No products in the cart.
Një gërnetë që dikur qante
me zënë e jetës qesh deri vonë[1]
Shih filmin dokumentar “Këngët e Zemrës”, kushtuar muzikës popullore qytetare përmetare me saze. https://www.youtube.com/watch?v=jOVnc3DgvRM&list=PLmQ0sdYZFEvDU41grhDG6xN3YjZkLfhXx
Përmeti, ashtu si dhe qyteti i Leskovikut, klasifikohet ndër qytetet më të rëndësishme përsa i përket formimit të muzikës popullore qytetare jugore me anë të veprimtarisë dhe ndihmesës së sazeve. Përmëndet me këtë emër qysh në shek. XV-të. Deri në gjysmën e shek.XIX qyteti u zhvillua gradualisht. “Qytet në bregun e majtë të luginës së Vjosës, rrëzë malit të Dhëmbelit… gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bë një qendër e rëndësishme kulturore e patriotike”[2]. Prej rrethit të Përmetit janë me origjinë ose kanë lindur disa nga figurat më në zë të kulturës dhe artit shqiptar në përgjithësi. Ndër ta përmendim vëllezërit Frashëri, Elena Gjikën (Dora D’istria), Odhise Paskalin, Mentor Xhemalin etj.
Të lidhur ngushtë në pikpamje gjeografike me Leskovikun, mes tyre u ngjiz edhe një nga bashkëpunimet më frytdhënëse përsa i përket kristalizimit dhe formimit të portretit të sazeve. Arsyet dhe shkaqet që deri dje i shikonin këto dy qytete dhe sazet e tyre të ndarë nga njeri tjetri, duket se sot ja kanë lënë vendin gjykimeve më të ftohta dhe fakteve kokëfortë mbi unitetin e njësisë etnokulturore dhe kompaktësisë që muzika popullore e tyre ka provuar prej dhjetra vjeçarëve.
Për herë të parë hasim diçka për sazet e vjetra të Përmetit tek vepra e A.Dozonit[3] “Manual de la langue Chkipe” botuar më 1879, kur flet për zakonet e martesës në Përmet, por pa përmendur emra konkretë. Duke shpjeguar ritin e vajtjes në shtëpinë e nuses për të çuar dhuratat, ai shkruan: … si vinë ata djemtë me shairë edhe rrinë, dalinë gratë e nusesë edhe i puthinë me radhë me radhë edhe u thonë, “më të tuajtë”. Pastaj si u nxierin glikonë, nxjerin edhe nusenë. Vete nusja edhe u puth dorrënë edhe ata e puthinë në faqe edh uroinë! Pas një çikë u nxier pajënë ta shonë edhe i darovit, ngrihenë ca gra edhe kërceinë. Si sosinë nga të këcyerit del e em’ e çupësë edhe darovit shairëtë e dhëndërit, pastaj shkojnë[4].
Ndërsa vegla e gërnetës përmendet veҫmas tek vargjet e këngës “Në mes të Përmetit”, që i përket fundit të shek. XIX-të, ҫka tregon përshtatjen e saj shumë herët në jetën tradicionale qytetare.
Në mes të Përmetit një oxhak i bardhë,
Çupa e Veli beut me nishan në ballë .
Të erdhë e të muar dyzet kolonjarë,
Gjysmatë me guna, gjysmatë me larë.
Të gënjeu kopilja, të nxorri në shkallë,
Të rrëmbeu çobani, të hipi në kalë,
Të fshehu nën gunë, të beri si djalë.
Bini, moj gërneta, bini me të qarë,
U shofsh o Përmet, mos mbeç’ një mëhallë!
Dëshmitë e para konkrete për muziktarët dhe formacionin e sazeve në qytetin e Përmetit i kemi duke filluar nga gjysma e parë e shek. XIX-të. Kujtimet qytetase nuk e harrojnë muziktar Veizin, për të cilin thuhej se interpretonte në veglën e violinës e llahutës, si dhe në borie ose trompën pa çelësa, për garnizonin turk të qytetit. Në kujtesën e përmetarëve të vjetër rivjen figura e tij e dashur posaçërisht kur bënin përcjelljet e dasmave tradicionale dhe kohën kur nusja dilte nga shtëpia. Në fund të shek. XIX-të , në Përmet ka zhvilluar veprimtarinë e tij formacioni i sazeve i përbërë nga Shahini në klarinetë, Myftari në violinë dhe Azbiu, ose Çobani siç e thërrisnin, në llahutë. Që të tre djemtë e Muços, të cilin ndryshe e thërrisnin edhe Çaçi. Më vonë Shahini aktivizoi edhe dhëndrin e tij Asllan Ali Pëçërin me llahutë. Myftari ishte babai i llahutjerit Asllan Muço, kurse Asllani ishte babai i Mazar Muços që u bë më vonë krahu i djathtë në sazet e Usta Laver Bariut.
Më vonë sazet patën si figurë qendrore gërnetarin Lamçe Keko, familja e të cilit është po aq e rëndësishme për muzikën me saze të Shqipërisë së Jugut, njëlloj si ato të Selimit dhe Hafizesë në Leksovik, Demkës dhe Hajros në Korҫë apo sazet e Bilbil Vlorës në Vlorë. Nga kjo familje dolën dy gërnetarët më të shquar të Përmetit të gjysmës së parë të shek XX-të: Medi Keko, ose Medi Përmeti, aq i njohur për “Kabanë e Mediut” dhe Jonuz Keko ose “Jonuzi i Lamҫes”, “Jonuzi me shokët”, siҫ del në regjistrimet diskografike të atyre viteve e më pas si themelues i sazeve të Radio-Tiranës. Vetë Lamҫja për talentin e të cilit flitej me adhurim nuk arriti të dëshmohej përmes regjistrimeve tingullore, pasi në kohën e Perandorisë Turke e morën ushtar dhe ai nuk u kthye më kurrë nga Jemeni. Atë e zëvendësoi Medi Kekua ose Medi Përmeti në gërnetë.
Me vdekjen e Medi Keko-Përmetit në mes të viteve 1930, sazet u riorganizuan të drejtuara nga Jonuz Keko, me gërnetë ose siҫ thamë që njihet në regjistrimet diskografike me nofkën “Jonuzi i Lamҫes” ose “Jonuzi me shokët”. Shokët e tij ishin Alit Asllani në llahutë, Ethem Belul Sinani në llahutë dhe Sadik Çaçi në violinë. Më vonë Jonuzi aktivizoi edhe Selim Kekon me llahutë që të gjithë përmetarë dhe me lidhje farefisnore me njeri-tjetrin. Jonuzi i Lamҫes e përcolli traditën e gërnetës përmetare tek djali i tij Sulo dhe tek Usta Laver Bariu.
Në fisin e Mekove ose Matove, sazet kishin këtë përbërje: Jonuzi në klarinetë dhe violinë, Isufi në llahutë dhe violinë dhe Rizai Meko në klarinetë. Riza Meko më pas u zhvendos në Berat dhe aty u njoh me emrin Riza Berati. Pranë tyre angazhohej edhe Azbiu-Çobani, Muçoja me violinë, Myftar Muçoja me llahutë, dhe Nesim Mehmeti me violinë. Për arsye ekonomike një degë e fisit të Mekollarëve lanë Përmetin dhe shkuan në qytetin e Beratit. Nga Mekollarët, në Përmet mbeti Rizai i cili e vazhdoi traditën e sazeve me këtë përbërje: Riza Meko në klarinetë, Bari Nurka në llahutë dhe dhëndri i Riza Mekos, Vait Islami me gërnetë i cili më pas krijoi sazet e tij të përbëra nga Xhelal Daci dhe Asllan Murati në llahutë, Myrteza Sadiku këngëtar dhe Esat Mane në def. Ende kujtohet që një Ibrahim nga fisi i Merkove, i mësoi gërnetën djalit të tij dhe ky i fundit krijoi një muzikë valleje që u bë e pëlqyeshme dhe u quajt “Valle e Merko Qorrit”.
Një tjetër gërnetaxhi i shquar nga Përmeti në dhjetvjeçarët e parë të shek. XX-të ishte edhe Halit Përmeti, vëllai i këngëtarit të shquar Selim Asllani, ish-pjesëtar i sazeve të Radio- Tiranës. Fama e tij në popull është po aq e madhe sa edhe e gernetarëve të tjerë popullore të asaj periudhe si Medi Përmeti dhe Selim Leskoviku. Vdiq në moshë të re, në fund të viteve 1930, nga sëmundja e turbekulozit. La amanet që kur të vdiste të shoqërohej me këngë vajtuese dhe kaba me saze nga shokët e tij. Për vdekjen e Halit Përmetit është kënduar kënga popullore si më poshtë:
Seç vajte në Korçë,
Për teptil hava,
Halit t`u bëftë nëneja…
Kjo e shkretë sëmundje,
T`u qep e s`t`u nda,
Halit t`u bëftë nëneja…
Kjo sëmundj` e shkretë,
S`di të bënj` shaka,
Halit, t`u bëftë neneja…
Erdhën shoqëria,
Mblodhën sadaka,
Halit, t`u bëftë nëneja…
Shokët e t`u erdhën,
Të shkelën shtëpinë,
Ngrehu Halit i nënës,
Dhe bëju nderimnë
Emri i tij, Halit, u huazua nga Vath Koreshi, skenaristi i filmit “Gjeneral gramafoni”-1978, për të portretizuar personazhin kryesor të këtij filmi, Halit Beratin, si një gërnetar i shquar i sazeve. Në mes të viteve 1940 fillojnë aktivitetin sazet e Usta Laver Bariut të cilat u bënë formacioni qendror u muzikës popullore me saze për qytetin e Përmetit në gjysmën e dytë të shek. XX-të e deri në fillim të shek. XXI
Për më tepër emisioni “Sazet, gjuha muzikore e qyteteve” https://www.youtube.com/watch?v=sNWyBw4ULYI
[1] Fragment nga poezia “Maji në Përmet”, e Bardhyl Londos, tek vëllimi poetik “Emrin e ka dashuri”, Tiranë, 1984, fq.40.
[2] “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, fq.828-829.
[3] Konsull i Francës në Janinë në këto vite.
[4] A.Dozoni, “Manuel de la langue Chkipe”, cituar sipas “Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar” (1635-1912), Tiranë, 1961, fq. 321.