No products in the cart.
PËRMETI. Qytet, qendër bashkie dhe e rrethit me të njëjtin emër (qarku i Gjirokastrës). Shtrihet në bregun e majtë të lumit të Vjosës, rrëzë malit të Dhëmbelit, në l.m.d. 254 m. Popullsia: 11.407 banorë (2008), ndaj 2788 banorë në v. 1926. Përmendet me këtë emër që ne shek. XV. Deri në gjysmën e dytë të shek. XIX qyteti u rrit ngadalë. Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bë një qendër e rëndësishme e veprimtarive kulturore e atdhetare. Më 1878 u ngrit komiteti për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare nga rreziku i aneksimit nga Greqia. Në P. zhvilluan veprimtari atdhetare një varg figurash të shquara të kohës. Më 1909 u formua organizata legale e lëvizjes kombëtare “Bashkimi”. P. ishte një nga qendrat e njohura të Revolucionit të Qershorit të v. 1924 dhe aty qëndruan për disa kohë përkrahësit e F. S. Nolit. Në periudhën e Luftës ANÇ qyteti i P. ashtu si edhe krahinat rreth tij në përgjithësi u bë qendër e rëndësishme e lëvizjes antifashiste. Në P. zhvilloi punimet Kongresi i Parë ANÇ, u formua Brigada VI S dhe më vonë Divizioni I UNÇSH. Janë zhvilluar aksione e beteja të ashpra kundër pushtuesve gjermanë, të cilët e dogjën katër herë. P. u çlirua më 13.09.1943. Pas çlirimit në P. u ngritën një radhë fabrikash e punishtesh të industrisë së lehtë dhe ushqimore si fabrika e përpunimit të rrushit, fabrika e miellit dhe e makaronave, punishtja e trikotazheve, ajo e përpunimit të drurit, prodhimi i materialeve të ndërtimit etj. Në periudhën e pasçlirimit u shtuan ndërtimet buzë Vjosës, u hapën rrugë të gjera, parqe e lulishte. P. dallohet për pastërtinë, lulet, rrugët e sistemuara e të gjelbëruara me drurë dekorativë, ndaj ai quhet edhe “qyteti i trëndafilave”. Pas v. 1990 pjesa më e madhe e tyre u mbyllën. P. ka 2 shkolla 9-vjeçare, shkollë të mesme të përgjithshme, 4 kopshte e 2 çerdhe, bibliotekë, shtëpi kulture, grupe amatore, ansamble artistike, grupin karakteristik të këngës përmetare dhe grupin folklorik. Ka spital, poliklinikë, qendër epidemiologjike, farmaci, klinikë dentare, shtëpi lindjeje. Në P. ndodhen Muzeu historik i rrethit, objekte të tjera me vlera historike, kompleksi skulpturor në varrezat e dëshmorëve, busti i poetit Naim Frashëri, i patriotit Hajredin Tremishti dhe i Heroit të Popullit Meleq Gosnishti. Sot veprimtaritë ekonomike ushtrohen kryesisht nga firma private si në fushën e tregtisë e të shërbimeve, ashtu në fushën e ndërtimeve, të industrisë ushqimore etj. Janë ngritur objekte të reja industriale të pajisura me teknologji të re prodhimi, sidomos për prodhimin e pijeve alkoolike (verë, raki rrushi), të konservimit të frutave, përpunimin e qumështit etj. Pas v. 1990 mërgimi ka prekur rreth 1/5 e popullsisë qytetare. Mërgimi i jashtëm (Greqi, Itali etj.) ka përfshirë kryesisht moshat e reja. Përmeti është vendlindja e vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut, rilindës të shquar, emblema të Përmetit dhe profetët e mëdhenj të Shqipërisë; vendlindja e shkrimtares dhe publicistes atdhetare Elena Gjika (Dora d´Istra); e atdhetarit dhe veprimtarit të shquar të Rilindjes Nikolla Naço; e veprimtarit politik, shkrimtarit, publicistit e përkthyesit Mitat Frashëri; e veprimtarit politik, poetit, përkthyesit e publicistit Sejfulla Malëshova; e juristit, studiuesit e politikanit fanolist Stavro Vinjau; e studiuesve të historisë Stefanaq Pollo e Kristo Frashëri; e gjuhëtarit Androkli Kostallari; e shkrimtarëve Nonda Bulka e Bardhyl Londo; e skulptorëve Janaq Paço, Odise Paskali e Hektor Dule; e piktorit Fatmir Haxhiu; e këngëtarëve të mëdhenj Tefta Tashko Koço dhe Mentor Xhemali; e klarinetistit virtuoz Laver Bariu; e violinistit me famë botërore Tedi Papavrami; e aktorit Naim S. Frashëri.