arritur në 434 shtëpi në v. 1583; në atë kohë ishte dhe qendër e sanxhakut të Delvinës.

Tiparet kryesore si qytet me rëndësi Gjirokastra i mori në shek. XVII dhe lulëzoi sidomos në v. 1800–1830, me ndërtimin e grupeve të banesave, që kanë vlera të mëdha arkitek-turore e artistike. Lagjet Pazari i Vjetër dhe Hazmurat, të vendosura në dy kreshta pothuaj paralele, u bënë ansamblet e para më karakteristike. Pazari i sotëm në qendër nisi të ndërtohej nga fillimi i shek. XVII, u dogj në mes të shek. XIX dhe u rindërtua tërësisht me gurë të gdhendur e në përshtatje me vetë banesat. Lagjet Palorto e Manalat, të shtrira në pjerrësi, kanë ansamble monumentale me vëllime të dalluara dhe me blloqe të njëtrajtshme; me mjeshtëri janë lidhur me truallin dy ansamble të lagjes Dunavat, ndërsa në lagjen Cfakë banesat janë trajtuar më lirshëm e në harmoni me gjelbërimin. Banesa e Gjirokastrës është një nga realizimet më të shquara të banesës shqiptare, ka përshkruar një rrugë të gjatë zhvillimi dhe shfaqet në tre variante kryesore. Pamja e jashtme bashkon rreptësinë e saj me hijeshinë e dritareve, të çardakëve, të shtyllave të lehta për strehët e gjera dhe nganjëherë me pikturat nën to. Në mjaft raste mjediset e brendshme kanë punime të gdhendjes në dru. Vlerat e mëdha arkitek-turore janë një pasqyrë e natyrës së qytetit shqiptar nga Mesjeta deri në Kohën e Re. Gjatë shek. XIX Gjirokastra ishte kryesisht qendër administrative e shkëmbimesh tregtare; u zhvillua zejtaria, sidomos punimi i shajakut, i mëndafshit dhe qëndistaria. Gjirokastra ishte dhe qendër e përpunimit të bulmetit.

Gjirokastra ka tradita të shquara atdhetare e demokratike. Gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Gjirokastër u zhvillua veprimtari e gjerë në mbështetje të Lidhjes; në korrik 1880 u mblodh Kuvendi i Gjirokastrës (shih). Një radhë patriotësh dhanë ndihmesë në luftën për pavarësi dhe për shkollën kombëtare e gjuhën shqipe, ndër ta Bajo e Ç. Topulli – (shih), Hysen Hoxha, Hasan Xhiku, Idriz Guri, Elmaz Boca etj. Më 1908 u hap shkolla “Liria” dhe më pas një numër klubesh e shoqërish patriotike e demokratike, si klubet “Drita” e “Shpresa”, shoqëritë “Kundra Bastijës”, “Kandilja” etj. Më 1921 u bë një grevë e tipografëve dhe më 1925 demons-trata e bukës. Gjimnazi (1923) u bë vatër e lëvizjes për demokraci e përparim; më 1924 u ngrit shoqëria “Studenti”. Në v. 1925–1939 në Gjirokatër botohej gazeta “Demokratia”. Në Gjirokastër ka zhvilluar veprimtari A. Kelmendi gjatë kohës që ishte i internuar. Populli i Gjirokastrës pushtuesin fashist e priti me urrejtje dhe vazhdoi qëndresën kundër tij me demonstrata e greva. Qyteti u lidh ngushtë që në fillim me Luftën ANÇ dhe dha një kontribut të shquar gjatë saj. U kryen shumë aksione luftarake kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, me dhjetëra të rinj e të reja nga qyteti mbushën radhët e çetave, batalioneve e brigadave partizane. Zhvilluan veprimtari antifashiste figura të shquara të luftës, Myzafer Asqeriu dhe veprimtarë të tjerë si B. Naipi, P. Kokëdhima, Fato Berberi etj., që dhanë jetën për liri. Më 18 shtator 1944 qyteti u çlirua nga UNÇSH. Në periudhën e pasçlirimit (në v. 1944–1990) në Gj. u ngritën një radhë ndërmarrjesh industriale dhe artizanale që bënë të mundur punësimin e forcës së aftë për punë të qytetit. Në fushën e industrisë së lehtë u ngritën ndërmarrja e veshjeve “Bule Naipi”, që prodhonte qilima dhe sixhade për eksport dhe për tregun e brendshëm si dhe sende prej druri, kashte e xunkthi; fabrika e lëkurë-këpucëve (reparti i regjjes së lëkurëve ishte ngritur që në v. ‘30); fabrika e duhan-cigareve (një pjesë e mirë e produkteve eksportohej); ndërmarrja e përpunimit të drurit dhe e materialeve të ndërtimit etj. Në fushën e industrisë ushqimore u zgjerua dhe u rikonstruktua fabrika ekzistuese e miellit, u ngrit një ndërmarrje për konservimin e frutave dhe perimeve, për pijet alkoolike dhe freskuese, një punishte për prodhimin e sallameve etj. Në fushën e industrisë mekanike u ngritën uzina metalike për prodhimin e pajisjeve për kuzhinat (thika, lugë, pirunë), furnela me vajguri, çadra etj. U ngrit gjithashtu edhe uzina e mekanikës bujqësore, që prodhonte pjesë këmbimi për makineritë bujqësore.

Zhvillim të konsiderueshëm në këtë peri-udhë pati edhe arsimi, kultura, shëndetësia, sportet, shërbimet komunale etj. Sistemi arsimor përbëhej nga një rrjet i dendur çerdhesh, kopshtesh, shkollash 8-vjeçare e të mesme e deri te arsimi i lartë me krijimin më 1971 të Institutit të Lartë Pedagogjik të Gjirokastrës, i shndërruar më 1991 në Universitetin “Eqrem Çabej” (shih). Gj. u bë e njohur edhe si qyteti i organizimit të Festivalit Folklorik Kombëtar (shih: Festivali Folklorik). U ngritën Pallati i Kulturës “A. Z. Çajupi”, teatri profesionist dhe estrada e qytetit, kinema, biblioteka, galeria e arteve, disa muze, hoteli i turizmit “Çajupi”, stadiumi dhe klubi sportiv “Luftëtari”. Që në vitet e para të pasçlirimit u ngrit spitali i madh i Gj., ambulanca e disa qendra shëndetësore. Qyteti u zgjerua dhe u shtri drejt rrugës automobilistike. Në v. 1945 në Gj. filloi botimi i gazetës “Laiko vima” (shih) për minoritetin grek. Në v. 1967–1991 u botua gazeta vendore “Pararoja”. Në v. ‘90 dolën me ndërprerje disa gazeta vendore.

Ndërmarrjet e mëparshme industriale u mbyllën gati të gjitha pas v. 1990, kurse disa edhe u grabitën ose u shkatërruan. Ndërkaq,  vitet e fundit janë ngritur një numër ndërmarrjesh private me kapital vendës ose me kapital të huaj apo të përbashkët. Të tilla janë disa ndërmarrje për prodhimin e pijeve freskuese dhe alkoolike, për prodhimin e miellit dhe të nënprodukteve të tij etj.; në bashkë-punim me firma të huaja janë ngritur 4 ndërmarrje për prodhimin e veshjeve, ku punojnë mbi 300 punëtorë, dhe dy ndërmarrje për prodhimin e këpucëve për eksport; janë ngritur edhe disa zdrukthëtari me teknologji të kohës, në të cilat prodhohen pajisje druri për banesat dhe institucionet publike. Është zgjeruar shumë prodhimi i materialeve ndërtimore (mermere, beton, llaç, si dhe prodhimi i pajisjeve prej duralumini).

Sistemi arsimor i q. të Gj. sot, përveç rrjetit të arsimit parashkollor, përbëhet nga 4 shkolla 9-vjeçare publike dhe 2 jopublike, nga 2 shkolla të mesme të përgjithshme publike dhe 2 jopublike, nga 3 shkolla të mesme profesionale publike (pedagogjike, industriale dhe artistike). Universiteti “Eqrem Çabej” u zgjerua me degë të reja.

Gj. është një qendër e rëndësishme historiko-kulturore. Për vlerat e shumta dhe të mëdha arkitektonike e historiko-kulturore në v. 1961 u shpall qytet-muze. Në Gj. u ngrit një atelie e Institutit të Monumenteve të Kulturës (shih), që bëri një punë të madhe për ruajtjen e vlerave të kulturës materiale të qytetit. Më 2005 Komiteti i Trashëgimisë Botërore e përfshiu qendrën historike të Gjirokastrës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Në këtë mënyrë u krijuan mundësi për mbështetjen financiare të punimeve për ruajtjen dhe përtëritjen e vlerave historiko-kulturore të qytetit. Sot në Gj. ekzistojnë Muzeu Kombëtar i Armëve, Muzeu i Rilindjes, muzeu Etnografik, Muzeu i kulturës Popullore, qendra muzeore me obeliskun në Qafën e Pazarit (shih) etj. Në sheshin e Çerçizit është ngritur monumenti i Ç. Topullit (shih), vepër e skulptorit të Popullit O. Paskali (shih), si dhe bustet e heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima.

Sistemi shëndetësor i q. të Gj. përbëhet nga spitali rajonal “Omer Nishani” me 173 shtretër, 40 mjekë dhe rreth 100 infermierë, nga 7 qendra shëndetësore, 4 ambulanca, 1 konsultore për nënat dhe fëmijët, 10 farmaci, disa laboratorë, 7 kabinete stomatologjike publike dhe 9 jopublike etj. Gj. ka klubin sportiv “Luftëtari” (1973) dhe stadiumin me 8000 vende, pallatin e sportit me 3000 vende, disa sheshe e vende sportive etj. Gj. ka një rrjet relativisht të zhvilluar për shërbimet e ndryshme komunale e tregtare. Vitet e fundit në qytetin e Gj. vërehet gjallërimi i lëvizjes turistike, sidomos nga të huajt. Janë ngritur edhe dy qendra të rëndësishme turistike, pika turistike e Viroit me hotele, bare etj., dhe ajo e Këcullës mbi lagjen Palorto. Gjirokastra është dëmtuar disa herë nga tërmetet, sidomos në v. 1866 dhe më 19 shkurt 1967.  

Spread the love
error: